1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritja ekonomike: Çfarë bën aktualisht më mirë Franca

30 Tetor 2023

Në një kohë që Gjermania ndodhet në recesion, ekonomia franceze po rritet. Kjo për shkak se Franca ka bërë disa gjëra siç duhet vitet e fundit. Por ky sukses ka një anë të errët.

https://p.dw.com/p/4YC28
Macron viziton GE Steam Power, prodhues i turbinave të centraleve bërthamore. Macron flet ne nje podium me nje turbine pas vetes
Fotografi: POOL/AFP/Getty Images/JEAN-FRANCOIS BADIAS

Në të kaluarën, Franca shpesh fajësohej se ishte "e sëmura e Evropës", për shkak të mungesës së aftësisë për reforma ose periudhës së gjatë me papunësi të lartë. Megjithatë, ky përcaktim aktualisht nuk do të ishte i përshtatshëm: në një kohë që ekonomia e vendeve të Evropës veriore si Gjermanisë apo Suedisë po tkurret këtë vit, në Francë ajo po rritet: me gjithsesi 0.5% në tremujorin e dytë të 2023-it. Ekonomistët pohojnë se kjo ndodh ndër të tjera për shkak të strukturës së ekonomisë franceze dhe reformave strukturore të viteve të fundit. Megjithatë, fati i rritjes ka edhe anën negative.

"Kompanitë franceze kanë fituar miliarda euro këtë vit nga shitja e anijeve dhe avionëve turistikë. Kjo reflektohet në shifrat tona të rritjes," tha për DW Philippe Crevel, ekonomist dhe kreu i grupit të ekspertëve të Qendrës kërkimore të Parisit Cercle de l'Epargne. "Por mbi të gjitha, Franca ka një sektor të madh të shërbimeve publike, i cili ka pasur rezultate të mira, veçanërisht në fushën e turizmit.” Sipas tij, Franca e ka këtë të përbashkët me Spanjën, e cila po ashtu aktualisht po shënon rritje pozitive.

Veriu nuk pason

Por kjo nuk ndodh me vendet e Evropës Veriore si Gjermania, sipas ekonomistit. "Ekonomia gjermane bazohet në një sektor të fortë industrial, i cili tradicionalisht ka eksportuar shumë,” shpjegon ai. "Gjermania tani po vuan nga stanjacioni i tregtisë ndërkombëtare. Rritja e ekonomisë kineze është më pak e fortë, dhe SHBA dhe Evropa janë në një konflikt tregtar me Kinën, me të gjitha palët duke ngritur barriera tregtare. Çmimet e larta të energjisë janë gjithashtu një problem - sipërmarrjet industriale në fund të fundit kanë nevojë për shumë energji elektrike”.

Në të kaluarën, Gjermania mbështetej shumë në importet e gazit nga Rusia, të cilat tani nuk po rrjedhin më si më parë pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022. Franca, nga ana tjetër, përfiton nga energjia e saj bërthamore relativisht e lirë, e cila përbën rreth 70 për qind të prodhimit të saj të energjisë elektrike. Për më tepër, fakti që zhvillimet po ecin drejt braktisjes së motorëve me djegie dhe drejt automobilëve elektrike, për shkak të ndryshimeve klimatike, është një disavantazh për Gjermaninë. "Gjermania ka qenë tradicionalisht një prodhues i madh i automobilave, por bateritë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të vlerës së shtuar të makinave elektrike, deri tani kanë ardhur kryesisht nga Kina,” shpjegon Crevel.

Francezë të shpejtë dhe gjermanë të pavendosur?

Anne-Sophie Alsif, kryeekonomiste në firmën pariziane të kontabilitetit BDO, shton një tjetër ndryshim diametrik midis dy ekonomive: "Rritja e Francës nxitet kryesisht nga kërkesa e brendshme. Dhe megjithëse fuqia blerëse e konsumatorëve francezë është ulur disi për shkak të krizave të vitet e fundit, nuk është shembur”, tha Alsif për DW. Krahas luftës në Ukrainë, pati edhe krizë për shkak të pandemisë globale të koronës, e cila u ndje nga viti 2020 e në vazhdim.

Anne-Sophie Alsif
Fotografi: Lisa Louis/DW

Fakti që Franca i ka përballuar kaq mirë këto kohë të vështira ndodh kryesisht për shkak të reagimit të shpejtë të shtetit, thotë Christopher Dembik, këshilltar investimesh në degën e Parisit të menaxhuesit të aseteve zvicerane Pictet Asset Management. "Franca jo vetëm që shpërndau ndihma dhe kredi në shkallë të gjerë gjatë krizës së Covid-it, në mënyrë që familjet dhe kompanitë të ruanin fuqinë blerëse dhe kapacitetin e tyre investues”, tha ai për DW. "Franca ishte gjithashtu jashtëzakonisht e shpejtë për të mbrojtur ekonominë kundër rritjes së çmimeve të energjisë me subvencione financiare, një vit përpara se Gjermania të merrte masa. Kjo shënoi një ndryshim të madh, edhe nëse Gjermania shpenzoi pak më shumë në proporcion me produktin e saj të brendshëm bruto (GDP)".

