1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të shohim tablonë e plotë para se ta kritikojmë Shqipërinë

21 Qershor 2013

Eksperti i Fondacionit-Konrad-Adenauer, të afërt me partitë konservatore, sheh arsye që qeveria aktuale ta vazhdojë mandatin. Njëkohësisht ai sheh përpara sfida, si ndërveprimi më i mirë i organeve kushtetuese.

https://p.dw.com/p/18tev
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Cili është mendimi juaj për fushatën elektorale që përfundon, si e karakterizoni atë?

Schrapel: Në lidhje me atë që partitë duhet të pozicionohen në fushata elektorale me pozicione te caktuara, mua më ra në sy se nuk pati  ndonjë debat të madh përmbajtësor. Natyrisht që preken tema, por po ta hedhësh vështrimin pas, unë kam përshtypjen se tema të  rëndësishme të politikës së brendshme, për të dyja blloqet e  mëdha nuk qenë kryesoret. Midis dy blloqeve të mëdha elektorale nuk ka ndryshime të mëdha, gjë që e lë të hapur rezultatin e  zgjedhjeve.

DW: Ku do të orientohet, për mendimin tuaj, një shqiptar për të dhënë votën e tij, po të kemi parasysh ato që shqiptarët panë në fushatën elektorale, çfarë do të jetë vendimtare për votën e tij?

Schrapel: Fushata elektorale është shumë e personalizuar. Kjo nga  njëra anë është tradita këtu në Shqipëri. Nga ana tjetër,  personalizimi i fushatës elektorale mua më duket se u përforcua,  me ndryshimin që iu bë ligjit elektoral në vitin 2009 dhe si  pasojë e këtij ndryshimi gjithçka tani fokusohet te dy aktorët  kryesorë, te kryeministri në pushtet dhe tek drejtuesi i opozitës. Kur kemi një fushatë të tillë të personalizuar, ku dallimet  përmbajtësore janë të vogla, atëherë fitues del ai, i cili i  duket më i besueshëm shumicës. Pra zgjedhësi thotë që kësaj  pale i besoj si tendencë shumë më tepër se pjesës tjetër.

DW: Të dyja palët premtuan qindra-mijëra vende pune dhe thanë se në fushatë u morën edhe me tema përmbajtësore, si p.sh. ekonomia, modeli i tatimeve etj.

Schrapel: Për sa u përket vendeve të punës, ato u premtuan si nga  qeveria, ashtu edhe nga opozita, po mua më duken premtime shumë  ambicioze. Unë kam përshtypjen se zgjedhësit e shohin këtë në mënyrë mjaft kritike, nëse këto shifra që jepen janë realiste. 

Në pikëpamje ekonomike, ajo që dallon vërtet është sistemi i  tatimeve: partia në pushtet favorizon edhe më tej taksën e  sheshtë, flat- tax, me argumentin se është tërheqese për  investitorë potencialë. Kurse PS është për një taksë progresive,  nëse jam i saktë në tri shkallë, ku megjithatë është e hapur se çfarë mund të konsiderohen të ardhura të ulëta, të ardhura  të mesme, apo të ardhura të larta. Kjo mund të jetë për disa një pikë përmbajtësore, por për njerëz që duhet të kuptojnë shumë nga ekonomia ose sistemi i taksave.

DW: Pas tetë vjetëve qeverisje të Partisë Demokratike, me kryeministër Sali Berishën, çfarë do të veçonit si arritjet më të mëdha të tij në politikë, ekonomi dhe në marrëdhënie ndërkombëtare dhe çfarë duhet të kishte bërë më mirë qeverisja aktuale?

Schrapel: Në kuadër ndërkombëtar, unë besoj që qeveria Berisha përfaqëson besueshmëri, një qeveri së cilës mund t'i besosh dhe kjo është një gjë e madhe në një rajon që në vitet '90 e më vonë ka qenë i përfshirë me plotëkuptimin e fjalës nga krizat. Unë kam përshtypjen se në aspektin ndërkombëtar Shqipëria ka reputacionin e një vendi që mund t'i besosh dhe kjo është sigurisht edhe një sukses i qeverisë Berisha, që është në pushtet që prej tetë vjetësh. Në politikën e jashtme nuk ka dallime të mëdha midis partive. Po unë jam i bindur se qeveria Berisha është shumë e vendosur për ta afruar pranimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe bën shumë gjëra për këtë.

DW: A vëreni shenja për ndonjë ndryshim të rolit rajonal të Shqipërisë, po të kemi parasysh deklaratat në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet?

Schrapel: Unë e inkuadroj këtë në drejtimin, që kur në skaj lind një forcë e re politike, si në fillim të vitit, nëse kujtohem saktë, atëherë duhet reaguar ndaj saj. Po unë nuk kam përshtypjen se në politikën e jashtme vendi ndodhet si të thuash para një ndryshimi. Unë as në fushatën elektorale nuk pashë shenja tek ndonjëri nga aktorët se do të ndryshojë diçka.

Deutschland Parteien CDU Konrad Adenauer Stiftung Gebäude in Sankt Augustin
Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

DW: Po përsa i përket bilancit në politikën e brendshme të qeverisë? 

Schrapel: Në politikën e brendshme, që ka shumë më rëndësi për rezultatin e zgjedhjeve, unë do të përmendja një përmirësim shumë të dukshëm të infrastrukturës së vendit. Po të shohësh se çfarë është arritur në tetë vitet e fundit në këtë drejtim, tek rrugët, tek telekomunikacioni, këtu është bërë shumë dhe përshtypja ime është se edhe shqiptarët e shohin këtë në këtë mënyrë.

Problematike për vendin është...nuk e dimë me saktësi si është situata sociale me të vërtetë. Dihet se duhet të krijohen vende pune të reja, sidomos për rininë, kjo nuk ka diskutim. Unë kam personalisht një problem që nuk mund ta verifikoj dot tamam këtë gjendje, përsa i përket shifrave.

DW: Përsa i përket bilancit politik, çfarë do të veçonit?

Schrapel: Unë jam për atë që për Shqipërinë duhet të shohim gjithmonë tablonë e plotë dhe para së gjithash të shohim cila është pika e referencës, për atë që ky vend ka arritur në më shumë se 20 vjetët e fundit. Para 22 vjetësh ky vend ka qenë në mënyrë absolute një oborr i pasëm i Evropës, edhe në aspektin politik. Në këtë sfond nuk duhet të jemi superkritikë në gjykimin e vendit. E them këtë sepse nganjëherë kam përshtypjen që ka edhe vëzhgues ndërkombëtarë, që raportojnë gjëra shumë negative për Shqipërinë, të cilat, të para veçuar, mund të jenë të sakta, por që krijojnë nganjëherë një tabllo të përgjithshme, e cila nuk është e drejtë.

Sigurisht, në vitet e ardhshme mbeten shumë sfida, përsa i përket ndërveprimit të organeve kushtetuese: parlamenti, qeveria, presidenti, por edhe Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese etj.

DW: Përse e keni fjalën konkretisht?

Schrapel: Në radhë të parë organet kushtetuese duhet ta respektojnë siç e përcakton kushtetuta, njëra-tjetrën. Një situatë siç është ajo me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet sqaruar shumë qartë, se çfarë duhet bërë në raste të tilla, kur kaq pranë me zgjedhjet ndodh një ndryshim në qeveri.

Unë kam përshtypjen se këto zgjedhje vëzhgohen shumë fort nga lojtarët ndërkombëtarë dhe këtu janë në diskutim edhe për Shqipërinë disa gjëra, besueshmëria edhe për BE, për statusin e synuar të kandidatit. Unë mendoj se - deri tani - fushata elektorale ka kaluar krejtësisht normalisht, por do të shohim se çfarë do të ndodhë me rezultatin e zgjedhjeve, e di që vitet e kaluara ka pasur kritika të forta nga palët.

DW: Përfundimet e sondazheve në Shqipëri shpesh janë të diskutueshme. Cila është përshtypja juaj personale, a ka një klimë ndryshimi në vend, ndodhet Shqipëria para ndryshimit apo shihni mbështetje për ekipin aktual në pushtet?

Schrapel: Unë shoh padyshim mundësi që qeveria të marrë një mandat të tretë. Duke qenë se sondazheve nuk mund t'u besohet shumë, nuk mund të miqësohem me pohimin se shumica dërrmuese kërkon ndryshimin. Ka shumë shkaqe për ata që duan që qeveria aktuale të vazhdojë. Nëse kemi të bëjmë me një klimë shoqërore që kërkon ndryshimin, këtë unë nuk mund ta verifikoj. Nga organizatat shoqërore dhe aktorët e shumtë që takoj, partnerët që takoj, NGO etj. unë nuk kam përshtypjen se ka një pjesë shumë të madhe që thotë: tani duhet të ketë më në fund një ndryshim. Le të presim ditën e zgjedhjeve dhe të shohim.

Dr. Thomas Schrapel drejton zyrën e Fondacionit Konrad- Adenauer në Tiranë.

Intervistën e zhvilloi Auron Dodi