1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia duhet të përmirësojë raportet me Kosovën, nëse do BE-në

Bekim Shehu20 Dhjetor 2013

Sipas përfaqësuesve të tij në Prishtinë, BE e trajton njëjtë Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt BE-së, por procesi zhvillohet në faza të ndryshme.

https://p.dw.com/p/1Adtk
Prishtina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Prishtina zyrtare nuk duket shumë e kënaqur me Bashkimin Evropian dhe me pritjet nga dialogu politik me Serbinë, sidomos pas takimit të kësaj jave të shefave të shteteve anëtare të BE-së, të cilët Serbisë i dhanë datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE. Ndërkohë Kosovës vetëm iu rikonfirmua vazhdimi i negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, MSA. Kjo automatikisht e rendit Serbinë një hap para Kosovës drejt BE-së.

Përfaqësues nga zyra në Prishtinë e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, thonë se politika e zgjerimit e Bashkimit Evropian zhvillohet me hapa të njëpasnjëshëm dhe në faza të ndryshme për vendet, që aspirojnë BE-në. Stojan Pelko, zëdhënës i Samuel Zhbogar, i tha DW se progresi i çdo vendi në rrugën drejt BE-së nuk duhet të shihet vetëm me terma absolut.

BE-ja e trajton njëjtë Kosovën dhe Serbinë, por në faza të ndryshme

Kur Kosova filloi zyrtarisht negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit MSA në tetor të këtij viti, ajo hyri në marrëdhëniet e para kontraktuale me BE, që është një hap i pashembullt dhe që mund të krahasohet me procesin e Serbisë dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE”, thotë Stojan Pelko.

Përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel Zhbogar
Përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel ZhbogarFotografi: AP

Ai thotë se trajtimi nga BE për vendet që aspirojnë BE-në është i njëjtë, por që zhvillohet në faza të ndryshme. Edhe Kosova edhe Serbia, thotë Stojan Pelko, janë bashkuar me të njëjtin qëllim, për t'u integruar plotësisht në BE, mirëpo të dy vendet po ecin në rrugën e tyre. “Ritmi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE, do të jetë direkt i lidhur me përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën”, thotë Stojan Pelko, nga zyra e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Qitaku, i tha DW se dialogu me Serbinë ishte komponenti politik, që i mundësoi Kosovës fillimin e negociatave për MSA. “Marrëveshja e 19 prillit i ka ofruar Kosovës një platformë konkrete duke filluar negocimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit, ndonëse në Komisionin Evropian këto dy procese mundohen t'i mbajnë të shkëputura. Megjithatë, është evidente që Kosova nuk do të kishte të mundur ta fillojë MSA-në pa një marrëveshje politike me Serbinë, e cila prodhoi një momentum brenda Bashkimit Evropian, posaçërisht me pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Vlora Qitaku.

Sipas saj, pas fillimit të negociatave të Kosovës për MSA, dialogu me Serbinë më nuk do ta diktojë dinamikën e negociatave.

MSA-ja ka agjendë të qartë dhe tashmë nuk mund të diktohet nga dialogu. Ne kemi kapituj të veçantë që po negociojmë dhe që duhet të përmbyllen dhe është realiste të presim që kjo marrëveshje të përmbyllet në prill të vitit të ardhshëm”, thotë Vlora Qitaku.

Vlora Çitaku, Ministre e Integrimeve Evropiane
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora ÇitakuFotografi: DW/B. Shehu

Ndërkohë, tashmë po bëhen dy vite kur Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, mirëpo megjithë angazhimin dhe plotësimin e kritereve të kërkuara nga institucionet e Kosovës ky proces akoma nuk ndodhet në fazën finale. Për këtë qeveria e Kosovës fajin e hedh të Komisioni Evropian.

Komisioni Evropian po prodhon zvarritje

“Në procesin e liberalizimit të vizave Komisioni Evropian po prodhon zvarritje procedurale. Misioni vlerësues i Komisionit Evropian, që ishte në Kosovë disa ditë më parë nuk ishte i plotë dhe vlerëson punën e institucioneve të Kosovës vetëm në tri blloqe, ndërkohë që udhërrëfyesi ka pesë blloqe. Që do të thotë se nuk mund të kemi një raport të Komisionit Evropian pa pasur vlerësim në pesë blloqe”, thotë Vlora Qitaku.

Ministrja Qitaku thotë se dakordimi me Komisionin Evropian ishte që brenda këtij viti të kemi vlerësimin për pesë blloqet e procesit të liberalizimit të vizave. Megjithatë ministrja Qitaku thotë se Kosovës i është premtuar se dy komisionet vlerësuese për dy blloqet tjera do të qëndrojnë në Kosovë në fillim të vitit të ardhshëm, në mënyrë që ta përmbyllin vlerësimin final për procesin e liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë mediat në Prishtinë shkruajnë se Bashkimi Evropian e mbivlerësoi Serbinë, kur i dha datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, ndërkohë që Kosova po vazhdon të jetë në një siç thuhet, status-quo, apo një hap prapa Serbisë drejt BE-së. Në fjalimin vjetor para Kuvendit të Kosovës presidentja Atifete Jahjaga ishte deklaruar se BE-ja duhet të kushtëzojë përparimet e integrimit të Serbisë në BE me zbatimin e plotë të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.