1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligj lustracioni në Rumani

6 Mars 2012

Në Rumani ish-funksionarët e regjimit të Çausheskut do të përjashtohen nga postet publike. Po në fakt kemi të bëjmë me luftë të brendshme për pushtet, jo rivlerësim të së kaluarës.

https://p.dw.com/p/14FX3
Kryeministrit të Rumanisë,Mihai-Razvan Ungureanu për pak iu desh të japë dorëheqjen
Kryeministrit të Rumanisë,Mihai-Razvan Ungureanu për pak iu desh të japë dorëheqjenFotografi: Reuters

Në listën e personave, për të cilët vlen ligji ishin edhe ish-drejtues të organizatës komuniste të rinisë, UTC. Pas votimit, përfaqësuesit e shumicës qeveritare në parlament konstatuan të tronditur se kryeministri i Rumanisë, i ardhur në këtë post më pak se tri javë më parë, Mihai Razvan Ungureanu kishte qenë si nxënës dhe student, prej vitit 1985-1989 kandidat i Komitetit Qendror të UTC. Kështu që tani ai duhet të jepte dorëheqjen. Me shpejtësi votimi u përsërit, dhe deputetët e hoqën kategorinë UTC nga ligji. Ish-funksionari komunist tani mund të qendrojë kryeministër.

Pazare për një ligj

Po ky nuk mbeti shembulli i vetëm për pazarin e padenjë të të ashtuquajturit ligj lustracioni. Projekti i mëparshëm parashikonte që ish-funksionarët dhe oficerët e sigurimit të mos emërohen as në poste publike, as në poste politike. Përcaktimin e fundit e fshinë. Rezultati: funksionarë të lartë të PK dhe ish-oficerë të Securatit tani nuk mund të bëhen drejtues departamentesh, por mund të jenë deputetë dhe të kandidojnë për presidentë të vendit.

Për këto ndodhi, por edhe për shkak të vonesës 22 vjeçare, komentatorët reaguan pas votimit sa të hutuar, aq edhe të tmerruar. Gazeta "Adevarul" shkroi: "Pas rrëzimit të Çausheskut, ish-aktivistë partiakë dhe oficerë të Securitatit e morën pushtetin në duart e tyre dhe e shndërruan Rumaninë. Pas 22 vjetësh këtë nuk mund ta ndryshosh më."

Rivlerësim i zvarritur i së kaluarës

Kërkesa për lustracionin ishte para dy dekadash një kërkesë vendimtare themeluese e shoqërisë së sotme civile në Rumani. Në pikën 8 të "Deklaratës së Timishoarës", një nga manifestet më të rëndësishme të Rumanisë postkomuniste kërkohej përjashtimi për tri legjislatura nga postet politike të ish-funksionarëve partiakë dhe të Securitates.

Por kjo nuk pati dobi. As pushtetmbajtësit nën Ion Ilieskun, as pushtetmbajtës të tjerë demokratikë nuk ishin të interesuar për një lustracion. Vetëm më 2005 në parlament u paraqit një projektligj i tillë. U deshën pesë vjet, derisa ligji u miratua në maj 2010. Por menjëherë Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm këtë ligj.

Kjo temë nuk pritet të luajë rol qendror në zgjedhjet parlamentare në nëntor, por ajo nuk është pa rëndësi. Presidenti i shtetit Traian Basescu dhe partia e tij liberaldemokrate mund të paraqiten si luftëtarë kundër klikave të vjetra komuniste. Sondazhet vazhdojnë të tregojnë se sa gjurmë të thella kanë lënë te ndërgjegja e njerëzve veçanërisht vitet e fundit të diktaturës së Çausheskut dhe rrëzimi i tiranit. Dy të tretat e të anketuarve u ankuan për mossqarimin e plotë të ngjarjeve rreth rrëzimit të Çausheskut dhe se nuk janë ndëshkuar ende fajtorët për më shumë se një mijë të vrarët e dhjetorit 1989.

Autor: Keno Verseck/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica