1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet dhuna kundër të huajve në Greqi

16 Maj 2011

Javën e kaluar gangsterë ekstremistë të djathtë sulmuan në Athinë emigrantë me ngjyrë të errët lëkure.Të martën, në përleshje u plagosën më shumë se 20 vetë, një burrë nga Sri Lanka u vra me thikë nga të panjohur.

https://p.dw.com/p/11Gtt
Grevë e përgjithshme në GreqiFotografi: picture-alliance/dpa

Shkas për përleshjet kundër të huajve u bë një atentat në rrugë të hapur: një baba i ri u godit me thikë dhe u rrëzua në tokë, në momentin kur donte të hipte në automjet për ta dërguar në maternitet gruan e tij shtatzënë. Dorasve u kishte interesuar videokamera e tij.

Disa qindra nacionalistë ua hodhën fajin për këtë të huajve kriminelë. Ata ndërmorrën akte hakmarrjeje kundër emigrantëve, të cilët nuk kishin të bënin fare me vrasjen dhe shkatërruan shumë dyqane migrantësh. Gangsterët donin me sa duket të parqiteshin si shpëtimtarë në kohë hallesh, në lagjet e varfra të Athinës, ku jeta e përditshme ndërkohë është e mbizotëruar nga papunësia dhe kriminaliteti.

Shkallëzime të dhunës, 12 maj 2011
Shkallëzime të dhunës, 12 maj 2011Fotografi: AP

Për avokatin grek, Kostas Papadakis, i cili angazhohet për të drejtat e migrantëve, në rastin e dorasve bëhet fjalë për banda radikale të djathta të rinjsh, të organizuara me rigorozitet. Ato u rekrutuan nga të gjitha pjesët e qytetit të Athinës, për t'i pastruar etnikisht lagjet problematike të Athinës. Që kur shpërtheu kriza e borxheve, gjendja ka dalë gjithnjë e më tepër jashtë kontrollit, deklaron Papadakis, sepse kriza bën që të shpërthejë varfëria dhe varfëria siç dihet është nëna e krimeve.

Veç kësaj ai mendon se ka probleme te forcat greke të sigurisë. Mbi 80.000 policë të armatosur patrullojnë nëpër rrugët e Athinës, për t'u dhënë banorëve ndjenjën e sigurisë, por shpesh ata janë joefektivë ose të painteresuar, ankohet avokati i ri.

Kryetari i komunitetit pakistanez në Athinë, Javed Aslam madje ka dyshimin se dorasit e djathtë mbulohen nga policia. Ai vetë i ka shoqëruar bashkëatdhetarët e tij pas sulmeve ksenofobe në stacionet e policisë, për t'ua lehtësuar punën me formalitetet. Por autoritetet i patën thënë gjithmonë se nuk mund të nisin asnjë veprim, për aq kohë sa nuk ka dyshime kundër personave konkretë.

Grevë e përgjithshme në Greqi
Grevë e përgjithshme në GreqiFotografi: AP

Që kur Greqia u kthye në portën kryesore të hyrjes të emigrantëve ilegalë në hapësirën e Shengenit, edhe politika ndaj të huajve është kthyer në mollë sherri midis partive politike në Athinë. Para së gjithash partia populiste e djathtë "Lëvizja popullore ortodokse" e ish-gazetarit dhe gjimnastit Jorgos Karaxhaferris përpiqet të fitojë pikë politike në një situatë të tillë.

Shteti as nuk e di më sa emigrantë ilegalë ndodhen në vend, mund të jenë një ose dy milionë vetë, bubullon deputeti dhe zëdhënësi i populistëve të djathtë, Kostas Aivaliotis. Gjithsesi, Greqia e kërcënuar nga falimentimi ka nevojë çdo vit për 450 milionë euro, për trajtimin mjekësor të emigrantëve ilegalë.

Toni bëhet gjithnjë e më i ashpër. Si protestë kundër akteve kundër të huajve, ditët e ardhshme janë planifikuar greva.

Autor: Janis Papadimitriu/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama