1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia po largohet nga statusi i kandidatit për anëtarësim në BE

Marina Maksiomoviq/Bahri Cani30 Nëntor 2011

Brukseli thotë se nga rezultatet e dialogut me Kosoven varet nëse Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ministri gjerman i Mbojtjes Thomas de Maizière tha se Serbia duhet të bëjë më shumë.

https://p.dw.com/p/13KCd
Thomas de Maizière
Thomas de MaizièreFotografi: DW-TV

"Serbia është gjithnjë e më larg statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ne besojmë se ajo duhet të bëjë më shumë", theksoi ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière, në Bruksel. Ministri gjerman tha se "ata nuk e besojnë që Serbia e ka humbur ndikimin tek serbët në veri të Kosovës", dhe se "ata kanë dalë jashtë kontrolli".

Lidhur me shkallëzimin e fundit të dhunës në Kosovë ku pati edhe 25 ushtarë gjermanë dhe austriakë të plagosur, ministri gjerman i Mbrojtes tha se ndikimi i Beogradit në veri të Kosovës është shumë më i madh, se sa që thuhet, duke shtuar se ky ndikim duhet të përdoret për implementimin e marrëveshjeve dhe të drejtës ndërkombëtare.

Nga Serbia kërkohet më shumë

"Ne kërkojmë prej autoriteteve serbe që të zbatojnë këto marrëveshje. Serbia është e interesuar që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që me këto veprime çdo ditë e më shumë largohet nga statusi i kandidatit për anëtarësim", theksoi Thomas de Maizière.

Ministri gjerman tha se ata nuk u besojnë pohimeve se ata që veprojnë në veri të Kosovës kanë dalur jashtë kontrollit të Beogradit.

Barrikadat serbe në Kosovë
Barrikadat serbe në Kosovë.Fotografi: picture alliance/dpa

"Si është e mundur që në Kosovë të kenë shkuar dhe të përzihen në zhvillimet atje rreth 70 të ashtuquajtur simpatizantë të klubit futbollistik Crvene Zvezde, pa e ditur askush? Kush i ka dërguar atje? Si kanë mbërritur atje, përmes cilave rrugë? Cilat janë detyrat e tyre në Kosovë? Si do të kthehen në Serbi?", pyeti Thomas de Maizière i cili pret nga autoritetet serbe që të japin një kontribut më të madh për zgjidhjen e problemeve. "Problemet atje nuk mund të zgjidhen vetëm me veprimin e KFOR-it dhe me rrugë ushtarake", theksoi ai.

Priten vendime të rëndësishme

Ministri gjerman i Mbrojtjes do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtjes që zhvillohet ditën e enjte (01.12.2011) në Bruksel. Në këtë takim do të shqyrëtohen edhe rezultatet e raundit të fundit të dialogut mes palës serbe dhe shqiptare për zgjidhjen e problemeve teknike, i cili ëshë mbajtur ditën e mërkurë.

Në rend dite ishin dy tema shumë delikate: menaxhimi i përbashkët i kufijëve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe prezantimi i Kosovës në takimet rajonale. Deri tani Serbia i ka quajtur kufinjtë e Kosovës si administrativ dhe jo shtetëror. Ndërkohë që ka kundërshtuar edhe përfaqësimin e Kosovës si shtet në takimet rajonale.

Gjermania ka bërë të qartë disa herë se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është i mundur pa zgjidhjen e problemeve me shtetet fqinje. Ndërkohë që komisioneri për zgjerimin Stefan Füle ka theksuar se pa arritjen e rezultateve konkrete në dialog me Prishtinën, nuk mund të pritet që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ky vendim do të merret përfundimisht në samitin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së i cili mbahet me 9 dhjetor në Bruksel.