1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seancë dëgjimore për romët

30 Qershor 2010

Komisioni i brendshëm i Bundestagut po shqyrton aktualisht dy kërkesa të dy partive opozitare gjermane, “E majta” dhe “Të gjelbrit”, për ndalimin e kthimit të detyruar të afro 11 mijë romëve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/O6Xp
Familjet cigane rome jetojnë në kushte të vështira
Familjet cigane rome jetojnë në kushte të vështiraFotografi: picture-alliance/dpa

Që nga shpallja e pavarësisë, në shkurt 2008, janë kthyer gjithsej 1400 ish-refugjatë në Kosovë, prej të cilëve 171 anëtarë të pakicave. Një shifër kjo jo shumë e lartë, duke pasur parasysh që numri, për të cilin janë marrë vesh organet gjermane me ato kosovare është 2500 riatdhesime në vit, prej të cilave deri në 1000 romë, ashkalinj dhe pakica të tjera.

Por edhe pse shifra mund të jetë relativisht i vogël, fatet që qëndrojnë mbas saj janë shumë të rënda: Këtë u mundua t'ua shpjegonte deputetëve eksperti i organizatës Pro Asyl, Stefan Duennwald.

“Ata që sheh në aeroportin e Prishtinës janë të paaftët, të sëmurët, më të varfrit. Janë ata që përjashtohen nga shoqëria e sotme. Jo më sipas kriterit të racës së pastër, por sipas kriterit të efektivitetit”, - tha aktivisti i organizatës joqeveritare, Pro Asyl.

Duennwald solli shembullin e një çifti të moshuar ashkalinjsh, që ishin kthyer në Kosovë mbas 17 vjetësh, edhe pse katër fëmijët i kishin në Gjermani, madje aty kishin varrosur edhe një djalë tjetër dhe prindërit.

Mangësi në integrim

Por kush dëshiron të jetojë në Gjermani duhet të tregohet i gatshëm të integrohet. Të këtij mendimi janë shumica e ministrave të brendshëm të Landeve. Janë ata që vendosin rregullat për të huajt. Përfaqësuesi i Ministrisë së Saksonisë së Poshtme, Hans Hermer Gutzmer, e mori në mbrojtje kthimin e detyrueshëm të romëve në Kosovë:

“Fakti që 11 mijë romët janë ende pa dokumente, tregon që ata nuk integrohen në shoqërinë tonë. Shumë prej tyre nuk kanë kualifikimin e duhur për të filluar një punë, por shumica nuk kërkojnë fare vend pune. Zyrat e të huajve na tregojnë që shumë fëmijë nuk shkojnë në shkollë, bien në sy dhe janë agresivë ndaj fqinjëve, prindërit nuk kujdesen për fëmijët dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën,” - tha Guzmeri.

Ai shtoi edhe argumentin e fundit për dëbimin: 2,5 milionë Euro në vit i kushton vetëm Saksonisë së Poshtme mbajtja e mëtejshme e romëve, të ardhura që mungojnë gjetkë.

Kthim në vend të huaj

Ish i ngarkuari i lartë i BE-së në Bosnjë, Christian Schwarz-Schilling kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dëbimeve, sidomos për familjet me fëmijë.

“Fëmijët që kthehen në Kosovë, një pjesë e të cilëve kanë lindur në Gjermani, nuk dinë as shqip e as serbisht. Ata nuk po kthehen në vendin e tyre, por po shkojnë në një vend të huaj “

Këtë mundi ta konfirmonte me shifra Johannes Wedenig nga UNICEF-i Kosovës: një e katërta e fëmijëve të kthyer nuk shkojnë në shkollë, shkaqet janë krahas varfërisë edhe barrierat gjuhësore.

Argumente të thëna tashmë nga shumë e shumë institucione evropiane e organizata joqeveritare. Përfqësuesit e OJQ-ve dhe dy partitë e vogla opozitare janë të vetëdijshëm që seanca dëgjimore nuk do të mjaftojë për të ndaluar kthimin e detyrueshëm të romëve, por gjithsesi ekziston një fije shprese që në fillim të vitit të ardhshëm të ketë një rregullore të re për ish-refugjatët.


Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi