1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171109 Wende Tschechoslowakei

17 Nëntor 2009

Ndryshimi pa dhunë i sistemeve në Çekosllovaki u bë i famshëm si revolucioni i mëndafshtë. Figura kryesore e tij ka qenë shkrimtari dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Vaslav Havel.

https://p.dw.com/p/KYuB
Reformatori komunist Alexander Dubcek dhe aktivistë të tjerë të Pranverës së Pragës kërkuan gjatë demonstratës dorëheqjen e të gjithë byrosë politike.
Reformatori komunist Alexander Dubcek dhe aktivistë të tjerë të Pranverës së Pragës kërkuan gjatë demonstratës dorëheqjen e të gjithë byrosë politike.Fotografi: ullstein bild - CTK

Me përjashtim të disa ndërhyrjeve të dhunshme të policisë ndryshimi i sistemit politik në Çekosllovaki kaloi i qetë. Partia komuniste nuk kishte më fuqi t'i kundërvihej me forcë të gjithë shoqërisë. Demonstratat e 17 nëntorit shënuan fillimin e revolucionit pa dhunë, apo si quhet të mëndafshtë, në Çekosllovaki.

"Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes" - këto fjalë të Havelit u bënë motoja qendrore e revolucionit të mëndafshtë.
"Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes" - këto fjalë të Havelit u bënë motoja qendrore e revolucionit të mëndafshtë.Fotografi: ullstein bild - CTK

Demonstrata e studentëve çekosllovakë e 17. nëntorit 1989 në Pragë tërhoqi vëmendjen e gjithë botës dhe shënoi fillimin e revolucionit paqësor në vend. Studentët qenë mbledhur në fakt për të përkujtuar studentin Jan Opletal, i cili ishte vrarë prej nazistëve në vitin 1939. Por për shkak se një javë më parë kishte rënë Muri i Berlinit kjo ceremoni përkujtimore u shndërrua në një demonstratë proteste politike. Policia përdori ndaj demonstruesve shkopinjtë e gomës:

Bilanci 600 të plagosur. Të nesërmen studentët bënë thirrje për një grevë pa afat. Frantisek Pitra, kryeminstri komunist i pjesës çeke të republikës u përpoq t'i qetësonte shpirtërat e ndezur përmes një fjalimi në televizion. "Të nderuar qytetarë, po ju drejtohem si kryetar i qeverisë së Republikës Çeke. Para dy vjetësh ne filluam rrugën e transformimeve dhe të demokratizimit. Kuptohet që ky nuk është një proces i shpejtë. Ai lidhet me kërkime, me diskutime dhe me këmbim mendimesh."

Olga Havlova duke dëgjuar të shoqin Vaclav Havel dhe të vëllanë Ivan Havel, në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut "Karta 77".
Olga Havlova duke dëgjuar të shoqin Vaclav Havel dhe të vëllanë Ivan Havel, në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut "Karta 77".Fotografi: AP

Por politika zvarritëse e krerëve komunistë nuk pati më fajde

Me protestat filluan të bashkohen gjithnjë e më tepër qytetarë - ndër ta edhe shkrimtari Vaslav Havel, i cili për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut "Karta 77" kishte qenë 5 vjet në burg. Më 24 nëntor në Pragë u zhvillua një demonstratë masive, gjatë së cilës njerëzit skandonin emrin e Havelit. Reformatori komunist Alexander Dubcek dhe aktivistë të tjerë të Pranverës së Pragës kërkuan gjatë demonstratës dorëheqjen e të gjithë byrosë politike, gjë e cila pak pas kësaj ndodhi vërtet.

Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë përballë gënjeshtrave

"Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë ndaj gënjeshtrave dhe urrejtjes" - këto fjalë të Havelit u bënë motoja qendrore e revolucionit të mëndafshtë.

Vaslav Havel me të shoqen Havlova
Vaslav Havel me të shoqen HavlovaFotografi: picture-alliance/ dpa

Por udhëheqja komuniste nuk donte të hiqte krejtësisht dorë nga pushteti. Pas një greve të përgjithshme dhe protestave masive në mbarë vendin ajo pranoi të bëjë lëshime të tjera. Më 5 dhjetor hiqet teli me gjemba në kufirin me Austrinë. Më 10 dhjetor krijohet një qeveri e unitetit kombëtar me shumicë jo komuniste. Dinamika e transformimeve nuk ndalet më dot. Ndryshohet i kushtetuta, Dubceku nderohet për rolin e tij gjatë Pranverës së Pragës dhe më 29 dhjetor parlamenti, edhe pse i përbërë në shumicë nga komunistët, zgjedh ish-armikun e shtetit Vaclav Havel, si president të ri të vendit.

Haveli u përkujdes që në qershor të vitit 1990 në Çekosllovaki të zhvillohen zgjedhjet e para demokratike. Figura e tij u bë figurë drejtuese e revolucionit të mëndafshtë.

Autor : Daniel Scheschkewitz / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama