1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish amok në një shkollë gjermane

17 Shtator 2009

Një 18 vjeçar ka sulmuar sot paradite në qytetin Ansbach të Bavarisë një gjimnaz dhe duke hedhur dy bomba me lëndë djegëse. Sipas policisë janë plagosur 11 vetë përfshirë edhe vetë dorasin. Motivet e tij nuk dihen.

https://p.dw.com/p/Jiuu
Polici dhe forca shpëtimi pranë gjimnazit në Ansbach
Polici dhe forca shpëtimi pranë gjimnazit në AnsbachFotografi: AP

Me një sëpatë maturanti kishte hyrë në shkollën e tij, gjimnazin Carolinium, në Ansbach të Bavarisë dhe kishte hedhur molotovin e parë në një klasë duke kapur kështu edhe të lënduarit e parë. Dhjetë minuta më vonë kishte ardhur policia.

"Nëpunësit e alarmuar reaguan menjëherë për ta penguar vazhdimin e mëtejshëm të amokut dhe për të mënjanur rrezikun e mëtejshëm për nxënësit, nuk ishte e mundur që amoku të mbyllej pa e vënë në rrezik shëndetin e mësuesve dhe të nxënsëve", tha ministri i brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann.

Policia ishte detyruar të përdorte armë zjarri për të kapur dorasin, i cili kishte hedhur ndërkohë edhe molotovin e dytë, por që nuk kishte shpërthyer. Udo Dreier, drejtues i operacionit të shpëtimit bën bilancin:

"Gjithsej janë tre të plagosur rëndë, dy vajza dhe vetë dorasi. Njëra prej të cilave është në rrezik jete me lëndime masive në kokë me sëpatë ose thika, ndërsa një tjetër është lënduar nga zjarri."

Edhe nxënës të tjerë dhe një mësues kanë pësuar lëndime të lehta. Pesë plumba nga armët e policisë kishin kapur dorasin, i cili është i lënduar rëndë, por jeta e tij është jashtë rrezikut.

Forca shpëtimi para gjimnazit në Ansbach
Forca shpëtimi para gjimnazit në AnsbachFotografi: AP

Se cilat ishin marrëdhëniet mes dorasit dhe viktimave, kjo nuk dihet, po ashtu edhe motivet e dorasit, kundër të cilit ndërkohë është lëshuar urdhërarresti për tentativë vrasje.

Amoku më i fundit në Ansbach të Bavarisë të kujton ngjarjet të mëparshme po kaq të hidhura, që vitet e fundit kanë qenë gjithnjë e më të shpeshta në shkollat gjermane. Rasti më i fundit i rëndë ishte në mars 2009 në një shkollë në afërsi të Shtutgartit, ku një 17 vjeçar vrau 15 nxënës të shkollës së vet dhe veten. Njëri prej viktimave ishte bashkëmoshatari nga Kosova, Ibrahim Halilaj.

Autor: Anila Shuka/ Berlin

Redaktoi: Auron Dodi