1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia e përgatitur përballë tankeve amerikane

Roman Goncharenko1 Prill 2016

Pse reagon e përmbajtur Moska pas konkretizimit të planeve amerikane për stacionimin e një brigade tankesh në Europën Lindore? Tendosjet mbeten megjithëse nuk ka konfrontim si në kohën e Luftës së Ftohtë.

https://p.dw.com/p/1INWK
NATO Übung Noble Jump in Zagan Polen
Fotografi: DW/B. Wesel

Aleksander Grushko, përfaqësuesi i Moskës në NATO, Bruksel në një prononcim për Deutsche Welle-n i kritikoi planet amerikane duke bërë fjalër "për hap tjetër që forcon kalimin e NATO-s në modele konfrontuese". Grushko përmendi në këtë drejtim "lëvizjet e rregullta të trupave, trajnimet, mbikqyrjen ajrore, forcimin e aktiviteteve në Detin Balltik dhe Detin e Zi, ngritjen e shtabeve të reja, modernizimin e infrastrukturës ushtarake." Diplomati rus kritikon, se të gjitha këto e dobësojnë sigurinë europiane. Edhe mbijetesa e aktit themelues të Këshillit NATO-Rusi e vitit 1997, "si një nga shtyllat e fundit me efekt veprues", vihet në pikëpyetje.

Ekspertët rusë do t'i analizojnë planet amerikane, ka thënë Grushko për Deutsche Welle-n. Rusia nuk është vëzhguese pasive e forcimit të prezencës ushtarake amerikane në Europë. Por në tërësi Moska reagon e përmbajtur. Të zemëruar e megjithatë të përmbajtur: Kështu mund të përmblidhen reagimet ruse pas bërjes publike të planeve amerikanë për stacionimin e një brigade tankesh në Europën Lindore. Nuk pati reagime zyrtare as nga Ministria e Mbrojtjes dhe as nga ajo e Jashtme. Edhe në mediat ruse planet amerikane nuk kanë gjetur një jehonë të gjerë.

Prania si parim rotacioni

Pentagoni konkretizoi të mërkurën planet e mëparshme, sipas të cilave nga shkurti 2017 do të stacionohen në krahun lindor të NATO-s një brigadë e plotë me 4200 ushtarë, 250 tanke dhe armatime të tjera të rënda. Kjo brigadë do të lëvizë sipas një parimi rotacioni në vendet europianolindore. Ende nuk dihet se për cilat vende bëhet fjalë. Çdo nëntë muaj materialet dhe trupat do të ndërrohen. Uashingtoni e argumentoi këtë vendim me mbështetjen e vendeve europianolindore "përballë një Rusie agresive". Si shkas për këtë u mor veprimi rus në Ukrainë.

Sergei Shoigu Verteidigungsminister Russland
Sergej Shoigu, ministri rus i MbrojtjesFotografi: picture-alliance/dpa/R. Sitdikov

Divizione të reja dhe një ushtri me tanke

Pse ka reaguar Moska e përmbajtur ndaj planeve amerikane? Për këtë kemi një përgjigje të thjeshtë, mendon eksperti ushtarak rus, Aleksander Golz. "Stacionimi i brigadës së tankeve bëhet në kuadër të vendimeve të NATO-s në samitin e saj në Uells në vitin 2014", thekson eksperti rus. "Rusia ka reaguar ndërkohë për këtë."

Kështu Moska i ka bërë të ditura planet e saj, se do të stacionojë divizione të reja në perëndim të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu u shpreh vetëm para pak ditësh, se Rusia do të vazhdojë me stacionimin e dy divizioneve të reja në territoret ushtarake në perëndim të saj. "NATO po e zgjeron potencialin e saj ushtarak në Europë në afërsi të drejtpërdrejtë me kufirin rus", deklaroi Shoigu. Më parë ministri i Mbrojtjes kishte bërë fjalë për tre divizione të reja në ruse në perëndim, njëri prej tyre do të jetë në rajonin Smolensk, në kufi me Bjellorusinë.

Alexander Golz russischer Militärexperte
Aleksander Golz, ekspert ushtarak rusFotografi: DW

Në fillim të shkurtit Ministria e Mbrojtjes në Moskë bëri të ditur rikonfigurimin në perëndim të ushtrisë së parë të tankeve, e shpërbërë në vitin 1998. Një hap i tillë është "logjik" për palën ruse, sepse SHBA dhe NATO po ndjekin "gjithnjë e më shumë një strategji të dobësimit të Rusisë", shkruan agjenica shtetërore ruse, Ria Novosti. Kjo ushtri me tanke është njëra pjesë e përgjigjes ruse ndaj forcimit të pranisë ushtarake amerikane, thotë Aleksander Golz.

Jo konfrontim i epokës së Luftës së Ftohtë

Shtimi i pranisë ushtarake amerikane tek anëtaret lindore të NATO-s dhe forcimi ushtarak rus në perëndim të vendit nuk janë megjithatë "aspak një përsëritje e konfrontimit si në kohën e Luftës së Ftohtë", është i mendimit eksperti rus. "Në atëkohë qëndronin përballë njëri-tjetrit qindra mijëra ushtarë të armatosur." Në planet e fundit amerikane, ekpserti Golz shikon më shumë "dëshirën për të qenë të përgatitur për rastet e mundshme të një lufte hibride nga ana e Rusisë, si në rastin e aneksimit të Krimesë." Por sipas tij, numri i trupave apo tankeve nuk luan ndonjë rol të madh.