1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e mjedisit në Maqedoni

Fatos Musliu4 Korrik 2013

Në Maqedoni, edhe pse ekzistojnë një sërë ligjesh, ambienti është gjithnjë e më shumë i ndotur Sipas ekologistëve, duhet të punohet më shumë për ngritjen e vetëdijes për një ambient më të pastër.

https://p.dw.com/p/192BT
Fotografi: Sveto Toevski

Në periferi të Shkupit gjendet fabrika për përpunimin e lëndëve kimike dhe përpunimin e detergjentit ‘ OHIS”, e cila nga shumë shoqata ekologjiste është vlerësuar si pika më e nxehtë për ndotjen e ambientit. Këshilli për Fondin Ekologjik - GOF në bashkëpunim me sektorin për zhvillim industrial të Kombeve të Bashkuara, do të fillojë realizimin e një projekti për pastrimin e tokës në afërsi të fabrikës OHIS, që është një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit jetësor në Maqedoni. Gjatë 5 viteve të ardhëshme do të dekontaminohen rreth 24 mijë ton lindan ( bashkim organik që përdoret si insekticid). Sipas zevëndësministrit për ambientin, Stevo Temelkovski, dikasteri i ekologjisë në bashkëpunim me koalicionin ” Ekologjia prioritet”, së shpejti do të filloj me realizimin e projektit “Dëshirojmë qytet të pastër- t'i eleminojmë pikat e nxehta”. Ky projekt ka për qëllim të nxisë perfektët dhe qytetarët për të aktualizuar problemet me pikat problematike ekologjike në të gjitha komunat e Maqedonisë.

Mbrojtja e ambientit përmes projekteve

Aleskandra Bujarovska, juriste ekologjike në koalicionin ” Ekologjia prioritet”, thotë se në këtë projekt janë të përfshirë edhe prefektët e Kisela Vodës, Ilidnenit, Kavadarit, Probishtipit dhe Kamenicës, komuna këto me probleme të rënda ekologjike. “Kavadari ka disa pika të nxehta ekologjike dhe asnjëherë nuk është vonë të fillohet me pastrimin e ndotjeve. Në tokën punuese të Kavadarit ka pesticide të shumta që janë rezultat i shfrytëzimit të pakontrolluar të tyre për vreshtat e rrushit meqë Kavadari është i njohur si prodhuesi më i madh i rrushit në Maqedoni. Gjithashtu “Feni “ është një prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit në këtë qytet “, shprehet Bujarovska.

Në Maqedoninë lindore, si ndotës kryesorë të ambientit jetësor janë depozitat e mineraleve. Në Probishtip edhe pas shumë iniciativave ka dështuar ideja për ndërtimin e një kolektori të pastrimit të ujërave nëntoksorë që dukshëm janë ndotur nga këto depozita.

“Probishtipi pothuajse është i ngulfatur nga depozitat e mineraleve. Ata në mënyrë joprofesionale menaxhohen nga firma dhe persona të cilët nuk posedojnë aparaturë adekuate për ruajtjen e ambientit jetësor. Komuna ka përpiluar një projekt dhe në bashkëpunim me qeverinë do të fillojë me bllokimin e këtyre depozitave të cilat pas një kohe duhet të shndërrohen në parqe”, thotë Irena Boshkovska nga Probishtipi.

Erdölraffinerie Okta in Skopje
Fotografi: Petr Stojanovski

Me ligje vështirë të mbrohet ambienti

Në Maqedoni janë etiketuar 15 pika të nxehta ekologjike të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndotin ambientin jetësor, para së gjithash ajrin, ujin dhe tokën. Viteve të fundit në Maqedoni janë miratur një sërë ligjesh për mbrojtjen e ambientit, në veçanti për parandalimin e ndotjes së ajrit dhe ujrave. Por sipas ekspertëve edhe pse ligjet janë miratuar, ato rrallëherë vihen në përdorim me çka ambient vazhdon edhe më tej të ndotet. Në Manastir disa ditë me rallë në faqen e internetit të Ministrisë për Ambient jetësor, jepen të dhëna alarmuese për ndotjen e ajrit me pluhur të imët. Sipas shoqatave ekologjike në këtë qytet, komuna nuk ka ndërrmarë asgjë përbllokimin e ndotjes meqë aparatura për matjen e ndotjes në këtë qytet nuk janë në funksion. Me ndotjen e ajrit përballet edhe Shkupi. Sipas profesoreshës Cvetanka Popovska, ndotja e ajrit në Shkup ka të bëjë me urbanizimin e pakontrolluar të malit Vodno dhe Gazi Babë.

“Ndërtesat e larta rrëzë malit Vodno dhe në Gazi Babë ka ndaluar qarkullimin e lirë të ajrit në një pjesë të madhe te Shkupit, ku si pasojë pastrimi i ndotjes së ajrit nga komunikacioni dhe kapacitetet industriale, është vështirësuar dukshëm. Nëse dëshirojmë ajër të pastër në Shkup, duhet urgjentisht të ndërpriten ndërtimet rrëzë maleve të Shkupit”, thotë profesoresha Popovska . Një nga arsyet kryesore për ndotjen e ajrit në Shkup është edhe përdorimi i automjeteve të vjetra në komunikacion. Nga shoqata ekologjike “ Front”, vlerësojnë se automjetet e vjetra në mënyrë të pakontrolluar ndotin ajrin e Shkupit. “Vendimi i qeverisë për lejimin e importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, ishte tejet i dëmshëm për ambientin. Pas këtij vendimi në Shkup numri i automjeteve të vjetra u rrit për disa herë. Në Shkup nuk ka shfrytëzim racional të automjetev ndërsa shumë pak si mjet komunikimi përdoret biçikleta“, thotë Iskra Stojkovska nga shoqata ekologjike „Front“.

Nëse nuk reagojmë, një ditë do të jetë vonë

Petar Boshevski nga shoqata ekologjike “Ekoskop” thotë se në çdo qytet apo vendbanim të Maqedonisë ekzistojnë dy deri në tre pika të nxehta ekologjike. Dhe derisa shoqatat ekologjike merren vetëm me ndotjen e ajrit - toka punuese , lumenjtë por edhe liqenet në vend, gjithnjë e më shumë po shndërrohen në deponi. Pothuajse në çdo lum të Maqedonisë janë vendosur ndalimet për peshkim për shkak të ujit të ndotur ndërsa shpesh herë përsëriten edhe rastet kur mbi ujin e lumenjve dhe liqeneve notojnë peshq të ngordhur.

Mazedonien Land und Leute - Zement Fabrik Usje in Skopje (Aufnahmedatum 21.10.2010) Bilder hat Herr Petr Stojanovski gemacht,
Fotografi: DW

“Ligjet për mbrojtjen e ambientit ekzistojnë, por aksush në Maqedoni nuk punon në ngritjen e vetëdijes ekologjike. Nëse nuk merren masa urgjente për mbrojtjen e ambientit, një ditë do të jetë vonë”, thotë Petar Boshevski.

Ministria e Ambientit Jetësor ka paralajmëruar dënime në të holla e deri në marrjen e lejes për punë për të gjitha kapacitetet industriale të cilat ndotin ambientin jetësor .