1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së nuk do të japë drita jeshile për Shqipërinë dhe Serbinë

Bahri Cani7 Dhjetor 2012

Të hënën në Bruksel do të mbahet takimi i minitrave të jashtëm të BE-së, ku do të jepen sugjerimet për vendet e Evropës Juglindore. Ministrat do të flasin edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.

https://p.dw.com/p/16xcn
Fotografi: DW

Në samitin e adhshëm të Bashkimin Evropian, i cili do të mbahet në Bruksel me 13 dhe 14 dhjetor, Shqipërisë sipas të gjitha gjasave nuk do t'i jepet statusi i kandidatit për antarësim në këtë organizëm. Kështu pohojnë disa burime diplomatike të cituara nga portali EuroAktiv duke shtuar se "të paktën një vend (Holanda) është shprehimisht kundër", ndonëse Komisioni Evropian ka sugjeruar në tetor që Shqipërisë t'i jepet ky status.

Sipas këtyre burimeve, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për plotësimin e 12 kushteve të cilat i ka paraqitur Komisioni Evropian në raportin e tij në tetor. Mangësi ka në veçanti në sistemin zgjedhor të Shqipërisë. Menjanimi i mangësive është shumë i rëndësishëm, sepse zgjedhjet parlamentare në këtë vend do të mbahen vitin e ardhshëm. Diplomatët në Bruksel thonë se ata së pari duan që të binden se procesi zgjedhor dhe zgjedhjet kanë kaluar si duhet e më pas dotë japin dritën jeshile për vazhdimin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Edhe Serbisë vetëm drita e verdhë

Në takimin e ministrave të jashtëm, i cili zhvillohet të hënën dhe ka për qëllim përgatitjen e samitit që fillon tre ditë më vonë, një vëmendje e posaçme do t'i kushtohet edhe raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton, e cila do të raportojë për rrjedhën e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ministrat me siguri që do t'i japin mirënjohje palëve për rezultatet e arritura në takimet e kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, në veçanti sa i përket gatishmërisë për zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. "Nuk ka fije dyshimi se është shënuar përparim në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit", deklaron për mediat serbe një diplomat perëndimor në kushte anonimiteti. Por ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse Serbisë do t'i përcaktohet data konkrete për fillimin e negociatave për anëtarësim. Një burim tjetër pohon se Serbisë do t'i dërgohet mesazh inkurajimi ku do të thuhet se "me kënaqësi pritet hapja e negociatave me Serbinë", pasi që ajo te ketë plotësuar kushtet e parapara.

Normalizimi ndihmon edhe Kosovën

Beogradi është i njoftur me këto kushte, ndaj nuk bëhet fjalë për kushte të reja, tha një burim në Bruksel. Ndër kushtet kryesore është normalizimi i raporteve me Kosovën, që nënkupton edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë. Analistët në Bruksel thonë se Serbia vetëm pjesërisht mund të jetë e kënaqur me një konkludim të tillë, sepse ajo pret caktimin e një date të saktë për fillimin e negociatave.

Burimet diplomatike thonë se normalizimi i raporteve me Serbinë do të ndihmojë edhe Kosovën në procesin e integrimeve evropiane, respektivisht në filimin e procesit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.