1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia blen avionë nga Rusia

Ivica Petroviq/Bahri Cani24 Maj 2013

Krerët e Serbisë kanë shkuar për vizitë në Rusi. Temat kryesore do të jenë mbështetja ruse në çështjen e Kosovës dhe blerja e avionëve ushtarakë rusë, gjë që ka shkaktuar komente të shumta kundërthënëse.

https://p.dw.com/p/18dR7
Vladimir Putin dhe Tomislav NikolicFotografi: REUTERS

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vuçiq është takuar me homologun e tij rus Sergej Shojgu, ndërsa presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq do të takohet me presidentin rus Vlladimir Putin. Në prag të këtyre takimeve ëshë thënë se temë kryesore do të jetë mbështetja ruse ndaj politikës së Serbisë për Kosovën. Mbështetja ruse ka një domethënie shumë të fuqishme për Serbinë, mendon komentatori i gazetës Politika, Slobodan Samarxhija. Por mbetet të shihet se cilat janë reagimet ruse, pas heqjes dorë të Beogradit nga qëndrimet e ngurta ndaj Kosovës. Shikuar nga deklaratat e para, Moska zyrtare nuk ka asgjë kundër marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Nëse Marrëveshja me të vërtetë është ashtu siç po prezantohet në Beograd, atëherë me siguri që do të ketë edhe mbështetjen e Rusisë. Rusia është e vetëdijshme se Serbia i takon kësaj pjese të Evropës dhe ka nevojë për mbështetje nga Burkseli. Por me kusht që këto raporte të mos jenë në dëm të Rusisë", mendon ai.

Bashkëpunim teknik dhe jo ushtarak?

Një pjesë shumë e rëndësishme e vizitës së Aleksandar Vuçiq në Moskë janë bisedimet për blerjen e avionëve ushtarakë rusë. Serbia dhe Rusia po bisedojnë për blerjen e gjashtë avionëve Mig 29-M2 dhe sistemeve radare. E gjithë kjo do të kushtojë sipas disa vlerësimeve rreth 400 milionë dollarë. Kjo tregti ka shkaktuar reagime të shumta, sepse disa analistë mendojnë se Serbia do të duhej të blente avionë në Perëndim, ndërsa të tjerët thonë se Serbia duhet të kursejë dhe këto para t'i shfrytëzojë për mbulimin e deficitit në buxhet.

Aleksandar Vucic
Aleksandar Vucic, ministri serb i MbrojtjesFotografi: picture alliance / dpa

Sllobodan Samarxhija mendon se kjo është më shumë një pjesë e bashkëpunimit teknik. "Kjo më shumë i takon bashkëpunimit teknik mes industrisë ushtarake ruse dhe serbe se sa një bashkëpunimi klasik ushtarak", pohon ai

"Sinqerisht shpresoj se vizitat në Rusi nuk do të kalojnë në kërkim të parave nga Moska, por do të bisedohet për mundësitë e investimeve", thotë për Deutsche Wellen ekonmisti Aleksandar Stevanoviq. Kohët e fundit janë përmendur shifra të mëdha të kredive dhe ndihmave financiare për Serbinë. Por Stevanoviq nuk e beson që Rusia është e gatshme të hedhë para kot. "Nuk e besoj se në fund do të ketë ndihma të mëdha. Sikur të dërgonin shumë ndihma, me siguri që në Serbi do të shpërthente një valë e re dashurie ndaj Moskës dhe nuk do të kishte gatishmëri politike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ky problem do të zgjaste me vite të tëra. Ndaj edhe nuk është keq që Rusia nuk po e ndihmon tepër Serbinë financiarisht", pohon ai.

Aleksandar Stevanoviq thotë se investimi në siguri nuk është kurrë tepër i shtrenjtë. "Ndaj nuk kam asgjë kundër, nëse invesohet në blerjen e avionëve rusë, ndonëse do të ishte më mirë të orientohemi drejt organizatave që garantojnë liri dhe pavarësi, dhe në këto organizata nuk bën pjesë Rusia", shton ai.

Russland Kampfjet Sukhoi Su-27
Avionë rusëFotografi: Philippe Lopez/AFP/Getty Images)

Me avionët rusë në NATO?

Kritikët nuk janë të sigurtë nëse Serbia me këtë tregti po ble avionë apo mbështetjen ruse? "Rusët me siguri që nuk do t'na vlerësojnë më shumë për këto veprime, ndërkohë që në këtë mënyrë ia kthejmë shpinën SHBA-së. Në fund të fundit ne do të paguajmë çmimin e këtij ekzibicionizmi. Në këtë mënyrë vetëm dëshmojnë se nuk kemi një politikë konseguente diplomatike. Por shpresoj se blerja e këtyre avionëve nuk do të pengojë ardhmërinë tonë eventuale në NATO, sepse ka dhe vende të tjera të cilat në NATO janë futur me avionë rusë", pohon ai.