1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sandra Saakashvili: Në luftë ka vetëm të humbur

Ludger Kacimircak 21 Gusht 2008

Në një intervistë me televizionin holandez, Zonja e Parë e Gjeorgjisë, që është me origjinë holandeze, u shpreh për herë të parë për luftën, të shoqin, rusët dhe vrasjen e një kameramani holandez në Gori.

https://p.dw.com/p/F2IB
Protesta në GjeorgjiFotografi: AP

Lajmi për marshimin e trupave ruse në Gjeorgji e gjen Sandra Saakashvilin në Pekin, në Lojërat Olimpike. Ajo e ndërpret pas pak ditësh udhëtimin e saj dhe niset për në Gjeorgji. Ndërkohë, holandezja ndodhet në Tiflis. Për shkak të natyrës së saj së shpenguar dhe sjelljes së natyrshme, njerëzit e quajnë Zonjën e tyre të Parë "buzëqeshjen e Saakashvilit." Por nga kjo buzëqeshje nuk ka mbetur shumë në intervistën që ajo i jep televizionit holandez.

"Në një luftë, për mendimin tim ka vetëm të humbur. Ne kemi shumë të vrarë. Kjo shkakton dhimbje të madhe." - tha bashkëshortja e Mihail Saakashvilit e cila është rritur në provincën hollandeze të pushimeve, Zeeland, në Terneuzen buzë Westerschelde-s. Pas studimeve, ajo punoi si përkthyese e gjermanishtes dhe frëngjishtes, ndër të tjera në Strasburg. Atje, në Institutin e të Drejtave të Njeriut njohu në vitin 1993 bashkëshortin e saj të mëvonshëm. Ata u martuan në të njëjtin vit, u shpërngulën më vonë në Nju Jork dhe pastaj në Tibilis.

Me sharmën dhe zgjuarsinë e saj, Sandra i pushtoi menjëherë zemrat e gjeorgjianëve. Ajo themeloi një fondacion bamirës dhe vazhdon edhe sot të jetë e angazhuar në organizata të tjera për fëmijë në nevojë, për të moshuarit dhe për refugjatët. Sanda Saakashvili është padyshim më shumë se vetëm gruaja në anën e tij, por pikërisht në këtë rol i nevojitet ajo këto ditë të shoqit:

"Unë besoj se ai mund të ndihet më i fortë në pozicionin e tij. Ne shpresojmë që edhe në anën tjetër të tryezës të triumfojë arsyeja. Durimi i SHBA-ve dhe BE-së sigurisht që nuk duhet shpërdoruar. Dhe ka edhe vende të tjera evropiane, si për shembull Ukraina, që shohin me frikë këtu dhe thonë: nëse ata nuk mund t'i ndalosh këtu, atëherë ata do të kenë kudo dorë të lirë."

Ajo nuk lë asnjë dyshim për atë se kush është i keqi dhe kush është i miri në këtë konflikt. Me dëshpërim të thellë reagoi nëna e dy fëmijëve, kur pak ditë më parë në Gori u vra kameramani holandez Stan Storiman, në një atentat me bomba: "Ai ishte 39 vjeç si unë, edhe ai ka dy fëmijë - gjëra të tilla të lidhin. Eshtë shumë e rëndë. Janë vrarë edhe gazetarë të tjerë, midis tyre dy gazetarë gjeorgjianë. U shpreha ngushëllime me telegram familjes së Storimanit. Por vendosa që të lidh kontakte më vonë me të afërmit e tij, për t'i takuar personalisht."

Në fakt, Sandra Saakashvili pati planifikuar që të merrte pjesë në varrimin e kameramanit në Holandë. Por familja e tij u druajt se do të kishte rrëmujë të madhe mediale. Stan Storimani do të varroset tani në rreth të ngushtë familjar.

Gruaja e presidentit gjeorgjian shpreson tani në një tërheqje të shpejtë dhe të plotë të trupave ruse nga Gjeorgjia. Për këtë është rënë dakord në marrëveshje, thotë ajo. Që trupat armike mund të mbeten në Gjeorgji, këtë ajo as që dëshiron ta mendojë: "Njerëzit janë të lodhur dhe duan të ndërtojnë sërish ekzistencën e tyre, duan të kthehen në shtëpi, të pastrojnë gërmadhat e mbeturinat e shkatërrimeve."