1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e Evropës Juglindore drejt antarësimit në BE - Përfundon samiti i Bërdos

20 Mars 2010

Në Bërdo përfundoi konferenca “Së bashku për Bashkimin Evropian: kontributi i Ballkanit Perëndimor për ardhmërinë e BE-së”. Në deklaratën përfundimtare kërkohet që anëtarësimi i Ballkanit në BE të mbetet prioritet.

https://p.dw.com/p/MYDB
Pjesëmarrësit miratuan njëzëri deklaratën përfundimtare.
Pjesëmarrësit miratuan njëzëri deklaratën përfundimtare.Fotografi: dpa

Pjesëmarrësit e takimit në Bërdo afër Kranjit, i bëjnë thirrje BE-së që të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave për tërë rajonin, atëherë kur edhe vendet e tjera që tani janë përjashtuar nga ky proces, të kenë plotësuar kushtet e domosdoshme. Kryeministrat i drejtojnë një apel BE-së, që antarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbetet një prej prioriteteve në axhendën e tij.

Secili duhet të njohë tjetrin

Kryeministri i Sllovenisë Borut Pahor, u shpreh para gazetarëve se diagnoza për zgjidhjen e problemeve në rajon është, që secili ta njoh secilin dhe se pa mirëbesim nuk mund të zgjidhen problemet. Pahor falënderoi në veçanti përfaqësuesin e Bosnje-Hercegovinës, Nikolla Shpiriqin, i cili "ka marrë një vendim të guximshëm për të marrë pjesë në këtë takim, e jo si disa të tjerë që kanë refuzuar pjesëmarrjen". Nikolla Shpiriqi ishte i vetmi i cili nuk dha ndonjë deklaratë për mediat. Ai u largua nga konferenca kur fjalën e mori përfaqësuesi i UNMIKU-t Lamberto Zanieri dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Jadranka Kosor dhe Borut Pahor.
Jadranka Kosor dhe Borut Pahor.Fotografi: picture alliance/dpa

Kosova: Dialog si shtet i pavarur

Kryeministri Hashim Thaçi, tha se nuk e beson që largimi i tij të ketë qenë i qëllimshëm. Sa i përket bojkotimit të takimit prej presidentit të Serbisë Boris Tadiq, Thaçi u shpreh se "ky vendimi nuk është në interesin as të vetë Serbisë dhe as të popullit serb". "Ne jemi të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit, në këtë kuadër edhe me Serbinë, por vetëm si shtete të pavarura. Zgjidhje është dialogu dhe bashkëpunimi e jo bojkoti," deklaroi Thaçi, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në takimet rajonale "si shtet sovran dhe i pavarur".

Zgjidhja më e mirë për tejkalimin e problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës, sipas tij, është njohja e ndërsjelltë e Kosovës dhe Serbisë. Ai u shpreh i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë. Kryeministri i Kosovës u shpreh i bindur se njohje të shtetit më të ri do të ketë edhe prej vendeve të tjeta, pas mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, theksoi se vendi i presidentit serb Boris Tadiq, është në këto konferenca, por është vet Tadiqi që duhet të vendosë nëse do të marrë pjesë apo jo. "Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim të thellë rajonal. Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan", theksoi Berisha.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq ishte i vetmi që refuzoi pjesëmarrjen në këtë takim, me shpjegimin se Kosova mund të paraqitet në këto takime vetëm në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, si UNMIK/Kosova.

Çështja e kufijve duhet të ndahet nga integrimi

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor shpreson se në takimin e radhës do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve. Takimin në Bërdo afër Kranjit ajo e quajti "një urë të rëndësishme". "Ura që kemi ndërtuar këtu në Bërdo paraqet një mbështetje të qendrueshme, të sinqertë dhe të vërtetë në rrugën e Evropës Juglindore drejt anëtarësimit në BE. Urat nuk mund të ndërtohen pa mirëkuptim dhe dialog, por secili vend dhe politikan duhet të tregojë edhe pak guxim dhe gatishmëri për marrjen e përgjegjësisë dhe zgjidhjen e problemeve", theksoi Kosor. Sipas saj, çështja e kufijve duhet të ndahet nga ajo e integrimit, me qëllim që procesi të zhvillohet sa më shpejt.

Jadranka Kosor, Borut Pahor dhe Hashim Thaçi, Brdo 2010
Jadranka Kosor, Borut Pahor dhe Hashim Thaçi, Brdo 2010Fotografi: dpa

Brukseli u përfaqësua në këtë takim nga komisioneri për zgjerimin, Stefan Fülle. Ai theksoi se kjo konferencë paraqet "një hap të rëndësishëm drejt integrimit të rajonit në BE dhe dëshmi për gatishmërinë e vendeve të Evropës Juglindore, që së bashku të punojnë drejt afrimit me BE-në". Sipas tij, secili vend i këtij rajoni është i interesuar për anëtarësim në BE, duke shtuar se bashkëpunimi është në interesin e tyre. Komisioneri Fülle nuk deshi të komentojë mungesën e presidentit Tadiq në konferencë. Ndërkohë që edhe vetë ai u lagua nga takimi pas më pak se një ore pjesëmarrjeje.

Pjesëmarrësit e konferencës kanë rënë dakord që takimet e tilla të vazhdojnë. Takimin e radhës në nivelin ministror duhet ta organizojë Kroacia.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama