1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Administrata në Shqipëri në ankth

Arben Muka18 Korrik 2013

Tradita e dy dekadave të tranzicionit në Shqipëri flet për trajtim thellësisht politik të administratës në të gjitha nivelet pas përfundimit të proceseve zgjedhore. Për aktivistët e shoqërisë civile kjo ka kosto.

https://p.dw.com/p/199yv
Fotografi: DW/Arben Muka

Në fillim të muajit shtator, sipas kushtetutës në Shqipëri, do të konstituohet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Duke ndjekur rendin që dikton legjislacioni brenda një kohe të shkurtër mazhoranca e majtë e kryesuar nga Edi Rama do të duhet të paraqesë para deputetëve programin dhe kabinetin e ri qeveritar. Fillimi i punës së ekzekutivit më shumë se sa shuarrje kurreshtjeje për opinionin publik, duket qartë se po përcillet me mjaft emocion nga pjesa e administratës në institucionet qeveritare, në agjenci dhe struktura që mbulohen nga buxheti i shtetit, në të gjitha nivelet.

Dilema deri dhe makthi i ruajtjes apo jo së vendit të punës, pasiguria për vijueshmërinë në detyrë - tani me ndërrimin e pushtetit politik - janë ndjesi të natyrshme për një nëpunës në administratën publike, sepse si shkak kryesor është precedenti në dy dekadat e fundit, 'konsoliduar" si një traditë në Shqipëri, I njëjti refren për fituesit e zgjedhjeve: rotacioni politik është shoqëruar me zëvendësime masiv në postet e administratës. Dukshëm militantë të forcave politike që lëshojnë pushtetin zevendësohen nga militantë të forcave politike që vijnë në pushtet. Ata që i shpëtojnë "reformave të thella" në administratë janë të paktë. Logjika është "ju na hoqët nga puna kur morrët pushtetin, ndaj tani kjo e drejtë na takon ne."

Banka Botërore: "Mbani personelin e kualifikuar"

Këtë praktikë shqiptare me stafet e administratës publike duket se ka pasur parasysh në një prononcim të ditëve të fundit, Kseniya Lvovsky, përfaqësuese e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë. Sipas Lvovsky-it, për kredibilitetin e institucioneve publike ka rëndësi prezenca e një administratë profesionale dhe të depolitizuar.

Albanien Menschenrechte Kozara Kati
Kozara Kati, Drejtore e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e NjeriutFotografi: DW/ Arben Muka

"Shqipëria ka qënë me fat gjatë viteve të fundit, duke tërhequr profesionistë shumë të trajnuar, shumë prej të cilëve janë diplomuar në universitetet më të mira ndërkombëtare dhe do të jetë shumë e rëndësishme mbajtja e personelit të kualifikuar dhe që ka punuar mirë për shqiptarët. Unë e konsideroj këtë një provë të vertetë për angazhimin e qeverisë për integrimin në BE dhe i uroj asaj ta kalojë me nder këtë provë".

Kozara Kati, drejtore e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, mendon se pikërisht mënyra se si sillet politika me administratën është një nga treguesit domethënës se demokracia në Shqipëri ka probleme serioze. Administrata publike nuk, shikohet si një shërbëtor për publikun, për të përmbushur objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe realizmit të reformave të domosdoshme, por si shërbëtore e drejtëpërdrejtë politikës që është në pushtet, thotë Kati për DW

.

Politizimi dhe përdorimi i administratës degjeneron shërbimin publik

"Është shkelje e hapur e lirive dhe të drejtave të njeriut. Punonjësit të administratës nuk i shihen aftësite profesionale, nuk i gjykohen meritat dhe kontributet në detyrë, por i mbivlerësohet militantizmi dhe besnikëria ndaj forcës politike. Kjo është vrastare për ndërtimin e një administrate me standarde. Ndryshimet e njëpasnjëshme të punonjësve në admininistratë, politizimi dhe përdorimi i saj, kanë degjeneruar shërbimin publik ndaj qytetarit, kanë vënë në majë të piramidës së institucioneve të paaftët dhe servilët, që komandohen jo nga ndërgjegja profesionale, por nga 'njëshi' partiak. Këtu ka burimin korrupsioni, rrushfeti, shpërdorimi me fondet publike, këtu ka burimin telekomandimi i vendimeve nga selitë partikae në kundërshtim me interesin publik."

Ilir Aliaj, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve shikon një sërë arsyesh se përse në Shqipëri ka një pastabiltet në administratën publike. Ajo që është më e thjeshtë për t'u kapur është mosrespektimi i ligjit për punonjesit civil- thotë Aliaj për DW.

Ilir Alia
Ilir Alia, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e InstitucioneveFotografi: DW

Detyrim ndaj premtimeve në fushatat elektorale

"Kemi qindra vendime gjykatash qe nuk zbatohen. Tjetër shkak është se të gjitha partitë gjatë fushatave elektorale bëjnë premtime të shumta si ndaj militantëve të tyre, por edhe ndaj publikut të gjerë. Këtej lind detyrimi që në momentin kur marrin pushtetin, të ndyshojnë administratat. Vetëm pak ditë me parë lideri i mazhorancës së re bëri thirrje që qytetarët që dëshirojnë të jenë pjesë e administratës të dërgojnë CV-të e tyre në Partinë Socialiste, duke hedhur, për mendimin tim, shumë pikëpyetje për qeverinë e re që ai do të drejtojë. Ka ndodhur për fat të keq në vitet e fundit që edhe kur ka ndryshime brenda një mazhorance të caktuar sërish ka lëvizje në administratë. Deri këtu arrin puna".

Kozara Kati nga Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut thotë se nga gabimet trashanike që bëhen me lëvizjet joprofesionale e klienteliste në administratë janë shkaktuar kosto të mëdha për buxhetin e shtetit.

"Sepse për një post pune paguhen dy vetë. Paguhet ai që largohet pa të drejtë, por që fiton gjyqin ndaj institucionit. Gjithashtu paguhet dhe ai që ka zënë postin në mënyrë të pamerituar. Kjo duhet të marrë fund, sepse papërgjegjshmërinë e politikës dhe e segmenteve të saj regresive e paguajnë në fund të fundit taksapaguesit shqiptarë. Mos të lemë pa përmendur dhe fondet që harxhojnë ndërkombëtarët për të trajnuar ose kualifikuar administratën publike, por që shumë shpejt nga zëvendësimet klienteliste këto fonde hidhen në erë"

Për Ilr Alinë ka vetëm një rrugë që vendos standarde si në vendet e zhvilluara: "Zbatimi i plote i vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil dhe gjykatave".