1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kënaqësi e rrezikshme në Bruksel

3 Mars 2012

Presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të BE kanë përfunduar me sukses samitin në Bruksel. Ata duket të shtendosur, por pikërisht kjo të shton brengosjet.

https://p.dw.com/p/14DIo
Euro dhe flamuri i BE-së.
Para me grusht nuk mund të jepen deri në pafund?Fotografi: AP

Një psherëtimë e madhe përshkoi të gjitha radhët. Më në fund kishim një samit që nuk duhet quajtur samit krize, thonë shumë presidentë dhe kryeministra të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian para mikrofonëve të shumtë në Bruksel. Presidenti i Komisionit Evropian Barroso, me buzëqeshje thotë se nuk është keq të kesh ndonjë herë disa momente më pak dramatike. Deri tani janë dëgjuar shumë fjalë dramatike, ndërsa tani çlirim! Po pse?

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW

Paketa fiskale është nënshkruar. Të gjitha vendet e Eurozonës e madje edhe shtetet jashtë saj duan të fusin kufizime për borxhet dhe t'u nënshtrohen sanksioneve të mundshme nëse e shkelin këtë rregull. Paketa e dytë e ndihmave për Greqinë është miratuar. Ndërkohë që tregjet financiare janë qetësuar pas masave të fundit të Bankës Qendrore Evropiane.

Shkaqet për brengosje

Megjithatë shtendosja është e përshpejtuar. Shefat e qeverive duket se më shumë po dëgjojnë dëshirat e qytetarëve të tyre që më në fund t'i japin fund krizës. Kjo është e kuptueshme. Por këtu edhe fillojnë problemet më të mëdha. Sepse kjo të kujton kohërat e vjetra.

Greqia, për shembull, ende nuk i ka kaluar as për së afërmi problemet e veta. Në vitin e pestë të recesionit me radhë, atje nuk shihet askund ndonjë mundësi e rritjes ekonomike. Në se masat me të vërtetë do të ndihmojnë Greqinë për të dalë nga kriza dhe për të kryer reformat e filluara, kjo nuk është e sigurt. Ministri gjerman i Financave Schäuble nuk përjashton mundësinë që Greqia të ketë nevojë për një paketë të tretë ndihmash. Ndërsa presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite para gazetarëve në mënyrë lakonike tha: "Mos u shqetësoni fare. Në qoftë se dikur kemi nevojë për një paketë të re ndihmash, atëherë do ta miratojmë atë."

Çfarë thatë Ju lutem? Pikërisht për shkak të kësaj nonshalance bengosem më së shumti.

Puna më e madhe nuk është kryer

Ka dhe shkaqe të tjera për brengosje, sepse jo vetëm Spanja ka rënë në një deficit të thellë, por edhe Holanda deri tani shembullore. Ende pa përfunduar samiti qeveria në Madrid ka kërkuar më shumë fleksibilitet gjatë zbatimit të rregullave të miratuara. Po prit pak: a thua paketa fiskale nuk ëshë miratuar me qëllim që më në fund të sjellë pak më shumë disciplinë? Në qoftë se komisioni menjëherë fillon me lëshime, mund të paramendosh se çfarë do të ndodhë më vonë, kur secili të përpiqet të gjejë ndonjë shkas për lëshime.

E tani edhe roli i ri Bankës Qendrore Evropiane. Ajo po bëhet gjithnjë e më politike dhe po kryen punë që nuk i takojnë. Është e vërtetë që asaj nuk i kanë mbetur shumë mundësi të tjera, vetëm se të ndihmojë qeveritë kur gjenden para vështirësive të mëdha. Por heret apo vonë, kjo sjellje do të nxisë rritjen e inflacionit në mbarë territorin evropian.

Bashmimi Evropian ka hartuar disa nga masat e domosdoshme për tejkalimin e krizës. Por puna më e madhe ka mbetur për t'u kryer. Në qoftë se tani lëshohet pe, kriza do të kthehet edhe më e fuqishme se më parë.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi:Aida Cama