1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët pengojnë EULEX-in

6 Mars 2012

Serbët sërish kanë bllokuar lëvizjen e Eulexit në veri të Kosovës. Serbët e kanë shpjeguar këtë vendim për bllokimin e sërishëm të rrugëve me pohimet se nuk duan vendosjen e institucioneve të Kosovës në veri

https://p.dw.com/p/14Fz8

Serbët sërish kanë bllokuar lëvizjen e Eulexit në veri të Kosovës. Në rrugët që çojnë për në Bërnjak janë bllokuar tre automjete të Eulexit. Automjetet e Eulexit kanë shkuar në drejtim te rajonit policor në Zubin Potok. Ndërkohë Kfori ka bllokuar rrugën që çon për Zubin Potok, ndërsa në vendin e quajtur Zupçë janë mbledhur një numër më i madh serbësh. Situata aktualisht është e qetë. Serbët e kanë shpjeguar këtë vendim për bllokimin e sërishëm të rrugëve me pohimet se nuk duan vendosjen e institucioneve të Kosovës në veri të vendit.

Pamje nga barrikadat serbe në veri të Kosovës ( Rudare, gusht 2011)
Pamje nga barrikadat serbe në veri të Kosovës ( Rudare, gusht 2011)Fotografi: picture alliance/dpa

EULEX-i me qasje të kushtëzuar në veri

Edhe para ca ditësh (2.3.) grupe serbësh të pjesës veriore të Kosovës, nuk kanë lejuar veturat e misionit EULEX, që të qarkullojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës. “Një grup i personave të strukturuar, e kanë detyruar personelin e EULEKS-it të kthehet prapa në drejtim të Mitrovicës”, kishte njoftuar të premten (2.3.) zëdhënsi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.

Ndërkaq zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i ka deklaruar DW-së se bllokadat e serbëve po bëjnë që misioni EULEX, të mos ketë qasje të pakushtëzuar në veri. “Situata në veri të Kosovës mbetet e pa ndryshuar ku qasje e misionit EULEX është e kufizuar. Shqetësim i veçantë për misionin EULEX, mbetet pengimi i punës në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, gjë që privon drejtësi për të gjithë qytetarët e asaj pjese”, ka deklraruar zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Autorë: Bahri Cani / Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti