1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA dhe Rusia vulosin çarmatimin atomik

8 Prill 2010

Presidenti amerikan Obama dhe homologu i tij rus Medvedev nënshkruan sot (8.4.) në Pragë marrëveshjen për çarmatimin bërthamor. Obama e quajti marrëveshjen hap i rëndësishëm, ndërsa Medvedev historike.

https://p.dw.com/p/MqW6
Obama dhe Medvedev pas nënshkrimit të marrëveshjes në PragëFotografi: AP

Presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe ai rus Dmitri Medvedev nënshkruan sot (8.4.) në Pragë marrëveshjen për çarmatimin bërthamor të dimensioneve më të mëdha që prej dy dekadash. Në një ceremoni festive në kryeqytetin çek ata hodhën firmat në marrëveshjen pasuese të asaj START të vitit 1991. Marrëveshja e re parashikon ndër të tjera që vendet të reduktojnë në 1.550 numrin e raketave atomike me rreze të gjatë veprimi. Presidenti rus Medvedev foli për një hap të rëndësishëm në procesin e çarmatimit dhe në përpjekjet për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Nga ana e tij Obama theksoi se marrëveshja është edhe një angazhim i Amerikës për sigurinë e aleatëve tanë evropianë. "Sot është një hap i rëndësishëm për sigurinë bërthamore, mospërhapjen e armëve bërthamore dhe për marrëdhëniet SHBA-Rusi. Ajo përmbush synimin tonë të përbashkët për të negociuar për traktatin e ri strategjik të reduktimit të armëve. Ai përfshin një regjim të plotë të verifikimit, i cili na lejon që të zgjerojmë më tej mirëbesimin. Kjo u mundëson të dyja palëve fleksibilitet për të mbrojtur sigurinë tonë, si dhe angazhimin e palëkundur të Amerikës për sigurinë e aleatëve tanë evropianë".

Autor: dpa/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Angelina Verbica