1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA-ja në 2012 midis stanjacionit dhe riorientimit

Christina Bergmann / Elert Ajazaj25 Dhjetor 2012

Viti 2012 qëndroi për SHBA-në plotësisht nën shenjën e zgjedhjeve presidenciale dhe të përpjekjeve për të dalë nga rënia ekonomike. Politika e jashtme ishte vetëm violinë e dytë.

https://p.dw.com/p/1788Q
Fotografi: MANDEL NGAN/AFP/Getty Images

Nuk ishte vit i mirë për politikën në Uashington. Fushata zgjedhore presidenciale dhe ashpërsimi i fronteve midis republikanëve dhe demokratëve çuan në një stanjacion në legjislacion. Thomas Mann, ekspert i politikës në Institutin Brookings në Uashington, i vrojton zhvillimet politike prej dekadash: "Gjithçka flet për faktin që ky ka qenë një nga kongreset më pak produktive në histori", i thotë ai Deutsche Welle-s. Megjithatë, gjërat nuk janë vendosur përfundimisht, vlerësimi final i raportit të forcave në nivel politik nuk është kryer ende. Kjo sepse negociatat rreth të ashtuquajturit "fiscal cliff", shkurtimet automatike në buxhet dhe rritjet e taksave, të cilat do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm në rast se republikanët dhe presidenti nuk merren vesh në Kongres për reforma ligjore, vazhdojnë.

Mirëpo tërheqja e litarit në çështjen "fiscal cliff" ka karakter përfaqësues për ashpërsimin e fronteve politike në vend: Demokratët dhe republikanët pajtohen që borxhet shtetërore duhet të ulen, por jo për mënyrën si duhet kryer ulja. Republikanët duan ta shmangin ngritjen e taksave; demokratët duan të kufizojnë shkurtimet e buxhetit.

Gjendja ekonomike ndihmon Obamën

Në stanjacionin politik nuk ka ndryshuar gjë as ngjarja qendrore e 2012-s, zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Obama u rizgjodh, por ai ka ende përballë një Dhomë të Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga republikanët. Presidenti e di, që janë shumë punë për t'u bërë, ndër të tjera duhet "zvogëluar deficiti, duhet reformuar ligji fiskal dhe ai për imigrimin, duhet arritur një pavarësi nga importet e naftës", kështu u shpreh Obama në fjalimin e tij të fitores.

U.S. President Barack Obama hosts a bipartisan meeting with Congressional leaders in the Roosevelt Room of White House to discuss the economy, November 16, 2012. Left of President Obama is Speaker of the House John Boehner. REUTERS/Larry Downing (UNITED STATES - Tags: POLITICS)
Republikani John Boehner dhe presidenti Barack ObamaFotografi: Reuters

Por mbi të gjitha qëndron gjendja ekonomike. Ajo, thotë Thomas Mann, ishte përcaktuese në rizgjedhjen e Obamës: "Sipas raportit të fundit produkti i brendshëm bruto është rritur në tremujorin e tretë me 3,1 për qind." Shkalla e papunësisë ra, por pas nivelit të ulët në 2009-n ajo (megjithëse ngadalë) është rritur.

Gafat verbale të sfiduesit të tij Mitt Romney dhe rezistenca e gjatë kundër ish-guvernatorit nga Massachusetts-i në partinë e tij bënë edhe diçka më tepër që imazhi i Obamës të forcohej. Këtyre iu shtua një uragan, i cili shkretoi pjesë të mëdha të bregdetit në verilindje dhe shkaktoi dëme që i kalojnë dhjetë miliardë dollarët. "Sandy" bëri të mundur për presidentin që ky të shfaqej pak para zgjedhjeve si baba i shtetit, i cili kujdeset për njerëzit dhe nuk do t'ia dijë për grindje partiake.

epa03511750 A sign reading "Rest in Peace Little Ones' hangs on the front door of a house in Newtown, Connecticut, USA, 16 December 2012, where 27, 20 of them children, were killed by a gunman on 14 December. U.S. President Obama will visit Newtown on 16 December evening to meet with victims' families and speak at an interfaith vigil. EPA/PETER FOLEY +++(c) dpa - Bildfunk+++
Masakra e Newtown-it mund të sjellë një ndryshim të qëndrimit ndaj armëve të zjarritFotografi: picture-alliance/dpa

At i tronditur pas "Newtown-it"

Një diskutim tjetër u rishfaq në 2012-n: ai për ligje më të ashpra për armët. Masakra e Newtown-it, në të cilën keqbërësi i vetëm vrau fillimisht të ëmën dhe pastaj në një shkollë 20 gjashtë- deri shtatëvjeçarë dhe gjashtë të rritur, e shock-oi kombin në fillim të dhjetorit. Në reagimin e tij të parë presidenti mezi i përmbante lotët. Pa kaluar një javë ai caktoi një komision nën drejtimin e zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili duhet të zbulojë me ç'masa mund të shmanget një tragjedi e tillë dhe të ulë në përgjithësi numrin e të vrarëve nga armët e zjarrit.

Republikanët në mëdyshje

Në të gjitha këto debate ("fiscal cliff", ndryshim i klimës, armë zjarri) republikanët gjenden në mbrojtje. Prej ndikimin të Tea Party-t konservatore ata janë zhvendosur shumë në të djathtë. "Dukej sikur ata po përfaqësonin tani vetëm grupe, pjesa e të cilave në popullsi bie, vlerat e përkrahjes për ta janë 15 për qind nën ato të demokratëve", thotë Thomas Mann. Ata nuk arrijnë të shënojnë pikë kundër Obamës as në politikën e sigurimit dhe të mbrojtjes.

Presidenti do të kishte dashur të përqëndrohej te politika e brendshme, por këtë nuk e lejuan plotësisht ngjarjet në Afganistan, në botën arabe dhe në Detin e Kinës Jugore, thotë në bisedë me Deutsche Welle-n Charles Kupchan i "Council on Foreign Relations". "2012-a ishte për politikën e Obamës në Afganistan një vit për të përgatitur për fazën finale opinionin publik, evropianët dhe NATO-n", thotë ai. Pra para së gjithash luftim terrorizmi, luftë kundër El Kaida-s dhe më pak kundër talibanëve, më pak "ndërtim shteti" dhe përqendrim i punës në dorëzimin e përgjegjësisë te afganët. Kupchan thotë se atë nuk do ta befasonte në qoftë se plani kohor do të shkurtohej në 2013-n.

Politika e jashtme nën shenjën e riorientimin

Politika e jashtme e Obamës vazhdoi të qëndrojë vitin e kaluar nën shenjën e riorientimit, thotë Kupchan, "të një forcimi të diplomacisë amerikane, gjë që pritet mirë nga pjesa tjetër e botës, një përzierje midis udhëheqjes dhe gatishmërisë për të dëgjuar me vëmendje", por njëkohësisht edhe të një zhvendosjeje të pikërëndesave: Largim nga ndërhyrjet ushtarake masive, afrim me shfrytëzimin me zgjuarsi për shembull të avionëve të armatosur pa pilot, dhe me misionet e përbashkëta, si me evropianët. Me këtë shpjegohet edhe mosgatishmëria e Obamës për ndërhyrje ushtarake në Siri, thotë Kupchan.

Për 2013 ka shumë punë për të bërë.