1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia duhet ta thotë hapur se ka dështuar politika e saj për Kosovën

16 Dhjetor 2011

A ka kërkuar BE prej Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE? Kjo është pyetja e cila kohët e fundit më së shumti ka rënduar skenën politike në Beograd.

https://p.dw.com/p/13U4H
Ivica Dacic dhe Boris Tadic
Ivica Dacic dhe Boris TadicFotografi: AP

Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin pohon se Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar prej Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Ndërsa ministri i policisë Ivica Daçiq përgjigjet, sipas fjalës popullore, "nuk është buka po kulaçi". Sipas tij, "në qoftë se Serbia pranon kushtet të cilat i janë parashtruar për të fituar statusin e kandidatit, kjo do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës".

Me fjalë të ngjashme është shprehur edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq. Ai bëri të ditur se nga Serbia në prag të samitit të BE-së është kërkuar që të heqë dorë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas tij, kjo do të thotë njohje e tërthortë e shtetit të Kosovës. Serbia e ka refuzuar këtë kërkesë dhe ka mbetur pa statusin e kandidatit për anëtarësim, tha ai.

Jo vetëm lojë fjalësh

Jelko Kacini dhe Daçiqi flasin me gjuhë të ndryshme politike, thotë Neven Cvetiqanin nga Instituti i shkencave shoqërore. Kacini shprehet me gjuhë burokratike, ndërsa ministri serb i policisë flet për pasojat e vendimeve që do të merreshin.

Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin
Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko KacinFotografi: Europäisches Parlament

"Nuk është këtu fjala vetëm për lojë fjalësh, sepse nga Serbia është kërkuar të pranojë paraqitjen e Kosovës në takimet rajonale, duke mos respektuar Rezolutën 1244. Me heqjen dorë nga ky dokument, Serbia do të këpuste edhe lidhjen e fundit formale me Kosovën. Daçiqi është një politikan i shkathët dhe e thotë shumë qartë se cilat do të ishin pasojat e një vendimi të tillë", pohon Cvetiqanin.

Ndërsa kryetari i Klubit Përparimtar Çedomir Antiq, pohon se "është e turpshme, që nga pozicionet e një politikani të lartë të mos thuhet e vërteta". Por problemi kryesor është falimentimi i politikës serbe ndaj Kosovës, sepse Beogradi është përpjekur të balancojë mes politikës - edhe Kosova edhe BE-ja.

"Daçiqi dhe Tadiqi tani e thonë hapur atë që është kërkuar fshehurazi prej fillimit. Mendoj se për fillim do të ishte mirë që të thuhet se politika e deritanishme ka dështuar", thotë Antiq.

Kosova si Bosnja

Gjatë viteve të kaluara janë paraqitur modele të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Serbia ka dhënë disa propozime, por pasi është bërë e qartë, se tani nga Beogradi kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës dhe asgjë tjetër, shtrohet pyetja: a ka ndonjë kuptim të paraqiten propozime të tjera? Neven Cvetiqanin thotë po, me shpjegimin se "Kosova pa njohje nga Serbia dhe ndryshimin e forcave brenda KS të OKB, nuk mund të arrijë shtetësinë e plotë".

„Zgjidhja mund të jetë si në Bosnjë-Hercegovinë. Do të thotë: sovraniteti do të ndahej mes përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtarë, shqiptarëve dhe serbëve. Fakt është që Kosova nuk është shtet i pavarur, por një lloj protektorati. Pra është i mundur një lloj entiteti i ndarë në dy entitete, ku mbikqyrjen do ta kishte bashkësia ndërkombëtare", mendon Cvetiqanin.

Ndarja zgjidhja më e mirë?

Edhe Çedomir Antiq mendon se duhet gjetur një zgjidhje e tretë. "Në këtë moment do të ishte mirë që udhëheqësit e partive parlamentare të uleshin në një takim të organizuar nga presidenti i vendit dhe të bisedonin për zgjidhjet. Zgjidhja më e mirë për Serbinë do të ishte arritja e një marrëveshje historike me shqiptarët për ndarjen e Kosovës“, pohon Antiq.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani