1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Roadmap“e Abdullah Öcalanit shtyhet për më vonë

22 Gusht 2009

Duket qartë se prezantimi i të ashtuquajturit „Roadmap“ e Öcalanit, e planifikuar për ditën e shtunë është shtyrë. Sipas të dhënave të avokatit të tij, deklarata e ish kryetarit të burgosur të PKK nuk ka përfunduar ende

https://p.dw.com/p/JGNV
Abdullah Öcalan - foto nga viti 1999
Abdullah Öcalan - foto nga viti 1999Fotografi: AP

Paketa me propozime, nga të cilat nuk ka depërtuar asnjë në publik do të përmbajë sipas thashethemeve zgjidhjen për të ashtuquajturën çështje e kurdëve në Turqi. Publikimi i do të bëhet në qytetin Eruh, në provincën Siirt, ku organizata ilegale ushtroi 25 vjet më parë, më 15 gusht 1984 sulmin e saj të parë. Iniciativa e Öcalanit, që pritej të bëhej e njohur të shtunën dhe tashmë e shtyrë, motivoi qeverinë turke që të ndërmerrte nga ana e saj hapa afrimi. Sepse shanset për të arritur një zgjidhje të çështjes së kurdëve duket se janë mes popullsisë më të favorshme se kurrë më parë. "Në të kaluarën ka patur rezultate të hidhura. Por tani ka ardhur koha, që këto rezultate dhe vuajtje t`i lihen të kaluarës," thotë një burrë.

Flamuri kurd
Flamuri kurdFotografi: AP

Qeveria: Vendbanimeve në Anatolinë juglindore tu jepen emrat e tyre kurdë

Pas hapjes në fillim të vitit të kanalit të parë televiziv në gjuhën kurde „TRT 6“, qeveria e Erdoganit ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa të tjerë. Krah nxitjes së rebelëve të PKK për t`i dhënë fund luftës së armatosur, mendohet ndër të tjera që qyteteve dhe fshatrave të Anatolisë juglindore tu jepen emrat e tyre kurdë. Përveç kësaj, kryeministri turk u takua javën e kaluar me të gjitha fraksionet e përfaqësuara në parlament, për të mësuar mbi qëndrimin e tyre në çështjen kurde. Vëmendje të veçantë ka tërhequr takimi me Partinë Kurde, DTP. Ajo përfaqësohet në Ankara me 21 përfaqësues dhe shihet prej turqve nacionalistë si megafon i PKK, e cila është futur nga SHBA, Turqia dhe Bashkimi Evropian në listën e organizatave terroriste. Megjithatë Erdogan tha se për të organizatat nuk janë të dyja në të njëjtën linjë. Dhe Sirri Sakik nga DTP u përgjegj: "Ne mund ta zgjidhim këtë çështje nëse të gjithë jemi të gatshëm të lëmë paragjykimet. Nëse jepen më shumë liri, atëherë unë jam i sigurt se çështja e kurdëve do të zgjidhet. Analizat e qeverisë dhe afrimet e saj janë të drejta. Nëse edhe në procesin e mëtejshëm ndodhin zhvillime pozitive, atëherë jam i sigurt se në fund do të përfitojmë të gjithë."

Milicë kurdë stërviten në veri të Irakut
Milicë kurdë stërviten në veri të IrakutFotografi: AP

Vazhdon të mbetet e paqartë se kush do ta prezantojë dokumentin e Öcalanit

Edhe nëse tani, sipas të dhënave të avokatit të Öcalanit, do të zgjasë disa ditë deri sa publiku të mësojë se çfarë përmban „Roadmap“, vazhdon të mbetet e paqartë kush do ta prezantojë dokumentin e të burgosurit më me emër të burgjeve turke. Sipas një thashethemi këtë do e bënte një anëtar i DTP-së, por kjo është shumë e pamundur. Sepse kjo do të kishte nxitur sulmet e turqve nacionalistë kundër Partisë Kurde.

Gjatë luftimeve midis ushtrisë turke dhe kurdëve të armatosur kanë humbur jetën në çerekshekullin e fundit rreth 40 mijë vetë. Öcalan, qëllimi fillestar i të cilit ka qenë një shtet i pavarur kurd, u arrestua në vitin 1999 në Kenia. Dënimin fillimisht me vdekje dhe më pas i kthyer në të përjetshëm, ai është duke e kryer në ishullin Imrali në detin Marmara.

Autor: Ulrich Pick / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti