1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidë BE-së dhe Beogradit: Serbët e Veriut radikalizojnë qëndrimet

19 Tetor 2011

Serbët në Veriun e Kosovës me një vendim të papritur kanë rritur maksimalisht të mërkurën kërkesat e kanë fajësuar Beogradin për mosinteresim ndaj tyre. Ata kanë thënë se do të lejojnë vetëm lëvizjen e KFOR-it me kusht.

https://p.dw.com/p/12vRS
Barrikadat nuk hiqen
Barrikadat nuk hiqenFotografi: DW

Në të vërtetë pritej një ofertë e gjerë kompromisi nga ana e serbëve për trupën ndërkombëtare të KFOR-it për të mënjanuar barrikadat e ngritura prej më shumë së një muaji. Por katër këshillat e katër komunave serbe pas mbledhjes së përfaqësuesve të tyre dolën me kërkesa maksimale, të cilat i bëjnë zero të gjitha përpjekjet e deritanishme të Bashkimit Evropian dhe KFOR-it për të qetësuar gjendjen në Veri, komenton agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Me këto kërkesa serbët jo vetëm që sfidojnë BE-në dhe KFOR-in, por edhe Serbinë.

Të ndërpritet dialogu Kosovë -Serbi

Ajo që duan të arrijnë komuna serbët e veriut është ndërprerja e marrëdhënieve me BE-në. Kërkesa e formuluar qartë: Ndërprerja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të nxitur e negociuar nga Bashkimi Evropian. Madje as rezultatet e vogla të negociatave të arritura deri më tani nuk duhen zbatuar, sipas tyre.

KFOR në gjendje gatishmërie
KFOR në gjendje gatishmërieFotografi: picture alliance/dpa

Misioni më i madh i BE-së për ligjin dhe drejtësinë, EULEX duhet të largohet, kërkojnë serbët e Veriut. Përfaqësuesit e katër komunave të rebeluara serbe sulmojnë edhe KFOR-in. Megjithëse KFOR-i kërkon heqjen e barrikadave, serbët duan të bëjnë vetëm një lëshim të vogël për hir të furnizimit të ushtarëve, por jo më shumë. Sipas tyre ushtarët e KFOR-it do të lejohen të kalojnë periodikisht postblloqet serbe vetëm nën rregulla të rrepta dhe një kontrolli "civil" të tyren. "Serbët ndoshta do të lejojnë që KFOR-i të punojë i lirë" tha zëdhënësi i komunave serbe të veriut, Milivoje Mihajlovic për televizionin RTS. "Por vetëm nëse ata nuk do të marrin pjesë në transportimin e doganierëve kosovarë dhe policisë". Agjencia gjermane e lajmeve dpa shkruan se thënë troç kjo kërkesë do të thotë që KFOR të kontrollohet nga serbët.

Serbët e Veriut sfidojnë edhe Serbinë

Në fund përfaqësuesit e komunave i drejtohen me kërkesa edhe Serbisë, që prej vitesh siguron mbijetesën e serbëve në Veri me disa qindra milionë euro në vit. Serbia duhet të ndërpresë bashkëpunimin me BE-në përsa i përket Kosovës, negociatorët e deritanishëm të Beogradit cilësohen si të dështuar. Serbisë i kërkohet që të stacionojë ushtarë dhe policë në Veriun e Kosovës. Ndërsa agjencia afp shkruan se serbët e kanë akuzuar Beogradin se nuk është i interesuar për serbët e atjeshëm. Për këtë arsye asambleja e komunave nuk i njeh as marrëveshjet e arritura mes Beogradit dhe Prishtinës.

Pamje nga Mitrovica
Pamje nga MitrovicaFotografi: DW

Me këto kërkesa, serbët e patundur të veriut, shkruan dpa, e vënë në pozicion të vështirë Serbinë. Më 9 Dhjetor krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së do të vendosin përfundimisht nëse Serbia do ta marrë statusin e vendit kandidat. Sipas qëndrimit të kancelares gjermane, Angela Merkel kjo do të varet nga ajo nëse Beogradi do të tërhiqet nga Veriu i Kosovës, dhe nëse banorët serbë do të nisin të bashkëpunojnë me qeverinë e Prishtinës.

Shumë analistë serbë kanë paralajmëruar se motoja e politikës së qeverisë së Serbisë "Edhe Kosova edhe Serbia" ndoshta në fund do të mbesë "As Kosova as Serbia". Në pranverë në Serbi zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Asnjë parti serbe nuk guxon të tregohet shumë tolerante për sa i përket Kosovës, megjithëse shumë ekspertë thonë se Kosovën e kemi humbur prej kohësh.

Autor: afp,dpa/Arapi

Redaktoi: Amarildo Topi