1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

121011 Afghanistan Seidenstraße

12 Tetor 2011

"Në rrugën e mëndafshit" për shekuj me rradhë u tregtuan mallra ndërmjet Evropës, Indisë dhe Kinës. Tani politika po përdor emrin për një iniciativë të re, që do të ndihmojnë rindërtimin e Afganistanit.

https://p.dw.com/p/12qGy
Pakistan Seidenstraße Karakorum Straße
Rruga e mendafshit në PakistanFotografi: picture-alliance / dpa

Profesori Frederick Starr qëndron para një harte gjigande. Drejtori i Institutit për Azinë Qëndrore dhe Kaukazin (Central Asia - Caucasus Institute) në universitetin prestigjioz Johns Hopkins në Uashington tregon rrugën e vjetër të mëndafshit: "Këto rrugë tregtare janë përdorur për dymijë vjet me rradhë, derisa në shekullin e 16-të u mbyllën nga disa sundimtarë mendjengushtë, që të mblidhnin taksat e tyre. Vetëm për këtë arsye portugezët dhe spanjollët zbuluan rrugën detare për në Indi dhe Kinë."

Në shekullin e 20-të BS i mbylli kufijtë e Afganistanit me fqinjët dhe i kanë lënë talibanët të mbyllur, shpjegon Starr: "Ngjarja, që i ka hapur përsëri këto rrugë transporti, ishte që amerikanët shkatërruan në vitin 2001 regjimin e talibanëve. Ishte një pasojë e paqëllimtë, por ndoshta pasoja më e rëndësishme e 9/11: ajo hapi sërish portën për tregtinë transkontinentale Europë-Indi."

Rruga e mëndafshit liqeni Xinjiang Uigur Kalikuli në Kinë
Rruga e mëndafshit liqeni Xinjiang Uigur Kalikuli në KinëFotografi: J. Sorges

Rruga tokësore ul shpenzimet e transportit

Katër vjet më parë Frederick Starr ka publikuar librin e parë për rrugën moderne të mëndafshit. Që atëherë ai promovon idenë e tij. Ai ka llogaritur, që mallrat ndërmjet Kinës dhe Europës do të ishin vetëm njëmbëdhjetë ditë rrugës, nëse do të kishte një rrugë tokësore ndërmjet Lianyungang në Kinë për në Rotterdam në Hollandë dhe anasjelltas. Ndërkohë tregtia zgjat 20 deri 40 ditë. Edhe shpenzimet e transportit do të binin me një të tretën. Eshtë koha për të mbyllur një boshllëk ndërmjet Afganistanit dhe Azisë Qëndrore me rrugë dhe linja hekurudhore - atëherë tregtia ndërmjet Azisë dhe Europës do të rritej me 80 përqind. Transporti i mallrave ndërmjet Afganistanit dhe fqinjëve të tij mund të dyfishohej.

Afganistani - I pasur për të qenë i varfër

Afganistani është konsideruar për një kohë të gjatë si i varfër me lëndë të parë. Por në fakt në tokën afgane ndodhen minerale me vlerë prej më shumë se një bilionë dollarë amerikanë, vlerëson ushtria amerikane. Por ka një zgjidhje ekonomike më lukrative për vendin, argumenton Frederick Starr, tregtinë e distancave të gjata: "Kjo është më premtuese se mineralet. Ka dy plane të tjera për zhvillimin ekonomik të Afganistanit. Nga njëra anë për të nxitur sektorin e bujqësisë. Por kur një fshatar do t'i shesë kajsitë e tij në fshatin fqinj, atëherë ata atje do të mbjellin vetë kajsi. Ai duhet të ofrojë mallrat e tij në tregje të largëta dhe për këtë i nevojiten rrugë tregtare. E njëjta vlen edhe për burimet minerare. Mrekulli, kur ke një minierë ari në oborr dhe e shfrytëzon. Por ari duhet sjellë në treg. Pra detyra më urgjente është që të zhvillohet transporti."

Afganistan Mazar-i-Sharif 10 vjet pas intervenimit të SHBA
Afganistan Mazar-i-Sharif 10 vjet pas intervenimit të SHBAFotografi: picture-alliance/dpa

Me pak para efekt i madh

Skeptikët shtrojnë pyetjen, përse pikërisht SHBA duhet të mbajnë pjesën më të madhe për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve tregtare, nga të cilat përfitojnë vende të tjera: Kina, Rusia, Irani, Pakistani, India. Po, përgjigjet Profesor Starr. Sepse kjo do të inkurajonte shtetet e armiqësuara me njëri-tjetrin që të koordinojnë në atë mënyrë interesat e tyre, me qëllim që të shuajnë konfliktet e tyre. Kjo do të ishte indirekt me rëndësi të madhe edhe për SHBA, thotë ministrja e Jashtme, Hillary Clinton. Ajo drejtoi në shtator në Nju Jork një takim të 30 homologëve të saj për të ardhmen e "Rrugës së re të mëndafshit". Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Afganistanit dhe të gjitha shteteve fqinje.

Rrugët mund t'i ndërtojnë amerikanët
Rrugët mund t'i ndërtojnë amerikanëtFotografi: AP

Kjo është një gjë e mirë mendon Frederick Starr nga Central Asia - Caucasus Institute në Uashington: "Bëjeni këtë thelbin e politikës suaj dhe ju do ta bëni Afganistanin jo një vend më të varfër, por më të pasur. Ju do të përmirësoni edhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve përgjatë rrugëve tregtare. Kjo është e mundshme, sidomos kur ka shumë rrugë dhe linja hekurudhore. Hiqni nga rruga pengesat dhe me pak para, do të arrini një efekt të madh."

Sidomos në krahasim me shpenzimet e luftës, qä SHBA paguajnë në Afganistan prej dhjetë vjetësh.

Autor: Silke Hasselmann/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi