1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa të pavarur vërtet janë gjykatësit gjermanë?

Maximiliane Koschyk
6 Gusht 2017

Grindja për reformën në drejtësi të Polonisë ka sjellë sërish në fokus pavarësinë e drejtësisë. Në Gjermani ajo konsiderohet shtylla bazë e shtetit ligjor. Por a cënohet nganjëherë kjo pavarësi?

https://p.dw.com/p/2hjss
Justitia mit Pendelwaage
Fotografi: picture-alliance/Ulrich Baumgarten

Në shtetin ligjor pavarësia e gjykatësve nuk është privilegj por detyrim. Në Gjermani kjo është e sanksionuar në kushtetutë: "Gjykatësit janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm ligjit", thuhet në nenin 97, paragrafi 1.

Pavarësia e sistemit gjerman të drejtësisë ka dy forma: Nga njëra anë pavarësia faktike, ajo që lidhet kompetencën e lëndës. Gjykatësit nuk lejohet të ndikohen në rastet e vendimeve gjyqësore as nga drejtuesit e as nga kolegët, si për shembull përmes udhëzimeve në vendin e punës, apo vlerësimeve që jepen për punën e tyre.

Kësaj i shtohet pavarësia personale - në bazë të së cilës, gjykatësit e emëruar përgjithmonë nuk lejohet të dëbohen nga puna apo të zhvendosen kundër vullnetit të tyre. Me këtë synohet të pengohet që gjykatësit të bien pre e arbitraritetit, që mund të ndikojë në pavarësinë e tyre.

A ka ndikim politika?

E megjithatë asnjë sistem nuk është i përsosur: Edhe në Gjermani vihet në pikëpyetje, kritikohet apo kontestohet neutraliteti i gjykatësve dhe pavarësia e tyre: Kush lejohet të vendosë për emërimin e gjykatësve dhe karrierën e tyre?

"Në emërimin e gjykatësve në lande parimisht vendoset pas verifikimeve të rrepta", shpjegon ekspertja e ARD-së për çështjet ligjore, Gigi Deppe. "Por çështja tjetër është, se sa ndikim ka politika në ngjitjen në karrierë të gjykatësve."

Deutschland Prozess "Oldschool Society"
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

Se kush emërohet apo rritet në detyrë, kjo merret me vendim nga komisionet zgjedhore të gjykatësve. "Në këto komisione zgjedhore janë anëtarë mjaft politikanë nga parlamentet e landeve", thotë Deppe. "Pjesërisht politikanët kanë jo pak ndikim në emërimin e gjykatësve në poste."

Përfaqësues nga populli si bashkë-vendimmarrës

Pjesëmarrja e politikës ka arsyet e saj, sqaron ekspertja Deppe. „Edhe mes juristive më kritikë nuk hidhet poshtë plotësisht votimi i gjykatësve federalë. Anët e saj të mira janë pasi  përfaqësues nga populli thonë fjalën e tyre.” Ndryshe ekziston rreziku, që gjykatat të pasqyrojnë shumë pak opinionin e popullit.

„Gjykatësja e parë lesbike në Gjykatën Kushtetuese, thotë për shembull, se ajo pa influencën e deputetëve të Gjelbër dhe të Majtë ndoshta nuk do të ishte zgjedhur", shprehet Deppe. „Një trupë gjykatësish, tradicionalisht konservatore, nuk do ta përfytyronte dot një gjë të tillë.”

Kompasi i brendshëm

Kush do të jetë jurist, nuk duhet të jetë vetëm një jurist i mirë. "Shumë i rëndësishëm është edhe botëkuptimi i brendshëm i gjykatëseve e gjykatësve”, thotë Deppe. Sipas kushtetutës, gjykatësit duhet të vendosin në bazë të ligjeve ekzistuese, edhe kur vendimi nuk i përgjigjet qëndrimit që kanë ata për të drejtën. Këtu luan rol botëkuptimi. "Këtu çështja është nëse dikush është rritur në kushte të njëjta, nëse ka njohje personale, nëse në raste të tilla juristët shfaqin mirëkuptim për qëndrimet e politikanëve të zgjedhur.”

Deutschland NSU-Prozess in München
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Kneffel

…edhe opinioni publik

Sipas ekspertes Deppe nuk ka ndikim të hapur tek drejtësia në Gjermani. „Në këtë çështje gjykatësit gjermanë kanë mjaft vetëbesim dhe nuk do ta toleronin. Nga ana tjetër një sjellje e tillë është e përçmueshme në opinion. „Në të shkuarën, nëse ka ndodhur që ndonjë politikan me përgjegjësi ka komentuar ndonjë vendim gjyqësor, ka pasur reagime  të forta", thotë Deppe duke theksuar se politikanit në fjalë kjo i është mbajtur mend.

Kufijtë e pavarësisë

"Nemo iudex in sua causa" – një parim themelor i të drejtës të thotë  - "askush nuk është gjykatës për kauzën e vet”. Por a përbëjnë përjashtim gjykatësit si pjesë e sistemit të së drejtës? Ata interpretojnë dhe gjykojnë, se si mund të kuptohet dhe duhet të kuptohet ligji, ata gjykojnë për veprimet e kolegëve të tyre. Disa janë kritikë, por edhe në këtë pikë gjykatësit nuk janë fare të paprekshëm.

Një institucion i brendshëm kontrolli shqyrton punën e tyre, trajton ankesat kundër gjykatëseve e gjykatësve. Gjykatësit mund të vihen para përgjegjësisë se kanë shtrembëruar ligjin, apo e kanë interpretuar atë gabimisht duke u shkaktuar dëm të tjerëve. Ata mund të pushohen apo largohen në një post tjetër në kuadër të një procedure disiplinore.

Instacat e fundit

Megjithë mekanizmat e kontrollit sistemi i drejtësisë në Gjermani është i mbyllur. A e bën kjo atë të cënueshëm? „Për fat të mirë nuk është kështu", thotë Deppe. „Kemi dy gjykata europiane, që shpesh verifikojnë edhe vendimet e gjykatave gjermane. Gjermania si anëtarë e bashkësisë europiane i pranon vendimet e Gjykatës së Lartë Europiane (EuGH) dhe të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut (EGMR) në Strasburg. „Nganjëherë del një rezultat tjetër nga këto verifikime", thotë ekspertja Deppe. Së fundmi një vendim për dëbimin i gjykatave gjermane u ndal nga gjykata e Strasburgut. „Kjo tregon se çështja shihet edhe njëherë nga një këndvështrim tjetër."