1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e Kosovës refuzojnë normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë

afp/dpa/dw/ P Pani28 Maj 2013

Serbët e Kosovës duan të themelojnë një parlament të tyre krahinor në kuadrin e kushtetutës së Serbisë.

https://p.dw.com/p/18fPy
Fotografi: AFP/Getty Images

Serbët e Kosovës e refuzojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, të arritur nën patronazhin e BE-së. Rreth 40.000 serbë, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duan të themelojnë një parlament të tyre krahinor në kuadrin e kushtetutës së Serbisë, i tha të martën agjencisë së lajmeve AFP udhëheqësi i serbëve Marko Jakshiq. Jakshiq tha se ata duan të "mbrohen" kundër marrëveshjes "jokushtetuese" nga Brukseli. Jakshiq njoftoi se mbledhja themeluese e kuvendit krahinor do të mbahet në javën e ardhshme.

Marrëveshja e mesit të prillit qe një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian për një afrim të të dy vendeve me BE-në. Serbia shpreson që pas kësaj të marrë në në samitin e BE-së në qershor një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Edhe pse detajet e përmbajtjes së marrëveshjes, që u arrit me ndërmjetësimin kryediplomates së BE-së Catherine Ashton, nuk janë bërë publike nga BE-ja, në shtyp u shfaq një listë jozyrtare me 15 pika. Ndër të tjera përcaktohet se parashikohet që serbët në Kosovë të emërojnë kreun e policisë rajonale dhe mund të rregullojnë çështjet gjyqësore në ato zona, ku ata janë shumicë. Megjithatë kjo duhet të bëhet gjithmonë "në kontekstin e institucioneve ligjore të Kosovës."