1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roli i televizionit në vendet lindore në 20 vitet e fundit

28 Nëntor 2009

Pas dekadash cenzure, në rradhë të parë televizioni, luajti një rol të veçantë në periudhën e transformimeve paqësore në Evropën Lindore. Përmes mediave të huaja njerëzit mësuan, ato që ua privonte cenzura.

https://p.dw.com/p/Kjw7
Fotografi: AP Graphics/DW

Vetëm një ditë pas rënies së murit të Berlinit, të cilin bullgarët papritur e ndoqën live në televizionin e tyre, dha dorëheqjen udhëheqësi komunist Todor Zhivkov, i cili kishte drejtuar vendin me dorë të hekurt për më shumë se tri dekada. Gazetari i radios Veliçko Konakçiev ishte i pari, që shpalli rrëzimin e diktatorit në programin e parë radiofonik shtetëror „Horizont“ dhe kujtohet 20 vjet më vonë: „Më 10 nëntor pati një pritje të rëndë dhe të tensionuar. Gazetarët si unë, të cilët nuk kishin kontakte të afërta me udhëheqjen e lartë të partisë, nuk e dinin se çfarë pritej dhe as që u shkonte dot mendja, se mund të hiqej Zhivkovi. Si është jeta: Më qëlloi mua që të isha bullgari i parë që jepte lajmin për rrëzimin e Zhivkovit, të lexoja fjalimet e falenderimit dhe të shpallja vënien në post të Peter Mlladenovit. Dy orë më vonë u shfaq në televizion. Kështu nisi, dhe u deshën edhe muaj të tjerë për të pushtuar gjithnjë e më shumë territore për gazetarinë e lirë, që edhe tani, nuk është fort e lirë, por për arsye krejt të tjera."

Peter Mladenow 1989 Bulgarien
Peter MladenovFotografi: AP

10 nëntori dita e fjalës së lirë

Që prej asaj dite 10. nëntori në Bullgari është shpallur dita e fjalës së lirë. Televizioni në muajt e turbullt pas kthesës politike ka luajtur një rol kyç. Demonstrata, Protesta dhe tryeza e rrumbullakët u transmetuan direkt, aktivisët politikët të gjitha ngjyrave sulmuan ndërtesën e televizionit për të realizuar kërkesat e tyre. Për shumicën e bullgarëve i gjithë transformimi shoqëror përceptohej kryesisht përmes televizionit. Një vit më parë në Poloni kishte qenë prezantimi legjendar televiziv i udhëheqësit të sindikatës së pavarur Solidarnost, Leh Valensa. Atëherë komunistët patën lejuar një debat live televiziv ndërmjet tij dhe drejtuesit të sindikatave zyrtare të afërta me regjimin Miodovic, sepse besonin, se Valensa ishte një proletar i paarsimuar, i cili nuk do të humbiste ndaj funksionarit elokuent. Ata u gabuan dhe Valensa bindi publikum me karizmën dhe instinktin politik.

Rrëzimi i komunizmit në Poloni dhe Rumani

Debatin e kishte ndjekur çdo i dytë polak dhe Solidarnost arriti një fitore dërmuese ndaj aparatçikëve të partisë. Vetëm disa muaj më vonë aktorja Joanna Sçeçepkovska shpalli fundin e komunizmit në televizionin polak - për çudinë e madhe të regjimit. Sepse në fakt ajo ishte ftuar për një intervistë, por shfrytëzoi daljen në televizion për të bërë një deklaratë, që u fliste nga zemra të gjithë polakëve.

Lech Walesa, Solidarnosc 1980
Leh Valensa - 1980.Fotografi: dpa

„Zonja dhe zotërinj, me 4 qershor komunizmi ka marrë fund në Poloni", deklaroi ajo.

Data kishte të bënte me raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të vitit 1989, në të cilat Solidarnost arriti një fitore sensacionale. Në Rumani nga ana tjetër televizioni u instrumentalizua nga elitat e reja. Rrëzimi i pushtetit i kryer pjesërisht me dhunë konsiderohet deri sot „Tele-Revolution“ i inskenuar. Deri në rrezimin e diktatorit Ceausescu me 22. dhjetor 1989 rumunët i kishin ndjekur mediet e shteteve fqinje. Pas marrjes së radios dhe të televizionit rumun mediet e vendit ofronin „Revolucion live“ pandërprerë. Ndertesa e televizionit u bë shtabi i ushtrisë, e cila doli në anën e popullit, pamje të gëzimit dhe pamje të tmerrit u treguan. Poetët iu drejtuan dëgjuesve si tribunë të vegjëlisë, si për shembull, disidenti dhe poeti Mircea Dinescu.

Flash-Galerie Revolution in Osteuropa 1989 Bild 29 Rumänien Ceausescu hingerichtet
Ceausescu i vrarëFotografi: picture alliance / dpa

„Në këtë moment Zoti e ka kthyer fytyrën e tij nga Rumania… ushtarakët në Bukuresht janë me ne… diktatori ka marrë arratinë…populli është me ne. Ne kemi triumfuar!“, thoshte ai.

Instrumentalizimi i televizionit

Edhe pas ekzekutimit të Ceausescut televizioni u bë instrumenti më i fuqishëm nën Ion Iliescun në luftën për të fituar njerëzit. Pamjet e diktatorit dhe gruas së tij të ekzekutuar u përhapën në botë, dezinformacione të qëllimshme u përhapën, shifrat për viktimat e rrëzimit u ngritën artificialisht. Kufinjtë ndërmjet së vërtetës dhe fiskionit u shkrinë.

Sidoqoftë transmetimet televizive shpejtuan edhe më shumë ngjarjet marramendëse gjatë kohës së kthesës politike. Në shumë vende aktorët politikë ishin nën presion për të vepruar apo ishin demaskuar si aparatçikë të drunjtë, sepse e kishin humbur kontrollin mbi informacionet. Në të njëjtën kohë pamjet e revolucionit paqësor i dhanë krah në të gjithë Evropën Lindore kundërshtarëve të regjimit, të cilët me kurajën e tyre civile kishin fituar përsëri lirinë.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Bahri Cani