1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovo-Serben wollen Russen werden

21 Nëntor 2011

Rreth 21.000 serbë nga Kosova kanë aplikuar për shtetësinë ruse. Pritet që ky numër të rritet. Ky rast unik po shkakton turbullira para së gjithash në parlamentin rus.

https://p.dw.com/p/13EQT
Russia help - Nga një aksion proteste i serbëve në vitin 2007
Russia help - Nga një aksion proteste i serbëve në vitin 2007Fotografi: AP

Kryetari i Komitetit të Jashtëm të Parlamentit rus, Konstantin Kosachev, e quajti në blogun e tij të premten (18.11.) një "moment kyç në historinë evropiane". Ministria e Jashtme në Moskë konfirmoi se mijëra serbë nga Kosova kanë bërë kërkesë për të marrë shtetësinë ruse. Arsyeja: Ata kanë frikë për sigurinë e tyre. Kërkesat do të shqyrtohen tani me "kujdes", thuhet në Moskë.

Deputeti i Dumës Kosachev nuk beson se serbët e Kosovës do të emigrojnë vërtet në Rusi. Për atë ky është më tepër "një veprim politik," një thirrje për ndihmë "njerëzish të dëshpëruar, të cilët janë lënë në baltë nga autoritetet lokale, Beogradi dhe Brukseli." Kosachev mendon se ky akt konfirmon se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes së Kosovës ka qenë i drejtë. Moska e ka kritikuar ashpër shpalljen e njëanshme të pavarësisë të Kosovës në vitin 2008 dhe deri më sot ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Serbia do të futet në BE, por serbët e Kosovës duan të bëhen rusë. Montazh me flamuj serbë, rusë dhe evropianë
Serbia do të futet në BE, por serbët e Kosovës duan të bëhen rusë. Montazh me flamuj serbë, rusë dhe evropianëFotografi: AP/DW

Shpresa për mbrojtjen ruse

Fushatën për shtetësi ruse në Kosovë e kanë organizuar shoqatat serbe "Serbia e Vjetër" dhe "Betimi për Kosovën." Deri tani sipas tyre tek autoritetet ruse janë dorëzuar rreth 21.000 kërkesa . Kryetari i "Betimi për Kosovën," Rajko Gjurgjeviq, tha për Deutsche Wellen, se ndërkohë janë mbledhur 50.000 nënshkrime të tjera.

Në Kosovë ende jetojnë sot reth 80.000 serbë. Prishtina dhe Beogradi janë duke negociuar për çështjet e jetës praktike të pakicës serbe. Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo synon të anëtarësohet në BE dhe mund t'i bëjë Prishtinës koncesione të mëtejshme, gjë për të cilën serbët e Kosovës frikësohen, shumë. "Kjo është arsyeja pse ne kemi apeluar tek Federata Ruse, në mënyrë që të marrim shtetësinë e dyfishtë. Kështu, serbët do të ketë një farë lloj mbrojtje," tha Gjurgjeviq.

Serbët në Kosovë kanë mendime të ndryshme rreth këtij aksioni. Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën qendrore, Dragan Veliq, tha se numri i lartë i kërkesave dëshmon se aksioni ishte i justifikuar. "Ky është një hap në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e publikut ndërkombëtar për problemet serioze të serbëve të Kosovës", tha Veliq. Rangjel Nojkiç, i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe beson, megjithatë, se ky veprim është "një farsë" dhe fushatë e pastër për media. Ai madje vë në pikëpyetje vërtetësinë e nënshkrimeve.Kryetari i komunistëve, Gennady Zyugavov.

Lideri i komunistëve rusë, Gennady Zyugavov
Lideri i komunistëve rusë, Gennady ZyugavovFotografi: AP

Vështirësi për marrjen e nënshtetësisë ruse

Sidomos komunistët dhe populistët e djathtë në Rusi i kanë bërë thirrje qeverisë për t'u dhënë dritë të gjelbër kërkesave serbe për shtetësinë ruse. "Me serbët kemi lidhje gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore shumë të ngushta," tha udhëheqësi komunist Gennady Zyuganov. Edhe brenda partisë në pushtet "Rusia e Bashkuar", dëgjohen deklarata të tilla.

Por marrja e nënshtetësisë ruse për të huajt nuk është e lehtë. Ligji parashikon që ata që bëjnë kërkesë për natyralizim, duhet të kenë jetuar të paktën pesë vjet pa ndërprerje në Rusi. Ka dhe përjashtime, për shembull, për qytetarët ish-sovjetikë. Për shembull, për disa kohë tashmë u shpërndanë pasaporta ruse për banorët e provincave separatiste gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Mbeten çështje të hapura

Ekspertja për Ballkanin në Akademinë Ruse të Shkencave, Anna Filimonowa mendon se një vendim në favor të serbëve të Kosovës mund të jetë i mundur. "Unë jam personalisht për atë. Nëse ata duan të marrin shtetësinë ruse, atëherë ne duhet të kërkojmë mënyra për ta zgjidhur këtë çështje," tha Filimonowa për Deutsche Welle. Ajo kërkon gjithashtu që të zgjidhet thelbi i problemit dhe të respektohen të drejtat e serbëve të Kosovës. Çështja duhet të zgjidhet në nivelin politik.

Lydia Grafowa, kryeredaktore e revistës së Moskës "Migrimi në shekullin e 21" mendon ndryshe. Natyralizimi i serbëve nga Kosova është i pamundur sipas legjislacionit rus. Deputetët që argumentojnë pro kësaj janë "hipokritë". Deklarata të tilla janë "jo më shumë se një marifet, aksion PR, përpara zgjedhjeve parlamentare në dhjetor", thotë Grafowa.

Eksperti rus për migrimin Vyacheslav Postawnin i referohet një aspekti tjetër. "Me sa duket është harruar se ceremonia e shtetësisë ruse për njerëzit që jetojnë jashtë vendit, është e lidhur me detyrime të caktuara për Rusinë." Nëse Serbët e Kosovës janë qytetarë rusë, Moska duhet t'i mbrojë ata dhe mund të dërgojë ushtarët e saj në Ballkan, thotë Postawnin. Përveç kësaj, ndoshta do të bëhen të nevojshme shërbimet financiare, për shembull, për pagesat e pensioneve. Çështje të cilat do të shkaktojë diskutime të mëtejshme në Moskë.

Autor: Roman Goncharenko /Zulfija Jakupi / Artjom Khan/Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi