1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republika e Moldavisë nën hijen e krizës së Krimesë

Alexandra Scherle/Eliana Xhani1 Prill 2014

Edhe në Republikën e Moldavisë po rritet frika nga politika ekspansioniste ruse. Marrëveshja e asociimit me BE-në pritet të nënshkruhet së shpejti, por popullsia është e përçarë në lidhje me afrimin me Evropën.

https://p.dw.com/p/1BZXN
Fotografi: DW/C. Springer

"Ne jetojmë mbi rërë lëvizëse", paralajmëron gazetari dhe shkrimtari Vitalie Ciobanu. "Rusia rrezikon sigurinë kombëtare të Republikës së Moldavisë". Kryeredaktori i revistës "Contrafort" dhe kryetar i PEN-Club në Moldavi, nuk është i vetmi që mendon kështu. Edhe në Perëndim pas aneksimit të Krimesë, është shtuar shqetësimi për pretendime të reja territoriale të Rusisë në rajone të tjera të ish Bashkimit Sovjetik.

Republika e Moldavisë shpalli në 1991 pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Para Luftës së Dytë Botërore një pjesë e madhe e territorit të saj i përkiste Rumanisë me përjashtim të Transnistrisë. Ky rajon u nda nga Republika e Moldavisë në fillim të viteve 1990 me ndihmën e Rusisë, por nuk njihet në plan ndërkombëtar nga asnjë shtet. Politikisht dhe ekonomikisht rajoni mbështetet nga Moska, shumica e popullsisë ka rusishten gjuhë të parë, ndërkohë që në Republikën e Moldavisë gjuhë zyrtare është rumanishtja.

Trupat ruse në kufirin lindor të Ukrainës janë aq të forta sa në konfliktin për rajonin separatist të Transnistrisë, mund të përbënin një kërcënim edhe për Reapublikën e Moldavisë, deklaroi komandanti i përgjithshëm i NATO-s Philip Breedlove. Në sfondin e krizës së Krimesë dhe gjendjes së tensionuar në rajon, politikanët moldavë duhet të negociojnë me Perëndimin për garancitë e sigurisë për Republikën e Moldavisë, kërkon në intervistë me DW Vitalie Ciobanu. "Kjo nuk do të thotë që ne provokojmë Rusinë, por thjesht që mbrojmë qytetarët tanë. " Ai thotë se ndjen dëshpërim dhe trishtim që "politikanët tanë nuk kanë guxim të negociojnë garanci të tilla."

Vitalie Ciobanu
Vitalie Ciobanu

Prani kërcënuese e trupave ruse

Edhe Anatol Ţăranu, ish ambasador i Moldavisë në Moskë, nuk përjashton një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në Moldavi. Trupat ruse në Transnistri kanë kryer manovra ushtarake javët e kaluara. "Manovra të tilla ka pasur vërtet edhe më parë, por në kontekstin e krizës aktuale në rajon, ato kanë një dimension të ri: prania e trupave ruse në Transnistri mund të kthehet në një kërcënim të drejtpërdrejtë për Moldavinë", thotë Ţăranu, në bisedë me DW. Nëse Rusia do të kërkonte një pretekst për të hyrë në Moldavi, ai mund të gjehet lehtë, tërheq vëmendjen ish-ambasadori: "Për shembull nëse Moska do të nxiste forcat separatiste në Transnistri për të sulmuar forcat moldave të sigurisë." Në fund të fundit regjimet separatise besnike të Rusisë si ai në Transnistri janë "mekanizma për të mbajtur vendet edhe më tej nën ndikimin rus", thotë ish ambasadori i Moldavisë në Moskë.

Edhe krahina autonome Gagauzi në jug të Moldavisë është pro-ruse: në muajin janar pjesa më e madhe e popullsinë në një referendum u shpreh për t'iu bashkuar unionit doganor të ngritur nga Rusia. Pikërisht në sfondin e krizës aktuale Republika e Moldavisë duhet të bëjë kujdes që të mos orientohet as në Perëndim e as në Lindje, mendon Igor Dodon, kryetar i Partisë Socialiste të Republikës së Moldavisë. "Një zgjidhje e mirë kompromisi do të ishte federalizimi i Moldavisë me Transnistrinë dhe Gaugazinë si subjekte të veçanta federale."

Ndihmë nga SHBA për sigurimin e kufijve të vendit

Sipas të dhënave të veta Moska nuk synon asnjë ndërhyrje ushtarake në Transnistri apo Moldavi. E megjithatë kjo duket se nuk e ka zbutur frikën nga politika ekspansioniste ruse në rajon: të dielën (30.03.2014) e ngarkuara e SHBA për Evropën Victoria Nuland i premtoi Republikës së Moldavisë 10 milionë dollarë (rreth 7,3 milionë euro) për sigurimin e kufijve të vendit.

Valeriu Munteanu
Valeriu MunteanuFotografi: DW/A. Scherle

Në të njëjtën kohë kriza në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të jetë më i hapur me Moldavinë, thekson Valeriu Munteanu, deputet i liberalëve në Parlamentin në Kishinau. Marrëveshja e asociimit me BE-në duhet të nënshkruhet më shpejt nga sa ishte planifikuar në fillim, pritet që në fillim të verës. Kandidati i Partisë Popullore Evropiane për postin e Presidentit të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, në intervistë me gazetën gjermane "Die Welt" ka kërkuar që marrëveshja me Moldavinë të nënshkruhet që "javët e ardhshme". Vladimir Putin duhet të dijë se atje nuk guxon të bëjë atë që bëri në Krime. "Duket se Brukseli në sfondin e krizës aktuale në rajon, thjesht u ka falur shumë gabime politikanëve moldavë dhe na ofron një paradhënie besimi", thotë deputeti Valeriu Munteanu. Tani Kishinau duhet të dëshmojë që ky besim është i përligjur.

"Një e treta e qytetarëve për anëtarësim në BE"

A e dëshëron popullsia moldave afrimin me BE-në? Shoqëria është e ndarë, thotë analisti Oazu Nantoi. Ish deputeti i Partisë Demokratike është drejtor programi në Institutin për Politika Publike në Kishinau. "Rreth një e treta e qytetarëve duan një anëtarësim të Moldavisë në BE", thotë ai. "Një e treta janë pro-rusë dhe tërhiqen nga premtim e Moskës për fitime të lehta. Dhe një e treta e popullsisë është indiferente pasi nuk shkon aspak të votojë." Veç kësaj mediet shtetërore ruse, të cilat janë shumë të përhapura në Moldavi, përcjellin një imazh negativ të BE-së dhe e paraqesin Evropën vazhdimisht "në buzë të greminës". Njëkohësisht shumë priftërinj në Moldavi, të cilët i përkasin kishës ortodokse ruse, përhapin tek besimtarët opinionin se Bashkimi Evropian sjell "shthurjen e moralit dhe familjes".

Republika e Moldavisë është një vend shumë i varfër, "këtu nuk ka thuajse asnjë familje që të mos ketë një pjesëtar që punon jashtë vendit", thekson gazetari Vitalie Ciobanu. Kur njerëzit nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë është e vështirë t'i bindësh me "diskutime për përkatësinë në cilivizimin evropian". Politikanët në Kishinau sipas tij kanë bërë shumë pak për të përcjellë në popull përparësitë e kursit pro-evropian. Rezultati i një sondazhi aktual tek qytetarët në Republikën e Moldavisë e bën atë të mendojë: ndër gjithë politikanët e huaj, Putin është ai që gëzon më shumë popullaritet.