1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i G20- dështon në gjetjen e zgjidhjes për Sirinë

Lindita Arapi6 Shtator 2013

Gjendje e tensionuar në Shën Petersbrug. Ashtu siç pritej samiti i G20-s vzahdoi të jetë i përçarë në çështjen e Sirisë. SHBA dhe Rusi ashpërsojnë pozicionet.

https://p.dw.com/p/19cx5
Fotografi: Reuters

Në debatin për Sirinë, i kthyer në temën kryesore të samitit të G20-s, që synonte përqëndrimin në çështjet ekonomike nuk u shënua asnjë sukses. Përkundrazi matja e forcave mes SHBA-së dhe Rusisë ka penguar gjetjen e një zgjidhjeje, të dyja vendet kanë ashpërsuar frontet, duke e e tensionuar atmosferën në Shën Petersburg. Se sa i thellë mbetet hendeku mes SHBA-së dhe Rusisë në çështjen e Sirisë e treguan edhe deklaratat e politikanit rus, Sergej Ivanov. "Pas asaj që dëgjova, kur shefi i Pentagonit thotë fillimisht se Rusia i ofron Sirisë armë kimike, dhe pastaj e korrigjon këtë, se nuk bëhet fjalë për armë kimike, por për lëndë të ndryshme furnizuese për zhvillimin dhe prodhimin e tyre, më duhet të them se kjo është marrëzi, tërësisht marrëzi."

Kërkesës së mikpritësit të samitit të G20-s, presidentit rus, Vladimir Putin për mos ndërmarrjen e asnjë hapi ushtarak në Siri iu bashkangjit edhe Kina. Përkundër kësaj presidenti amerikan Barack Obama synon një mision ndëshkimor kundër Asadit, të cilin ai e sheh si autorin e përdorimit të gazit helmues më 21 Gusht, ku humbën jetën qindra vetë. Por kritike në Shën Petersburg ndaj një ndërhyrjeje ushtarake në Siri nuk janë vetëm Kina dhe Rusia, por edhe shumë shtete të tjera, anëtare të G20-s.

SHBA nuk kërkon më zgjidhje në KS

SHBA deklaroi të premten se nuk do të përpiqet më të gjejë një zgjidhje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ambasadorja e SHBA-së në Nju Jork, Samatha Power u shpreh se Kombet e Bashkuara kanë dështuar në këtë këtë pikë, ajo akuzoi në të njëjtën kohë Rusinë se po e merr peng Këshillin e Sigurimit me mosplotësimin e detyrimeve ndërkombëtare. Rusia ka penguar disa herë rezolutat e përgatitura kundër presidentit sirian, Bashar al-Asad, tha Power.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha PowerFotografi: Reuters

Siria është temë qendrore edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që zhvillohet në Vilna të premten. Në këtë kuadër e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton është shprehur: "Askush nuk dyshon se ka pasur një sulm me armë kimike në Siri. Kam folur për këtë me vende të ndryshme. Ka mendime të ndryshme për faktin se kush i ka përdorur ato, por askush nuk dyshon në këtë fakt."