Ky mosreagim i shpejtë kritikohet edhe nga Armin Steinbach, profesor gjerman i së drejtës dhe ekonomisë në Universitetin Parisian HEC dhe bashkëpunëtor i grupit të mendimit Bruegel në Bruksel. "Ne duhet të marrim një shembull nga sistemi presidencial i Francës nga lart-poshtë dhe t'i bëjmë kanalet tona vendimmarrëse më efektive në kohë krize”, tha ai në një intervistë për DW.

"Në një kohë që Gjermania ishte ende duke diskutuar përjetësisht sistemin e saj konsensual federal që përbëhet nga federata dhe Landet, Franca kishte kohë që i kishte zbatuar masat." Por, sipas tij, performanca brilante franceze ka edhe arsye më të thella.

"Presidenti Emmanuel Macron po korr frytet e reformave të guximshme ekonomike që ka nisur që nga mandati i tij i parë duke filluar në 2017. Ai ka ulur taksat e biznesit, ka liberalizuar tregun e punës, ka reformuar sigurimin e papunësisë dhe, së fundmi, ka shtyrë përpara reformën e dhimbshme të pensioneve. ”, thotë Steinbach. "Kjo reflektohet edhe në shkallën e papunësisë, e cila është vetëm shtatë për qind, më e ulëta në 20 vjet.”

Fqinjësi me probleme

Rezultatet e mira ekonomike të Francës veç kësaj shkaktojnë tronditje në marrëdhëniet franko-gjermane, të cilat gjithsesi janë tensionuar prej disa kohësh Të dyja vendet e konsiderojnë veten motorin e Bashkimit Evropian. "Gjermania ka qenë gjithmonë përpara ekonomikisht. Tani kjo mund të kthehet përfundimisht në të kundërtën, gjë që shkakton nervozizëm të madh në palën gjermane, edhe sepse Franca shfaqet krenare për të dhënat e saj të mira ekonomike", thotë Steinbach, i cili ka punuar për dhjetë vjet në qeverinë gjermane, edhe në Ministrinë e Financave.

Central berthamor francez Cattenom
Fotografi: Pierre Heckler/PHOTOPQR/LE REPUBLICAIN LORRAIN/picture alliance

Analiza e Catherine Mathieu, ekonomiste në Observatorin e Situatës Ekonomike OFCE në Sciences Po Paris, nuk i lehtëson shqetësimet e gjermanëve. "Po të krahasojmë shifrat e vitit 2019, para krizës së Koronës, me ato të vitit 2023, Franca nuk është studentja model, por Gjermania është veçanërisht e dobët”, shpjegon ajo në DW. Mesatarisht, PBB-ja e eurozonës është rritur me 3.1% që nga fundi i vitit 2019 dhe ajo e Francës me 1.7%, por ekonomia gjermane praktikisht ka qenë në stanjacion, me një normë rritjeje minimale prej 0.2 për qind”.

Të gjithë këta elementë, për këtë ekonomistët janë dakord, nuk e vënë në pikëpyetje rrënjësisht strukturën ekonomike të Gjermanisë, të fokusuar në industri. "Në fund të fundit, Franca tani po fokusohet gjithnjë e më shumë në riindustrializim”, shpjegon Alsif. "Dhe është një gjë e mirë që ka ekonomi strukturore të ndryshme në BE - kështu që jo të gjitha janë në recesion në të njëjtën kohë."

Tepër shumë borxhe?

Por historia e suksesit të Francës ka edhe një anë të errët: borxhin publik, i cili po kalon çdo kufi dhe që tani arrin në më shumë se 3000 miliardë euro, ose 112.5 për qind të PBB-së. Në vitin 2019, kjo përqindje ishte ende nën 100. Për më tepër, deficiti buxhetor francez është pesë për qind - shumë mbi kufirin tre për qind të vendosur nga Brukseli.

Ekonomistët vërtet besojnë se këto shifra nuk ka gjasa të çojnë në falimentimin e Francës në të ardhmen e afërt. Megjithatë, ato paraqesin problem, sipas Steinbach-ut. "Kur një vend duhet të kujdeset për një borxh të lartë, ka më pak para për shpenzime të tjera të rëndësishme”, thotë ekonomisti. "Kjo krijon presion për të kursyer në vend, gjë që mund të ketë një efekt destabilizues politik. Dhe dikur nuk mbeten më para për programet bujare subvencionuese të qeverisë."

Lisa Louis Frankreich Paris Kommentarbild
Lisa Louis korrespondente nga Parisi