1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shërbimi Evropian për Veprimtarinë e Jashtme

Christian Trippe 26 Mars 2013

Dy vjet më parë filloi punën e vet Shërbimi Evropian për Veprimtarinë e Jashtme EEAS.

https://p.dw.com/p/183sM
Fotografi: Getty Images

Sot EEAS (European External Action Service) ka zyra në 140 vende, të ashtuquajturat "delegacione", ku punojnë 2.000 diplomatë. 1.500 të tjetrë punojnë në stafin e selisë së EEAS në Bruksel. Këto shifra janë në shikim të parë mbresëlënëse, por për këtë shërbim ka pakënaqësia të mëdha.

Kritika është përqendruar që nga fillimi tek shefja e EEAS-it lady Catherine Ashton, një politikane laburiste britanike. Ajo mori përsipër zyrën e "Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë", pa pasur ndonjë përvojë të konsiderueshme në politikën e jashtme apo në udhëheqjen e një institucioni të madh. Ashton u konsiderua shpejt në Bruksel si e papërshtatshme.

Por edhe vetë kritikët e Catherine Ashton e quajnë punën e saj si "mision i pamundur", një detyrë të papërballueshme: Krijimi i strukturës së EEAS u shoqërua nga luftëra të ashpra për pushtet me dhe brenda Komisionit Evropian. Njëkohësisht pati një ngarkesë masive pune në politikën e jashtme.

EU Außenminister informelles Treffen in Dublin
Pamja nga takimi jozyrtar i ministrave të Jashtëm në DublinFotografi: Getty Images

Në takimin e ministrave të Jashtëm në Dublin Lady Ashton i karakterizoi me këto fjalë vitet e saj të para në krye të EEAS-it. "Të fluturosh një aeroplan pa krahë, njëkohësisht fluturo dhe ndërto krahët. Tani që e kemi aeroplanin, duhet të bëjmë të mundur që ai vërtetë mund të fluturojë . "

Shqyrtimi i veprimtarisë së EEAS-së

Michael Georg Link, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, e mbron Catherine Ashton: "Ajo e ka bërë punën në një fazë ndërtimi tejet të vështirë shumë mirë." Megjithatë në Dublin Link u konsultua me kolegët e tij për një reformë të thellë të shërbimit. Deri nga mesi i vitit - sikurse ka rënë dakord BE-ja - do të merret në shqyrtim puna e EEAS. Pas këtij shqyrtimi të përgjithshëm duhet të ofrohen propozime për reforma. Para se BE-ja të mund të përgjigjet në mënyrë adekuate për krizat e politikës së jashtme, evropianët duhet para së gjithash të zgjidhin krizën e vazhdueshme të shërbimit të jashtëm.

14 vende të BE-së kanë përgatitur një projektide për reformimin e Shërbimit të Jashtëm që më në fund ky të bëhet një "instrument jetik". Britania e Madhe dhe Franca nuk e kanë nënshkruar këtë dokument. Të dy këto vende që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit këmbëngulin për një politikë të jashtme sovrane. Kjo u duk përsëri në debatin e brendshëm të BE-së mbi armatosjen e mundshme të rebelëve sirianë.

Qëndrimi idividual i Parisit dhe i Londrës kanë pasoja jo vetëm gjatë krizave të mëdha, të tilla si ato në Libi, Mali dhe Siri. Sipas diplomatëve të EEAS-it Londra dhe Parisi janë të rezervuar në dhënien e informacioneve. Për të forcuar shërbimin e Brukselit kundrejt kryeqyteteve, si zëvendëskryetarë të EEAS-it pritet të emërohen pas gjithë gjasash disa politikanë.

Integrimi i politikës së fqinjësisë në EEAS

Reformatorët gjithashtu propozojnë që në EEAS të integrohet edhe e ashtuquajtura "politikë e fqinjësisë". Marrëdhëniet e BE-së me fqinjët e saj të drejtpërdrejtë në Evropën Lindore dhe Afrikën e Veriut janë në përgjegjësinë e një komisioneri të posaçëm. Po ka edhe ide që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, të trajtohen në të ardhmen nga EEAS: p.sh. politika e zhvillimit, e tregtisë së jashtme, e fqinjësisë etj. Ministri i Jashtëm austriak Michael Spindelegger tha në Dublin. "Përfaqësuesja e lartë duhet të paraqesë udhëzimet."

Catherine Ashton Atifete Jahjaga und Hashim Thaci
Catherine Ashton, Atifete Jahjaga dhe Hashim ThaçiFotografi: DW/B. Shehu

Sidomos vendet e vogla anëtare të BE-së duan që EEAS të ndërtojë një shërbim konsullor mbikombëtar. Pra qytetarët e BE që mund të kenë nevojë për ndihmë jashtë vendit - psh. për një pasaportë, një përfaqësues ligjor ose një biletë avioni për t'u kthyer në atdhe - mund të marrin ndihmë në këtë shërbim, pavarësisht nga të cili vend i BE-së vijnë.

Edhe NGO-të ankohen se për projektet u duhet që të bien dakord me disa struktura që shpesh dublojnë njëra-tjetrën. Se si do të shkojë reforma nuk dihet. E sigurt është vetëm se Lady Catherine Ashton nuk do t'i zbatojë më këto reforma, sepse 57-vjeçarja ka bërë tashmë të ditur se në verën e vitit 2014 do të tërhiqet nga politika europiane.