1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa dëmtohen Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nga embargoja e Kosovës

25 Korrik 2011

Vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e embargos për prodhimet nga Serbia ka shkaktuar pakënaqësi në Beograd. Në disa reagime ai vlerësohet si shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s.

https://p.dw.com/p/122xW
Sheshi i Republikës në Beograd
Sheshi i Republikës në BeogradFotografi: DPA

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore serbe, vëllimi i shkëmbimeve me Kosovën në vitin 2010 arriti në rreth 400 milionë dollarë. Mallrat më të rëndësishme që janë dërguar në Kosovë janë gruri, energjia elektrike, sheqeri, krepi, ushqimet, nafta, nafta bruto, letër, karton dhe ilaçe.

Në të njëjtën kohë nga Kosova për në Serbi arritën mallra me vlerë 4.03 milionë dollarësh.

Dëm për sipërmarrjet serbe

Vendimi i qeverisë së Kosovës është i keq dhe në kundërshtim me tregtinë e lirë, vlerëson për Deutsche Wellen ekonomisti Aleksandar Stevanovic i Qendrës për tregun e lirë:

"Unë mendoj se pjesa e mallrave nga Serbia, e cila hyn përmes kanaleve gri në Kosovë dhe që është sot dominuese, thjesht do të rritet dhe efektet në praktikë nuk do të ndihen kushedi sa. Gjithashtu, është e mundur që një pjesë e flukseve legale do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë legale, vetëm se mallrat do të paketohen rishtaz në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Pra, pak punë edhe për fqinjët tanë të tjerë. "

Dëm edhe për buxhetin e Kosovës

Dëmin më të madh do ta vuajnë kompanitë serbe, mendon Stevanoviç. Kostot e tregtimit në Kosovë do të rriten, pasi biznesmenët kanë kosto shtesë, në qoftë se ata duhet të punojnë ilegalisht, ose përmes vendeve të treta. Volumi i këmbimit tregtar me Kosovën, gjithsesi nuk është i papërfillshëm për një vend si Serbia, thotë Stevanoviç, por ai shton se dëme do të ketë edhe nga ana e Kosovës. Është e njohur se një pjesë e rëndësishme e tregtisë së mallrave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës vazhdon të shkojë në kanalet gri dhe pas kësaj embargoje, ekziston rreziku që ai të hyjë thuajse krejtësisht në zonën gri, paralajmëron Stevanoviç:

“Një nga rezultatet me siguri do të jetë, që këtë do ta vuajë edhe buxheti i Kosovës, sepse ai thjesht nuk do të jetë në gjendje të regjistrojö flukse të disa mallrave dhe t'i faturojë legalisht. Nëse nuk keni hyrje legale aty, ku shitni diçka, fakt është se për to nuk mund të ngarkoni tatim.”


Presion politik përmes ekonomisë

Ekonomisti Goran Nikoliç nga qendra për politikën e re thotë se masa e autoriteteve të Kosovës do të rrezikojë më shumë industrinë ushqimore serbe dhe atë të materialeve të ndërtimit. Serbia ka një rritje të eksporteve, por është e vështirë të pushtojë tregje të reja, në qoftë se kërcënohen rreth 250 milionë euro nga këmbimet vjetore, do të thotë se rrezikohen disa mijë vende pune, tha Nikoliç. Gjithsesi dikush ka vlerësuar se kjo është një mënyrë efikase për të bërë presion politik mbi Serbinë, i tha Nikoliç DW:

"Nëse është e vërtetë, dhe unë mendoj, se ka qenë edhe teza e zyrtarëve serbë se embargoja është vënë me miratimin e heshtur të Bashkimit Evropian, atëherë kjo është lojë e rrezikshme. Jo në aspektin e sigurisë, por në aspektin e përkeqësimit të marrëdhënieve në rajon. Për shkak se Serbia është vendosur para një fakti të kryer dhe ka pak gjasa, që do të jetë e gatshme për disa lëshime politike. Unë mendoj se kjo forcon disa forca, që janë për izolimin, dhe në të dy palët. Unë mendoj se e gjitha është shumë e rrezikshme dhe nëse kanë dashur të kërkojnë disa lëshime nga Serbia, kjo nuk është mënyrë e mirë. Është e vështirë që pushteti në Serbi të jetë i gatshëm, për paratë që kam përmendur, të bëjë disa lëshime, sepse për ta kjo është politikisht zonë shumë e rrezikshme!”, tha Nikoliç.

Sarajeva
SarajevaFotografi: picture-alliance/dpa

Dëmtohen edhe firmat boshnjake

Qeveria e Kosovës përveç Sërbisë mori vendim që të tatojë me 10% mallrat nga Bosnja Hercegovina, që synojnë tregun kosovar. Masat e qeverisë së Kosovës mund të mbyllin dyert edhe për firmat e Bosnjë Hercegovinës në Kosovë. Meqenëse ndërmarrjet nga Republika e Srpska nuk bëjnë biznese në Kosovë, vendimi i qeverisë në Prishtinë rrezikon kryesisht biznesmenët nga Federata e B-H. Drejtori i firmës " TT Kabeli" nga Shiroki Brijeg, Dario Tomiç, i tha Deutsche Welles se eksportet në tregun e Kosovës për këtë kompani janë tani "mision i pamundur". "Detyrimet doganore prej 10 për qind janë një problem i madh për çdo dege, sidomos për tonën," tha Tomiq.

Edhe analisti i dhomës ekonomike të Bosnjë Hercegovinës, Duljko Hasić, beson se futja e tarifave doganore mund të mbyllë tregun e Kosovës për firmat e Bosnjë Hercegovinës. Hasic thotë se as presionet e komunitetit ndërkombëtar deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. "Pavarësisht nga presioni i madh nga B-H dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk heq dorë nga vendosaj e këtyre masave," thotë Hasic.


Ekonomia viktimë e politikës

Meqë Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën, nuk është e mundur as arritja e marrëveshjeve dypalëshe në planin ekonomik. Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Sarajevës dhe Prishtinës për këtë arsye janë të bazuara në marrëveshjet rajonale, siç është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë (CEFTA).

Analistja ekonomike dhe deputete në Parlamentin e Shtetit, Azra Haxhiahmetoviç, thotë se në këtë rast ka rezultuar se ekonomia është një viktimë e mosmarrëveshjeve politike rajonale. "Bosnja dhe Kosova janë nënshkruese të të njëjtave marrëveshje tregtare dhe janë angazhuar për liberalizimin e tregtisë. Por unë duhet të pranoj se ky veprim i Kosovës është një reagim ndaj veprimit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës", thotë Azra Haxhiahmetoviç.

Kosova është një nga hapësirat ekonomike, me të cilën Bosnja-Hercegovina ka pasur një bilanc pozitiv të tregtisë së jashtme. Vetëm vitin e kaluar shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis B-H dhe Kosovës ishte 345 milionë marka. Analistët thonë se në këtë rast, Bosnja dhe Herzegovina është viktimë e marrëdhënieve të pazgjidhura politike në rajon, veçanërisht ato në relacionin Beograd-Prishtinë.

Autor: Ivica Petrovic,Samir Huseinovic/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi