1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa perspektivë ne Çeki

Martin Nejezchleba / Dardanije Pajaziti16 Korrik 2013

Për një kohë të gjatë çekët mendonin: papunësia e të rinjëve nuk ka të bëj asgjë me Çekinë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Organizata Ndërkombëtare e Punës paralajmëron trazira sociale.

https://p.dw.com/p/198Iv
Fotografi: DW/M. Nejezchleba

Pavel Beer është përpjekur shumë. 23-vjeçari ka mbaruar shkollën e mesme ekonomike me orientim në drejtimin e komunikacionit hekurudhor. Por, hekurudhat nuk kishin punë për të. Çeku i dobët me flokët e prera shkurt vazhdoi shkollimin për t'u aftësuar si saldues. Fillimisht e gjeti një punë. Por ajo nuk zgjati më shumë se një muaj. Punëdhënësi i tij falimentoi. Ka dy vite që Beer kërkon punë, por pa sukses. “Të refuzohesh vazhdimisht është dëshpëruese”, thotë ai duke varur supet.

Në foto, Pavel Beer
Në foto, Pavel BeerFotografi: DW/M. Nejezchleba

Për një kohë të gjatë në Çeki shpresohej se vendi do të kursehej nga papunësia e të rinjve - siç e quan ndryshe presidenti i Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy “ndoshta problemi më emergjent në BE”. Me një nivel të papunësisë gati rreth 20 për qind vendi ndodhet nën mesatarën e BE-së por që nga fillimi i krizës ekonomike numri i të rinjve çek të papapunë është dyfishuar. Ndërkohë edhe në ministrinë e Punës në Pragë po flitet për një “situatë emergjente”. Në raportin e fundit Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO- e rendit Çekinë në mesin e vendeve që kërcënohen nga trazirat sociale - edhe për shkak të numrit në rritje të të rinjve me një të ardhme pa perspektivë.

Absolvent pa të ardhme

Me transformimet postsocialiste ka ndryshuar edhe tregu i punës në Çeki. “Për një kohë të gjatë absolventët e rinjë ishin në gjendje shumë të mirë”, thotë Filip Pertold expert i tregut të punës në Institutin mbi hulumtimet ekonomike “IDEA”. Ata i priste puna në fusha të ndryshme si ajo e teknologjisë informative apo si këshilltar ligjor. Ka afro pesë vite qëkur ikën këto kohë.

Në foto, Filip Pertold
Në foto, Filip PertoldFotografi: DW/M. Nejezchleba

Së bashku me recesionin erdhi edhe ndërpreja e hapjes së vendeve të reja të punës. Kjo goditi më së shumti ata që sapo donin të fillonin jetën profesionale.“Por, kjo nuk do të thotë se ndërmarrjet patjetër janë në krizë. Mjafton që ato të ndihen të pasigurta kur bëhet fjalë për të ardhmen”, shprehet Pertold. Politika e kursimeve të rrepta e koalicionit të qendrës së djathtë deri vonë në pushtet shkaktoi pasiguri në vend.

Mbështetje nga Bashkimi Evropian

Para përmbysjes së qeverisë ishte arritur që të ndërmirren disa masa kundër humbjes së vendeve të punës. Ato gjetën edhe mbështetjen financiare përmes fondeve të BE-së si pjesë përkatëse e linjës buxhetore që kanë miratuar para pak kohësh në Berlin ministrat e Punës së vendeve të BE-së. Atje është vendosur që: për ndërmarrjet të cilat krijojnë një vend të ri të punës për të rinjtë do të ketë subvencione deri në 900 euro në muaj. Aktualisht po punohet në një projekt pilot, i cili promovon partneritetin në mes shkollave të larta dhe ndërmarrjeve. Projekti ka për qëllim t'i shkolloj të rinjët në aspektin teorik dhe praktik.

Thirrjet për reformimin e shkollave profesionalë dhe të mesme deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër. Shkollimi vazhdon shpesh pa pjesën praktike dhe nxjerr specialistë për fushat ku nuk mund të gjindet punë, të rinjë si Pavel Beer, ekspert i komunikacionit hekurudhor dhe saldues.

Pamje nga Zhateci
Pamje nga ZhateciFotografi: DW/M. Nejezchleba

Shumë fjalë e pak punë

Në strukturat e dobëta të Bohemisë Veriore, aty ku jeton edhe Beer, gjendja është veçanërisht problematike. Ai dëshiron që me ndihmën e projektit "Krok Ke Kariéře" (Hapi drejt Karrierës) të motivohet dhe të gjej një punë të re. “ Tregu i punës këtu, vërtet është i kufizuar”, thotë menaxherja e projektit, Irena Blahoutova. “Absolventët përfundojnë shkollimin duke mos realizuar asnjëherë punën praktike. Por ndërmarrjet kërkojnë përvojë praktike dhe atë nuk e ka asnjëri prej tyre."

Përreth qytezës Zhatec ka fusha të pafundme kalërimi, por puna është e pakët këtu. Me ekipin e saj Blahoutová përpiqet të përgatisë të rinjtë të luftojnë për ato pak vende të punës: në praktikë të papunët marrin përvojën e parë, ndërsa në workshope mësojnë se si të jenë bindës në intervistat e pranimit në punë.

Sot ata mësojnë anglisht. Toni i mësueses është dinamik, niveli i mësimit i ulët. Kjo është e nevojshme, shpjegon Blahoutová, sepse shumica e tyre nuk kanë njohuri paraprake. Veçanërisht vështirësi kanë në praktikë. Në fillim njohuritë bazë, më pas komunikimi në gjuhën profesionale, shpjegon mësuesja.

Në fund të trajnimit gjashtëmujor, në rastin më të mirë ata mund të gjejnë një vend pune të përhershëm. Sipas Blahoutova-s që nga fillimi i vitit tre të rinjë kanë gjetur nga një vend në tregun e lirë të punës ndërkohë që nga ministria e Punës po shqyrtohet mundësia për punësimin e dy të rinjëve në vendet e punës që mbështeten nga fondet e BE-së.