1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia duhet t'i pranojë rregullat e BE-së

Marina Maksimovic/Bahri Cani27 Dhjetor 2013

Termi „negociatat" me BE-në shpesh keqintepretohet. Futja në BE nënkupton pranimin e rregullave të klubit, thotë drejtori i Drejtorisë së Komisionit të BE për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel në intervistë me DW.

https://p.dw.com/p/1AhUY
Fotografi: AP/Montage DW

Deutsche Welle: BE-ja ka paralajmëruar mbajtjen një konference ndërqeveritare me Serbinë, me 21.01.2014. Në Bruksel thuhet se fjala është për "fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE" dhe për "një fazë të re të raporteve me Beogradin". Si e shihni ju këtë hap të Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane?

Pierre Mirel: Këshilli i BE-së e ka konfirmuar vendimin e Këshillit të Ministrave, që Serbisë t'i lejohet fillimi i negociatave për anëtarësim, gjë që është e mirëseardhur. Ky është një mesazh i rëndësishëm jo vetëm për Serbinë, por për tërë Ballkanin Perëndimor, që do të thotë, se kur ekziston vullneti, ekzistojnë edhe mundësitë për arritjen e qëllimeve. Ne e kemi parë një vullnet të qartë të Beogradit dhe Prishtinës, që ta nisin një faqe të re në negociata dhe të kthehen drejt ardhmërisë, në mënyrë që bashkëpunimi të fitojë luftën me konfliktin. Ky është mesazh për të gjitha vendet e rajonit, në radhë të parë për Bosnjë e Hercegovinën. Në këtë rast shihet edhe fuqia transformuese e BE-së.

DW: Cili është mesazhi juaj për Serbinë para fillimit të negociatave?

Pierre Mirel: Leksioni nga zgjerimet e mëparshme të BE-së është në fakt që termi "negociata" po keqinterpretohet. Këtu nuk do të ketë kurrfarë negociatash, sepse hyrja në BE do të thotë pranim i rregullave të klubit. Miratimi i rregullave dhe zbatimi i tyre. Mesazhi për Serbisë është që të vazhdojë rrugën e reformave. Që të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu me Prishtinën dhe që të bëjë reforma në ekonomi.

DW: Zoti Mirel, ku është bërë përparimi më i madh në reforma?

Pierre Mirel: Në rend të parë dua të përmend fillimin e dialogut me Kosovën. Marrëveshja nga prilli paraqet një ndryshim historik. Para dy vitesh nuk ka mundur të paramendohet një gjë e tillë. Është ofruar perspektiva evropiane, ndërkohë që Serbisë i është dashur shumë kohë që t'i zbatojë kërkesat nga Marrëveshja e Stabilizim dhe Asociimit, që kanë nënkuptuar edhe bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës. Më pas ka ardhur deri tek zhvillimi i bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimi i raporteve ndërfqinjësore. Serbia ka bërë në këto fusha një punë të shkëlqyer në këto dy vitet e fundit. Nuk po flas vetëm për dialogun me Kosovën, por edhe për përmirësimin e raporteve me Kroacinë dhe Bosnjë Hercegovinën. Të gjitha këto janë zhvillime pozitive.

DW: Po kur janë në pyetje ndryshimet brenda Serbisë?

Pierre Mirel: Këtu janë të rëndësishme dy gjëra. Personalisht mendoj se zbatimi i plotë i MSA do të sjellë më shumë investime në Serbi, që do të thotë edhe më shumë vende të reja pune. Gjëra të tilla janë parë në Poloni, Hungari... Ndërsa kur bëhet fjalë për plotësimin e kriterieve të Kopenhagës, reformat duhet të bëhen në radhë të parë në drejtësi, sepse qytetarët duhet të rifitojnë besimin ndaj këtyre institucioneve. Ky do të jetë hapi tjetër për Serbinë: pra hapja e kapitullit 23, që është kapitulli elementar, sepse bëhet fjalë për organet juridike dhe të drejtat e njeriut.

A kanë qenë bisedimet për Kosovën vendimtaret?
A kanë qenë bisedimet për Kosovën vendimtaret?Fotografi: European External Action Service

DW: Disa vende të BE në veçanti insitojnë në kapitullin 35, që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Si e vlerësoni ju kërkesën, që para anëtarësimit në BE të nënshkruhet marrëveshja për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës? Në Bruksel thuhet se nuk kërkohet njohja e Kosovës, por ka dhe të tillë, që thonë, se kjo në fakt është njohja e Kosovës.

Pierre Mirel: Me rëndësi është që në vitet e ardhshme të zbatohet ajo, që është arritur në dialog, në mënyrë që të sigurohet në radhë të parë lëvizja e lirë e qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës. Liria e lëvizjes do të ndihmojë në ndryshimin e qëndrimeve, mentalitetit, në shtimin e tregtisë dhe investimeve në këto vende. Dhomat e tregtisë të këtyre vendeve e kanë nënshkruar edhe Memorandumin për Mirëkuptim, i cili duhet të zbatohet. Kjo është më e rëndësishmja. Procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE do të zgjasë me vite të tëra dhe me rëndësi është, që këto vende të mos pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.

DW: Po a mund të flitet më konkretisht, se kur mund të anëtarësohet Serbia në BE?

Pierre Mirel: Kur shikon procesin, që ka kaluar Kroacia, mendoj se Serbia edhe vetë mund të bëj llogaritjen, se sa do të zgjatë rruga e saj deri në anëtarësimin në BE.