1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet e para për dorëheqjen e Papës

11 Shkurt 2013

Respekt dhe mirënjohje për Papën Benedikt XVI. Në Berlin lajmi i dorëheqjes së Papës goditi si rrufe.

https://p.dw.com/p/17c2K
Angela Merkel jep konferencë shtypi për dorëheqjen e Papës
Angela Merkel jep konferencë shtypi për dorëheqjen e PapësFotografi: Reuters

Pas dorëheqjes së papritur të Papa Benediktit XVI. qeveria gjermane ka çmuar meritat e tij.

Kancelarja Angela Merkel tha, se shpreh për Papën respektin më të lartë si një nga mendimtarët më të mëdhenj fetarë të kohës. "Nëqoftëse tani Papa pas një shqyrtimi serioz ka arritur në përfundimin se fuqitë e tij nuk mjaftojnë më për të ushtruar detyrën, ka respektin tim maksimal", tha Merkel këtë të hënë në Berlin. Në një epokë, kur jetohet gjithnjë e më gjatë, shumë njerëz mund ta kuptojnë se Papa duhet të përballet me barrën e plakjes.

I paharruar mbetet fjalimi i tij në shtator 2011 në Bundestag tha Merkel. «Në të ai përshkruante detyrën tonë kryesore si politikanë. Të drejtën për të shërbyer dhe për t'u mbrojtur nga sundimi i padrejtësisë.» «Si kancelare unë them falemnderit për punën e tij dhe i uroj gjithë të mirat për vitet në vazhdim." Ai ka arritur zemrat e besimtarëve dhe u ka shtrirë dorën muslimanëve dhe hebrejve", tha kancelarja.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha në konferencën për shtyp të qeverisë në Berlin, vetëm disa minuta, pasi ishte njoftuar dorëheqja e Papës:

"Qeveria gjermane ka respektin më të lartë për Atin e Shenjtë, për punën e tij, për kontributin gjatë jetës së tij për Kishën Katolike. Ai ka dhënë tonin e vet personal si mendimtar në krye të kësaj kishe dhe si bariu i saj." Ai meriton lëvdata për faktin, që udhëhoqi kishën botërore në këtë mënyrë për tetë vjet me radhë. "

Sekretari i përgjithshëm i Unionit Kristiandemokrat CDU Hermann Gröhe, u shpreh: "Respekt i madh për vendimin e Papës Benedikt XVI. dhe jetën e tij impresionuese në shërbim të Ungjillit dhe njerëzve!"

Zëvendëssekretarja e Unionit Kristiansocial, Dorothee Bär, shkruante: "Jam e tronditur, që Papa Benedikt jep dorëheqjen. Në ditëlindjen time." Deputetja e PSD në Parlamentin Gjerman, Kerstin Griese shkruante në twitter: "Papa njofton të hënën e karnavaleve dorëheqjen. Kujt mund t'i shkonte mendja në një gjë të tillë. Por tani: Shpresë për reforma! Urgjentisht të domosdoshme!!"

E hëna e karnavaleve është në disa pjesë të Gjermanisë ditë pushimi. Lajmi i gjeti shumë qytetarë gjatë procesionit tradicional të karnavaleve të hënën e karnavaleve.

Autor: Kay-Alexander Scholz/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi