1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshon gjeografia politike e Kosovës

Bekim Shehu2 Dhjetor 2013

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila për herë të parë garoi në zgjedhjet lokale. Dhjetë komuna më shumicë serbe do të udhëhiqen po ashtu nga serbët.

https://p.dw.com/p/1ARYs
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rezultatet paraprake të publikuara këtë hënë (03.12) në mëngjes nga KQZ-ja, treguan se kryeqytetin do ta udhëheqë Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosja, duke e mundur kështu kandidatin e LDK-së, Isa Mustafa. Mustafa është edhe kryetar i LDK-së, parti kjo e cila që nga viti 2000 udhëheq Prishtinën. Megjithatë LDK i fitoi tri komuna të mëdha, Gjilanin, Ferizajin dhe Pejën. Partia Demokratike e Kosovës arriti ta ruajë fitoren në komunën e Prizrenit, mirëpo humbi komunën e Mitrovicës, e cila do të udhëhiqet nga Agim Bahtiri, nga Aleanca për Kosovën e Re, AKR, partia e afaristit, Behxhet Pacolli. Kjo parti fitoi edhe në qytetin e Gjakovës, duke e mundur Aleancën Për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e Ramush Haradinajt.

Nga dhjetë komuna me shumicë serbe, në pjesën më të madhe të tyre ka fituar "Nisma Qytetare Serbe", e cila vazhdimisht është mbështetur nga qeveria e Beogradit. Komunën e veriut të Mitrovicës tashmë do ta udhëheqë, Kërstimir Pantiq, i cili mundi kandidatin, Oliver Ivanoviq. Pjesëmarrja në votime në 25 komuna, sipas KQZ-ve, ishte 40.02 për qind. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi se zgjedhjet komunale në raundin e dytë në 25 komuna të Kosovës kanë treguar përkushtimin e qytetarëve të vendit për ndërtimin e një shoqërie demokratike përmes votimit të lirë dhe të ndershëm në gjithë territorin e Kosovës.

Presidentja përgëzoi qytetarët e Kosovës dhe organizatorët e zgjedhjeve për një shembull të organizimit të mirë, duke vlerësuar edhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. “Zgjedhjet komunale të organizuara për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar një mbarëvajtje të një procesi të organizuar tërësisht nga institucionet e vendit me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të dyja raundet e votimit”, thotë presidentja Jahjaga. Zgjedhjet në veri të Kosovës u lehtësuan nga OSBE-ja. Kjo organizatë e vlerësoi procesin e zgjedhjeve në veri të Kosovës duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndihmojë në veri të Kosovës sipas nevojës.

Atifete Jahjaga Präsidentin Kosovo Archiv 2011 in Prishtina
Atifete Jahjaga -Presidentja e KosovësFotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

“Pas këtyre zgjedhjeve presim që të punojmë ngushtë me zyrtarët e zgjedhur komunal, bashkëpunëtorët në nivel qendror dhe partnerët ndërkombëtarë në tri fusha programatike të OSBE-së në Kosovë, që përfshijnë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe sigurinë publike”, tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë. Zgjedhjet lokale në Kosovë u vëzhguan nga mbi 1600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. 71 vëzhgues ishin nga Bashkimi Evropian që monitoruan zgjedhjet. Mbi pesë mijë policë ishin të angazhuar për sigurinë dhe sipas, zëdhënësit të policisë, Baki Kelani, në të gjithë territorin e Kosovës nuk është shënuar asnjë incident serioz që do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve.