1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

271111 Putin Parteitag

28 Nëntor 2011

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin u zgjodh në një kongres të posaçëm të partisë "Rusia e Bashkuar" me 100 përqind të votave kandidat për zgjedhjet presidenciale 2012. Kjo parti rrezikon të humbasë shumicën absolute.

https://p.dw.com/p/13I9C
Kryeministri i Rusisë, Putin në Kongresin e Partisë 'Rusia e Bashkuar'
Kryeministri i Rusisë, Putin në Kongresin e Partisë 'Rusia e Bashkuar'Fotografi: picture-alliance/dpa

Asgjë nuk iu la rastësisë. Inskenimi i kongresit të jashtëzakonshëm të partisë qe planifikuar në mënyrë perfekte. 11.000 anëtarë të partisë në pushtet "Rusia e bashkuar" erdhën nga të gjitha pjesët e vendit në Pallatin e Sportit të Parkut Lushniki në qendër të Moskës. Ngjyrat e flamurit rus dominonin në sallën e dekoruar, televizionet shtetërore transmetuan drejtpërdrejt. Fytyra të lumtura, njerëz me flamuj që tunden në ajër, sy që shkëlqejnë - veçanërisht pasi funksionari i partisë Boris Gryslow bëri të ditur: "Përfundimi i votimit është: 614 vota të dhëna, 614 vota pro, asnjë votë kundër, asnjë abstenim."

Njëzëri u zgjodh Vladimir Putini kandidat për president i partisë së tij. Një zgjedhje si në kohët sovjetike, 100 përqind e votave të dhëna qenë për të: "Nuk është hera e parë që Rusia ndodhet para detyrave të mëdha. Cilat janë synimet që kemi ne? Ne duam: të vërtetën, dinjitetin e njeriut dhe drejtësinë në shoqërinë tonë."

Lëvdata për Putinin

Pastaj, kryeministri i tanishëm u kërkoi delegatëve të entuziazmuar në sallë që të mos tundin vetëm flamujt, por që të thërrasin "Rusia, Rusia". Kongresi i Partisë nisi me një valë himnesh me lëvdata, të nisura nga sipërmarrësi Boris Titov: "Putini është një menaxher i fortë, i kualifikuar së tepërmi dhe efikas. Ai vendosi rregull tek ne." Më pas fjalën e morën pensionistë, shtëpiake, ushtarakë, policë. Të gjithë ata folën në mënyrë entuziaste për Putinin dhe për partinë "Rusia e Bashkuar", edhe Presidenti Medvedjev:

Kongresi i Partisë "Rusia e Bashkuar"
Kongresi i Partisë "Rusia e Bashkuar"Fotografi: picture-alliance/dpa

"A ka për vendin tonë një ekip tjetër ose një udhëheqje tjetër politike, e cila mund të përballet me kërkesat globale të kohës së sotme?"

Natyrisht që të gjithë ishin të të njëjtit mendim se vetëm "Rusia e Bashkuar" është në gjendje që t'i zgjidhë gjërat. Salla qe ngritur në këmbë, kur Putini doli për herë të dytë në pultin e oratorit. Në fjalimin e tij që buronte patetizëm, në të cilin ai fliste me afsh për Rusinë dhe njerëzit e saj, u përmend edhe bota e jashtme.

Partia e hajdutëve

Bota e jashtme duhet ta kuptojë në radhë të parë se Rusia është një vend demokratik dhe prandaj të heqë dorë nga ndërhyrja në fushatën elektorale ruse me mjete financiare, pra edhe përmes mbështetjes së organizatave joqeveritare: "Këto janë para të hedhura dëm. Juda si figurë e Biblës nuk nderohet tek ne. Përdorini më mirë këto para për të paguar borxhet tuaja."

Me siguri që me këtë ai mbante parasysh gjendjen financiare të vendeve të Eurozonës. Nëse ky kongres do ta mbështesë partinë e Putinit për zgjedhjet parlamentare, kjo nuk është e sigurtë. Në popull dhe tek blogjet në internet kjo parti quhet ndërkohë hapur "parti e hajdutëve dhe e gangsterëve".

Autor: Hermann Kraus/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi