1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Renzi do të formojë qeverinë e ardhshme të Italisë

Auron Dodi17 Shkurt 2014

Ylli 39 vjeçar i politikës italiane ia doli mbanë: kryetari i Partisë Demokratike, rival i kryeministrit të deritashëm Letta kërkon ta nxjerrë nga kriza Italinë.

https://p.dw.com/p/1BAOW
Matteo RenziFotografi: Getty Images

Kryetari i bashkisë së Firences, Matteo Renzi është ngarkuar me formimin e një qeverie të re. Presidenti i shtetit, Giorgio Napolitano e ngarkoi më këtë detyrë 39 vjeçarin pas një takimi në Romë, bëri të ditur zyra e Presidentit.

Renzi deklaroi se do të nisë negociatat zyrtare për të formuar një qeveri të re në 24 orët e ardhshme. Ai pritet të paraqesë një program reformash, që duhet të përfundojnë brenda muajve të ardhshëm. Renzi tha se do të shpalosë reformën e plotë të ligjit elektoral të Italisë dhe institucioneve politike deri në fund të shkurtit, që do të pasohet nga reformat e tregut të punës në mars, një reformim i administratës publike në prill dhe një reformë tatimesh në maj.

Ai nuk pranoi të komentojë përbërjen e mundshme të kabinetit të tij. "Vëmendja jonë është te përmbajtja dhe jo te çështje të tjera", u tha ai reporterëve pas një takimi 90 minutësh me kryetarin e shtetit.

Me 39 vjeç, Renzi është kryeministri më i ri i të gjitha kohërave në Itali. Ai duhet të përpiqet të sigurojë një shumicë në parlament. Pritet që Renzi ta paraqesë gjatë kësaj jave kabinetin e tij të ri dhe të përballet me votëbesimet në dy dhomat e parlamentit.

Shefi i Partisë Mes-I Djathtë NCD, Angelino Alfano sinjalizoi të dielën se edhe ai është i gatshëm të formojë një qeveri nën Renzin. Por më parë duhet të parashtrohen objektivat e përbashkëta.

Ngjitja e Renzit

Renzi e detyroi javën e kaluar kryeministrin Enrico Letta, në një luftë të brendshme për pushtet brenda Partisë Demokratike (partito democratico) që të japë dorëheqjen. Renzi ishte zgjedhur vetëm pak kohë më parë kryetar i partisë dhe e pati kritikuar qeverinë si të lëkundur dhe jo të vendosur për reforma. "Nuk bëhet fjalë që të ecim edhe më tej në këtë drejtim, por që ta ndryshojmë objektivin, shpejtësinë dhe ritmin", u shpreh ai para anëtarëve të partisë që votuan me shumicë kundër Lettas.

Italien Machtkampf Regierung
Enrico LettaFotografi: Reuters

Renzi i bie tryezës me grusht dhe kjo i siguron vëmendje mediatike. Si fëmijë politik i epokës së Berluskonit ai ka arritur të ngjisë me këtë shkallët e karrierës. Ai ka punuar në agjenturën e marketingut të familjes së tij dhe e di si funksionon biznesi. Ngjitjen e tij të shpejtë në politikë ia dedikon disa kryeartikujve dhe faqeve të gazetave, që iu kushtuan atij, kur mblodhi përvojat e para si mbështetës i Romano Prodit. Instinkti për pushtet, vetëinskenimi medial dhe deklaratat për një ndryshim radikal janë sinjale të përbashkëta të Renzit dhe të Berlusconit.

Pas Mario Montit dhe Enrico Lettas ai do të jetë kryeministri i tretë prej vitit 2011, i cili nuk është zgjedhur nga populli. Por kjo nuk duket se e shqetëson. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë në diskutim për të. "Mund të mendosh se zgjedhjet e reja kanë një efekt pastrues, por ato kanë edhe një disavantazh të vogël. Në situatën aktuale ato nuk do të zgjidhnin asnjë nga problemet, që ndodhen para nesh", shprehet Renzi.