1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rikthehen vrasjet e gazetarëve në Rusi

Herman Krause22 Mars 2008

Në Rusi brenda dy ditëve janë vrarë dy gazetarë nga Dagestani. Një reporter u gjend i vrarë në apartementin e tij në Moskë, ndërsa shefi i radiotelevizionit në kryeqytetin e provicës Dagestan u vra në rrugë.

https://p.dw.com/p/DSnA
KremliniFotografi: Maksim Nelioubin

Lajmi i dytë shokues erdhi të premten në mbrëmje nga kryeqyteti i Dagestanit, Machatshkala, kur u vra drejtori i radiotelevizionit Gaxhi Abashilov. Vrasja u krye në rrugë. Abashilov ishte në makinën e tij në rrugën e kthimit nga puna për në shtëpi, kur të panjohur hapën zjarr nga një makinë tjetër. Ai vdiq në vend nga plumbat e shumtë.

Brenda dy ditësh u vranë dy gazetarë nga Dagestani në Rusi. Të premten në mëngjes u gjend i vrarë në apartamentin e tij reporteri 32 vjeçari, Ilias Shurpajev. Trupi i të vrarit kishte një numër të madh goditjesh me thikë. Autorët e krimit ishin përpjekur t'i vinin zjarrin banesës me qëllim të fshirjes së gjurmëve.

Shurpajev kishte shkruar më parë se ai gjendej në listën e zezë. Gazeta e tij kishte refuzuar botimin e një nga editorialëve të tij. Autoritetet po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes vrasjes së dy gazetarëve dagestanezë.

Dagestani, vend fqinjë me Çeçeninë konsiderohet një rajon me trazira. Rregullisht ndodhin akte dhune në republikën, pjesë e Rusisë. Por shumica e këtyre akteve drejtohen kundër policëve apo autoritetit shtetëror. Deri të premten gazetarët nuk futeshin tek kategoritë e rrezikuara.

Drejtori i TV në Mahatshkala si edhe reporteri i gjendur i vrarë në banesën e tij kishin rënë në sy me raportimin e tyre kritik. Megjithatë për arsyet e vrasjes vetëm mund të spekulohet.

Duket se Shurpajev i ka njohur vrasësit e tij. Ka raportime se janë parë dy vetë që kanë hyrë në banesën e tij, dhe Shurpajevi madje i ka lënë të hyjnë. Në të dyja rastet e vrasjeve, autorët kanë qenë tepër brutalë.

Në Rusi ka vite që kryhen akte dhune ndaj gazetarëve jo edhe aq komodë në raportimet e tyre. Disa vetë e kanë paguar qëndrimin kritik me jetën e tyre, si në vitin 2006 kur gazetarja e njohur ruse dhe kritikuesja e Kremlinit, Ana Politkovskaja u vra. Vrasësit nuk janë gjendur ende.