1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070310 Nahost USA

8 Mars 2010

I dërguari i posacëm i SHBA, Xhorxh Miçell ka mbërritur në Lindjen e Mesme, për të ndikuar me një diplomaci ecejakesh rinisjen e bisedimeve indirekte midis Izraelit dhe palestinezëve. Shanset për këtë janë të mira.

https://p.dw.com/p/MMxw
Senatori amerikan Xhorxh Miçell
Senatori amerikan Xhorxh MiçellFotografi: picture alliance / landov

SHBA për "bisedime indirekte"

Në të njëjtën kohë me mbërritjen e Xhorxh Miçellit në Izrael, disa mijëra aktivistë izraelitë dhe arabë të paqes demonstruan të shtunën në mbrëmje kundër dëbimit të dhunshëm të familjeve arabe në Jeruzalemin Lindor. Sipas vlerësimeve të medieve izraelite, në manifestimet e protestave morën pjesë midis 3000 deri 5000 vetë. Manifestimi u zhvillua në lagjen lindore të qytetit, Sheikh Jarrah. Demonstruesit tundnin në manifestim flamurë izraelitë dhe palestinezë dhe thërrisnin: "ndalojeni shkatërrimin e shtëpive."

Ndërkohë, qeveria e SHBA, përpiqet t'i nxisë Izraelin dhe Autoritetet palestineze të Autonomisë që të rifillojnë "bisedime indirekte". Sipas informacioneve të gazetës së përditshme "Ha'aretz", Uashingtoni pret që të dyja palët e konfliktit të zhvillojnë bisedimet indirekte seriozisht dhe me besim. Shtëpia e Bardhë e siguroi palën palestineze me shkrim, se në rast të dështimit të bisedimeve indirekte të paqes, do të bëjë të ditur publikisht dhe pa ekuivoke se kush e mban fajin për dështimin e bisedimeve.

Për presidentin e palestinezëve, Mahmud Abas dhe Ligën Arabe ky pasazh ka qenë vendimtar për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të rënë dakord me modelin e propozuar nga Uashingtoni të "negociatave indirekte"- pra për të rënë dakord me diplomacinë e ecejakeve midis Izraelit dhe Autoriteteve Palestineze të Autonomisë.


Fajin për dështimin e negociatave gjithmonë ua hedhin palestinezëve

Abasi ka pasur në të kaluarën gjithmonë përshtypjen se Izraeli vërtet që nuk u është përmbajtur marrëveshjeve si Road Map të vitit 2003, duke përfshirë edhe ndalimin e atjeshëm të ndërtimit të kolonive. Por se fajin për dështimin e procesit të paqes ua kanë hedhur rregullisht palestinezëve. Kryenegociatori Saeb Erekat:

"Dështimi i qeverisë izraelite për të pranuar zgjidhjen në dy shtete në kufijtë e vitit 1967 do të thotë hapur dhe qartë e pa ekuivoke: ata nuk janë të interesuar për një paqe, e cila bazohet në një zgjidhje me dy shtete."

Me këtë Erekati iu referua deklaratave të kryeministrit izraelit, Beniamin Netanjahu në ditët dhe javët e shkuara. Sipas tyre, Netanjahu edhe në rastin e një zgjidhjeje paqësore, do t'i përmbahej krahas kolonive të mëdha në pjesën e pushtuar të Jordanit, edhe pjesës arabe lindore të Jeruzalemit e veç kësaj edhe luginës pjellore të Jordanit me kolonitë e atjeshme. Kryeministri Netanjahu e përshëndet nisjen e bisedimeve me autoritetet palestineze të autonomisë dhe rolin e moderatorit që do të marrë përsipër i ngarkuari amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell:

"Senatori Mitchell ka një veprimtari shumë të rëndësishme, për të cilën ne jemi mirënjohës. Ne do ta përshëndesim fillimin e bisedimeve, edhe sikur ato të jenë vetëm bisedime afrimi."


Sukses për Netanjahun

Për herë të parë që prej nisjes së detyrës një vit më parë, Netanjahu mund të shënojë me rifillimin e bisedimeve të paqes një sukses të rëndësishëm në politikën e jashtme - meqenëse bisedimet zhvillohen me kushtet e tij. Kërkesa e presidentit të palestinezëve, Mahmud Abas, që bisedime me Izraelin do të ketë vetëm atëherë, kur Izraeli ta respektojë ndalimin e kolonive hebreje, për të cilin u ra dakord në planin e paqes të vitit 2003, në fillim u mbështet nga presidenti Obama, pastaj kësaj kërkese iu hoq mbështetja.

Autor: Klemens Verrenkotte/Auron Dodi

Redaktor: Bahri Cani