1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koordinim i punës kundër ekstremizmit të djathtë

25 Janar 2012

Qeveria gjermane do të intensifikojë luftën kundër ekstremizmit të djathtë dhe për këtë planifikon të ngrejë një qendër informacioni dhe kompetence. Këshilli Qëndror i muslimanëve e përshëndet këtë ide.

https://p.dw.com/p/13poy
Fotografi: picture alliance / dpa

Ngritjen e qendrës së informacionit dhe kompetencës e paralajmëroi ministrja për Familjen Schrëder të martën (24 janar 2012) pas një takimi me ministrin e Brendshëm Friedrich, si dhe me përfaqësues të organizatave të tjera shoqërore në Berlin. Në këtë qendër synohet të bashkohet përvoja e grumbulluar (në të shkuarën dhe këtej e tutje) nga projektet kundër ekstremizmit të djathtë.

Friedrich: "Detyrë e vazhdueshme e gjithë shoqërisë."

Të bashkojmë kompetencat. Ministri i Brendshëm Friedrich dhe ministrja e Familjes Schröder
Të bashkojmë kompetencat. Ministri i Brendshëm Friedrich dhe ministrja e Familjes SchröderFotografi: dapd

Lufta kundër ekstremizmit të djathtë dhe neonazizmit nuk është vetëm çështje e politikës së sigurisë, tha ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, pas samitit në Berlin. Është fjala për një detyrë të vazhdueshme të gjithë shoqërisë, për të qenë të aftë për t'u mbrojtur ndaj atyre, "të cilët me ideologji të gabuara shpien para së gjithash të rinjtë në një udhë përbuzëse ndaj njeriut." Në nëntor ishte bërë e ditur që me sa duket një celulë terroriste ekstremiste e djathtë në harkun e shumë viteve kishte vrarë dhjetë vetë në Gjermani. Deri atëherë policia dhe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës niseshin nga një prapavijë kriminale dhe nuk i lidhnin ato me ndonjë grup të njohur ekstremistësh të djathtë. Qëkurse disa javë më parë u bë e njohur se kush i ka kryer me sa duket krimet, politika dhe shoqëria po diskutojnë për konsekuencat. Prej takimit me përfaqësues të bashkësive të besimit, të organizatave të rinisë, të sportit dhe të kulturës synohet të lëshohet një sinjal në gjithë vendin, tha ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, i cili i takon Partisë Kristiansociale. "Nuk duhet të ketë hapësirë në këtë vend, në këtë shoqëri për ekstremizmin e djathtë. Nuk lejohet që njerëzit të kenë frikë prej dhunës, prej ekstremistëve. Jemi një shoqëri dhe kemi detyrimin t'i mbrojmë përkatësisht qytetarët në shoqërinë tonë."

Anetta Kahane Kryetar e fondacionit, Amadeu Antonio
Anetta Kahane Kryetar e fondacionit, Amadeu Antonio StiftungFotografi: picture-alliance/ ZB

Kolegia e Friedrichut , ministrja e Familjes Kristina Schrëder, paralajmëroi se do të ngrejë një qendër kombëtare informacioni dhe kompetence. Në luftën kundër ekstremizmit të djathtë nuk ka deficite kompetence, tha kristiandemokratja. Ajo çka mungon, është transferimi i kompetencës, tha ajo: "Këtu është fjala që ta sigurojmë përvojën e madhe nga projektet kundër ekstremizmit të djathtë. Këto projekte mbështeten edhe me para nga ministria ime me 24 milionë euro. Dhe dy milionët shtesë, që kam në dispozicion për luftën kundër ekstremizmit të djathtë, do t'i përdor për këtë qendër kombëtare të informacionit dhe kompetencës."

Kritikë nga fondacioni 'Amadeu Antonio'

Aiman Mazyek, Kryetari i këshillit qëndror të muslimanëve
Aiman Mazyek, Kryetari i këshillit qëndror të muslimanëveFotografi: Privat

Kritikë të qartë ndaj planeve të qeverisë gjermane shprehu kryetarja i fondacionit 'Amadeu Antonio', Anetta Kahane. Fondacioni angazhohet prej 1998-s kundër ekstremizmit të djathtë. Sipas saj, paratë e parapara për qendrën e informacionit dhe kompetencës do t'u mungojnë në fund projekteve. Kompetencë ka mjaft, i tha Kahane Deutschen Welles. Miratim për qendrën e planifikuar pati nga kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek. Është e rëndësishme që nga kreu i politikës të lëshohet një sinjal, tha ai. Në plan të parë nuk është fjala te lufta kundër ekstremizmit të djathtë, po te mbrojtja e shoqërisë demokratike, tha Mazyek.

Autor: Marcel Fürstenau/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica