1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliç kërkon falje për Srebrenicën

Eliana Xhani (dpa)25 Prill 2013

Për kohë të gjatë ai konsiderohej si ultranacionalist i betuar. Tani me xhestin e tij tërheq vëmendje dhe kontribuon në pajtim: Presidenti i Serbisë Nikoliç kërkoi falje për vrasjen e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë.

https://p.dw.com/p/18NEu
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Unë lutem në gjunjë që Serbisë t'i falet krimi i kryer në Srebrenicë", deklaroi presidenti serb Tomislav Nikoliç në një intervistë dhënë kanalit televiziv boshnjak BHRT. Megjithatë Nikoliç nuk foli për gjenocid, duke thënë se kryerja e gjenocidit duhet të mbështetet në prova. Vetëm një vit më parë ai ngjalli indinjatë në vendet fqinje në Ballkan dhe tek politikanët në Perëndim, me mohimin e plotë të gjenocidit në Bosnje.

Në intervistën dhënë kanalit BHRT, pjesë të së cilës u publikuan fillimisht në internet, Nikoliç formulon tani në mënyrë kufizuese, se gjithçka ka ndodhur gjatë luftës në ish-Jugosllavi ka karakteristika të një gjenocidi. Ai tha se shpreh keqardhje për "të gjitha krimet" që janë kryer në emër të shtetit apo popullit të tij.

Masakra e Srebrenicës, ku forcat serbe vranë rreth 8.000 myslimanë të Bosnjës në korrik 1995, është klasifikuar qartë si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare dhe është ndjekur në procese të shumta.

Presidenti serb Nikoliç
Tone të reja nga NikoliçFotografi: Reuters

Krime lufte: padi kundër Karaxhiç dhe Mladiç

Nikoliç u zgjodh president i Serbisë në 2012. Paraardhësi i tij në post Boris Tadiç ndër të tjera ishte angazhuar për dënimin nga parlamenti në Beograd i masakrës së Srebrenicës. Gjatë mandatit të tij u dorëzuan në gjykatën e OKB-së në Hagë ish-lideri i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç dhe ish-shefi i ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç.

Përpara se të zgjidhej president, Nikoliç ka bashkëpunuar ngushtë me ultranacionalistët e Partisë Radikale serbe, por e pati zbutur retorikën e tij gjatë fushatës elektorale. Serbia synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, i cili i dënoi qartë deklaratat e Nikoliçit për Srebrenicën në 2012.