1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku i terrorizmit mbetet

9 Shtator 2011

Pas arrestimit të dy të dyshuarve për terrorizëm në Berlin vazhdojnë hetimet. Kancelarja Angela Merkel llogarit me një luftë të gjatë kundër terrorizmit ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/12WQo
Policia para ndërtesës së parlamentit në Berlin
Policia para ndërtesës së parlamentit në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Zëdhënës të prokurorisë dhe të policisë në Berlin thanë të premten (09.09.2011) se akuzat kundër dy të dyshuarve për terrorizëm, të arrestuar të enjten po shqyrtohen. Deri të premten pas mesnate një gjykatës hetues duhet të vendosë, nëse dy burrat do të arrestohen, apo do të lirohen. Gazeta "Berliner Morgenpost" njoftoi se të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje kanë refuzuar të bëjnë çdo lloj deklarate.

Të arrestuarit, një 28-vjeçar nga Rripi i Gazës dhe një 24-vjeçar gjerman me origjinë libaneze, sipas informacioneve të agjencisë gjermane të shtypit i përkasin salafizmit, një rrymë radikale fundamentaliste në fenë islame. Ato akuzohen për përgatitjen e një akti të rëndë dhune, që rrezikon shtetin. Kjo sipas paragrafit 89 a, të vendosur pas vitit 2009 në kodin penal, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet. Prokurori federal në Karlsruhe, i cili kryen hetime për vepra të rënda penale, që rrezikojnë shtetin, nuk e sheh veten deri tani të autorizuar për këtë çështje.

Senatori i Berlinit, Ehrhart Körting
Senatori i Berlinit, Ehrhart KörtingFotografi: picture alliance / ZB

Sipas autoriteteve të hetuesisë të dy burrat kanë porositur tek tregtarët sasi të mëdha kimikatesh, që mund të përdoren për të ndërtuar bomba. Sipas hetuesve ata kanë dashur ndoshta të prodhojnë një mjet shpërthyes prej qeseve ftohëse dhe një acidi. Se çfarë kishin planifikuar saktësisht, apo se kundër kujt duhej të kryhej sulmi, nuk dihet ende.

Senatori i Brendshëm i Berlinit Ehrhart Korting, PSD, tha se planet e sulmit ishin në fazën fillestare. Por ndërhyrjen e hershme të policisë ai e konsideron të arsyeshme. "Më mirë të ndërhyhet tani dhe të parandalohet, që të krijohet dëm serioz", tha Körting në Deutschlandradio.

Jo rrezik ekstrem për Gjermaninë


Një lidhje në mes të aktiviteteve të të dyshuarve me vizitën e ardhshme në Gjermani të Papa Benediktit XVI. apo me dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, sipas pikëpamjeve të hetuesve deri tani nuk ka. Ndryshe nga SHBA në Gjermani pak para përvjetorit nuk ka informacione të reja për terrorizëm. Një zëdhënëse e ministrit të Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, (CSU) tha se nuk janë të njohura plane konkrete sulmesh. Niveli i kërcënimit mbetet i pandryshuar.

Kancelarja Angela Merkel tha në një intervistë me rastin e 11 shtatorit se bashkësia ndërkombëtare ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në luftën kundër terrorizmit. Në stacionin televiziv RTL kryetarja e qeverisë gjermane tha: "Ne kemi një rrezik latent terrorizmi. Ky është kërcënim i ri i madh tani dhe bashkësisë ndërkombëtare do t'i duhet të bëjë ende shumë punë së bashku, për të mësuar, se se përballet ky kërcënim."

Merkel mbron misionin në Afganistan

Ushtarë të Bundesverit në Kundus, Afganistan
Ushtarë të Bundesverit në Kundus, AfganistanFotografi: picture alliance/dpa

Pjesëmarrjen në misionin në Afganistan, të vendosur në kohën e koalicionit socialdemokrat dhe të gjelbër si përgjigje të sulmeve, Merkel e quajti logjike: "Ne kishim një ndjenjë se duhej marrë përsipër përgjegjësi. Ishte gjithashtu e qartë që sulmet ishin të mundura të përgatiteshin në një shtet, që nuk ishte një shtet i vërtetë, në Afganistan. Dhe kështu do të ishte fatale, po të kishin qëndruar jashtë, edhe nëse rasti i mbrojtjes për herë të parë thërriste në një zonë jashtë aleancës, për mbrojtjen e një zone jashtë aleancës." Në Afganistan bëhet fjalë edhe për sigurinë e Gjermanisë, theksoi kancelarja.

Autor: DW/A Verbica

Redaktoi: M Kelmendi