1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia para sfidave të reja

29 Shkurt 2012

Rekomandimi që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, është një lajm i mirë për Beogradin. Por hapa të tjerë nuk do të ketë para zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re serbe.

https://p.dw.com/p/14Brn
Fotografi: DW

Rekomandimi i ministrave të Bashkimit Evropian që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE është një lajm i mirë për Serbinë, pohon për Deutsche Wellen, Aleksandra Joksimoviq, drejtore e Qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd. Por ajo paralajmëron se nuk do të ketë hapa të tjerë, para zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re. "Në varësi nga qëndrimet dhe prioritetet e tij, Bashkimi Evropian do t'i ofrojë Serbisë modalitete të ndryshme bashkëpunimi dhe do t'i paraqesë kushte të reja para se të fillojnë negociatat për anëtarësim. Nuk duhet pritur që ky proces të shkojë shpejt dhe me lehtësi. Mendoj se fundi i këtij viti është koha më reale kur mund të përcaktohet ndonjë termin për fillimin eventual të negociatave", pohon Joksimoviq.

Marrja e statusit të kandidatit e vë Serbinë në një pozitë krejt tjetër në raport me BE-në, thekson Maja Bobiq, sekretare e përgjithshme e Lëvizjes Evropiane në Serbi. Maja Bobiq mendon se Serbia tani duhet të luftojë për kohën e fillimit të negociatave me BE-në. "Kjo është faza esenciale dhe më e rëndësishme për Serbinë, kur duhet të bëjë reformimin dhe transformimin e të gjitha gjërave që nuk janë mirë në këtë vend. Kjo është edhe esenca e angazhimeve për integrime evropiane. Mbetet të shihet tani se cila do të jetë dinamika brenda BE-së dhe sa shpejt do të përparojë Serbia në realizimin e detyrave të shtëpisë. Por shpresoj se negociatat do të fillojnë deri në fund të këtij viti“, pohon Bobiq.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Të shmangen skenaret e pritjes së gjatë

Detyra kryesore e Serbisë është tani që t'i shmanget kurthit të mbërthimit për një kohë shumë të gjatë nga marrja e statusit të kandidatit deri në fillimin e negociatave për anëtarësim. "Një shembull i tillë është Maqedonia. Unë shpresoj se koalicioni i ardhshëm qeveritar do të kuptojë se përcaktimi për integrime evropiane nuk është vetëm një ide dhe qëllim i paarritshëm. Çdo hap duhet të shkojë në këtë drejtim. Ndryshe i tërë ky proces nuk do të ketë kuptim", pohon Joksimoviq duke shtuar se "në procesin e realizimit të obligimeve Serbia duhet të jetë shumë agresive".

Marrja e statusit të kandidatit është parë në Beograd gjithmonë si një element shumë i rëndësishëm për fushatën e ardhshme zgjedhore dhe si një dhuratë për forcat proevropiane. Aleksandra Joksimoviq mendon se një vendim pozitiv në dhjetor të vitit të kaluar do të ndikonte më shumë në zgjedhje se sa ky tani.

Pamje nga Brukseli
Pamje nga BrukseliFotografi: picture alliance / Arco Images GmbH

"Në dhjetor të vitit të kaluar njerëzit në Serbi janë dëshpruar shumë me vendimet e BE-së. Prandaj nuk e besoj që kjo çështje tani do të jetë tema qendrore parazgjedhore. Shumë më e rëndësishme do të jetë gjendja ekonomike dhe varfëria në vend. Por përgjigja negative nga Brukseli me siguri që do të kishte pasoja edhe më të mëdha për fushatën elektorale në Serbi", pohon ajo.

Autorë: Ivica Petroviq / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti