1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanse dhe rreziqe: Ekonomia gjermane në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërt

10 Mars 2011

Ekonomia gjermane aktualisht njeh rritje. Po çfarë pasojash paraqet gjendja e pasigurtë në Afrikën Veriore për këtë ekonomi?

https://p.dw.com/p/10WdB
Ekonomia gjermane po rritet - pamje simbolikeFotografi: AP

Vlerësimi për vitin 2010 ishte pozitiv për shtetet që përfshihen tek MENA, - Midlle East&North Africa- shtetet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës së veriut, nga Maroku deri në Afganistan. Një treg dinamik në rritje, cilësohet ai. Nga pikëpamja gjermane megjithë pengesat burokratike, ato tregtare dhe embargot, eksporti gjerman njoftoi për një plus prej 14%. Për rajonin e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Afërt, Gjermania është partneri më i rëndësishëm furnizues. Por mos po merr fund një zhvillim i tillë për shkak të zhvillimeve në rajon?

Vendet e MENA-s kanë potencial

Jo, thotë Anton Börner, president i Shoqatës Gjermane të Tregtisë me shumicë (BGA). "Ka shumë mundësi të kemi një rënie të tregtisë dhe në fushën e turizmit, por kjo do të jetë e përkohshme dhe nuk duhet të mbulojë shanset për zhvillim në të ardhmen. Ajo që duhet thënë fillimisht, është se ndryshimet shoqërore nuk e kanë pikënisjen e tyre në një krizë të përgjithshme ekonomike. Ekonomia egjiptiane për shembull i kaloi shumë mirë pasojat e krizës botërore dhe financiare. Po kështu paraqitet gjendja edhe në Tunizi."

Anton Börner Präsident des Bundesverbandes Großhandel
Anton Börner president i Shoqatës Gjermane të Tregtisë me shumicëFotografi: picture-alliance/dpa

Madje edhe në vitin krizë 2009 rritja ekonomike në Egjipt kapi shifrën e 4,7%. Për këtë vit Fondi Monetar Ndërkombëtar ka prognostikuar një rritje prej 5,5%. Por mirëqenia ekonomike ndodhej në duart e disave, dhe nuk mbërrinte deri tek populli i varfër. Shumë të rinj duan ta ndryshojnë këtë gjendje, ata duan të kenë pjesën e tyre në këtë mirëqenie, barazi dhe shanse për të ardhmen.

Anton Börner është i sigurt që Gjermania mund të japë kontributin e saj në këtë pikë.

"Ajo që mësojmë nga kjo përvojë është që ne duhet të merremi me këtë pikë, po qe se duam që të kontribuojmë për zhvillimin pozitiv të këtij rajoni aq të rëndësishëm për politikën botërore dhe para dyerve tona. Për të stabilizuar rajonin do të thoja, se nevojitet një politikë kooperative, që përfshin ekonominë gjermane, qeverinë, bashkëpunimin për zhvillim dhe fondacionet politike."

Ekonomia - një levë ndihmuese për politikën

Presidenti i Shoqatës Gjermane të Tregtisë me shumicë mendon se ekonomia ka shanset më të mira të jetë aktive dhe të marrë rolin e këshillueses. Sepse në rast se bashkëpunimi mes instancave shtetërore ka pas vetes dyshimin e përzierjes së palejueshme në punët e brendshme, ekonomia është e çliruar nga këto dyshime dhe posedon një sërë kontaktesh të drejtpërdrejta. Këto mund të përdoren shumë mirë për të krijuar partneritete të reja mes palëve ekonomike, kooperime të reja mes firmave, por para së gjithash aleanca për arsimimin.

"Dhe një arsimim, siç e kemi ne këtu, një shkollim të specializuar profesional. Në këtë pikë nuk mjafton që të ngresh diku tre fabrika, por duhet investuar në qendra më të vogla. Në këtë pikë jemi ende në fillim, dhe nuk e kemi gjetur një zgjidhje. Mendoj se Evropa ka detyrimin të bëhet aktive në këtë pikë."

Kërkohet një afrim politik në nivel evropian, mendon Börner. Evropa është marrë shumë gjatë vetëm me atë që të pengojë flukset e refugjatëve apo të sigurojë furnizimin me lëndë të parë. Në marrëdhëniet tregtare dhe investuese duhet të fillojë një kapitull i ri.

Autor: Sabine Kinkartz/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti