1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA në rrezik zhvleftësimi prej agjencive të vlerësimit të bonitetit

14 Korrik 2011

Lufta politike për rritjen e tavanit të borxhit maksimal në SHBA po merr përmasa dramatike. Agjencia e vlerësimit të bonitetit Moody's kërcënoi me shfuqizimin e notës maksimale të bonitetit për SHBA-në.

https://p.dw.com/p/11vH1
Logoja e agjencisë Moody's në Nju Jork
Logoja e agjencisë Moody's në Nju JorkFotografi: AP

Për shkak të grindjes mbi buxhetin në SHBA agjencia amerikane e vlerësimit të bonitetit Moody's vë në pikëpyetje aftësinë kredituese të ekonomisë më të madhe në botë. Kjo sipërmarrje, sipas të dhënave të veta, është duke verifikuar mundësinë e heqjes së notës maksimale "AAA" për bonot e thesarit në SHBA. Agjencia Moody's jep si argument paaftësinë deri tani të presidentit Barack Obama, për të arritur një marrëveshje në grindjen mes demokratëve nën drejtimin e tij dhe republikanëve në opozitë lidhur me rritjen e tavanit të borxhit maksimal nga 14,3 bilionë dollarë që është aktualisht - afërisht 10,1 bilionë euro. Bllokimi politik, sipas Moody's e shton rrezikun, që të mos mund të rritet kufiri maksimal i borxhit brenda afatit të duhur deri më 2 gusht. Kësisoj ka "një rrezik të vogël, por në rritje" për mungesë të përkohshme të aftësisë së pagesës të SHBA-së.

"Një rënie e aftësisë së pagesës, pavarësisht se për sa kohë, do ta ndryshonte rrënjësisth vlerësimin e Moody's mbi përpikmërinë e pagesave të ardheshme", tërheq vëmendjen agjencia. Nota "AAA" nuk do të ishte e përshtatshme për një periudhë më të gjatë. Në mes të prillit agjencia e SHBA për vlerësimin e bonitetit Standard & Poor's kërcënoi me shfuqizimin e vlerësimit maksimal për bonot e thesarit të SHBA-së.

Një agjenci kineze e vlerësimit të bonitetit do ta zhvleftësojë edhe më tej aftësinë e pagesës së SHBA-së

Pamje simbolike
Pamje simbolike

Krahas agjencive amerikane edhe tek agjencia kineze e vlerësimit të bonitetit Dagong ka nisur të humbasë besimi ndaj ekonomisë së SHBA-së. Madje edhe sikur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë të bien dakord për rritjen e kufirit të borxhit maksimal, ka gjasa që të bjerë kredibiliteti ndaj aftësisë kredituese të SHBA-së, thuhet në një dokument të publikuar të enjten (14.07.2011)në Pekin. Qeveria e SHBA-së "nuk ka një koncept bindës për uljen e deficitit shtetëror".

Dagong, një ndër agjencitë kryesuese në Kinë, e pati vlerësuar aftësinë kredituese të SHBA-së qysh në nëntor shumë më të ulët në krahasim me agjencitë e tjera ndërkombëtare nga "AA" në "A+". Udhëheqja kineze si kredituesja më e madhe e huaj në SHBA është e shqetësuar për krizën e borxheve në SHBA. Sipas të dhënave të Ministrisë amerikane të Financave Republika Popullore e Kinës në prill kishte dhënë 1, 152 bilionë dollarë për bonot e thesarit.

Pamje nga raundi i katërt i bisedimeve mes demokratëve dhe republikanëve të mërkurën (13.07.) në mbrëmje
Pamje nga raundi i katërt i bisedimeve mes demokratëve dhe republikanëve të mërkurën në mbrëmjeFotografi: dapd

Një fundjavë e nxehtë në vend të marrëveshjes

Në shtëpinë e bardhë nuk pati asnjë përparim as në raundin e katërt të bisedimeve mes demokratëve dhe republikanëve të mërkurën(13.07) në mbrëmje. Përkundrazi pati edhe më shumë tension mes Obama-s dhe opozitës. Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të dominuar nga republikanët, John Boehner, duhet t'i ketë refuzuar propozimet e qeverisë për kursime duke i etiketuar ato si "proçka dhe trukim bilancesh". Televizioni CNN njoftoi, se Obama ka replikuar me kolegun e partisë së Boehner-sit, republikanin Eric Cantor. Më pas ai e ka ndërprerë takimin dhe është larguar i indinjuar nga salla. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara Obama, thuhet të ketë deklaruar, se ai nuk do të lëshojë më pe, edhe sikur me këtë të rrezikojë presidencën e vet.

Kongresi i SHBA-së prej muajsh grindet lidhur me rritjen e tavanit ligjor të borxhit maksimal. Pragu prej 14,3 bilionë dollarësh është arritur në maj, por përmes ndryshimeve në bilance qeveria mund të fitojë më shumë kohë.

Banka e rezervave në SHBA paralajmëron nga rreziku mbarëbotëror i një reaksioni zinxhir

Obama i gatshëm për shkurtime voluminoze
Obama i gatshëm për shkurtime voluminozeFotografi: dapd

Republikanët duan të lejojnë borxhe të reja vetëm nëse njëkohësisht vendosen kursime në masë. Kampi demokrat i Obama-s është i gatshëm parimisht për shkurtime voluminoze, duke rritur njëkohësisht taksat për të pasurit. Republikanët janë kundër kësaj. Të enjten (14.07) bisedimet vazhdojnë. Nëse ato dështojnë, SHBA-ja kërcënohet nga mungesa e aftësisë së pagesës. Kjo do të "shkaktonte një reaksion zinxhir në të gjithë sistemin global të financave", tërhoqi vëmendjen shefi i Bankës së Rezervave Ben Bernanke gjatë një seance dëgjimi në kongres. Ekonomia e SHBA-së do të zhytej në një krizë të thellë.

Agjencia e vlerësimit të bonitetit Fitch nuk ka besim tek Greqia

As grekët nuk po avancojnë me përpjekjet e tyre për kursime dhe sipas FMN-së duhet të përgatiten për një recesion më të ashpër, nga sa pritej. Pavarësisht programit të kursimeve borxhet do të riten edhe më shumë, thuhet në Uashington.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture alliance / dpa / DWMontage

Sipas FMN-së rendimenti ekonomik në Greqi sivjet do të tkurret me rreth 3,8%. Deri tani FMN-ja parashikonte një minus me 3,0%. Agjencia e SHBA-së për vlerësimin e bonitetit Fitch aftësinë kredituese të Greqisë të mërkurën (13.07) e klasifikoi edhe me një notë më poshtë. Kjo agjenci i dha Greqisë notën "CCC", që do të thotë në prag të humbjes së aftësisë së pagesës.

Në qershor agjencitë Moody's dhe Standard & Poor's vendosën në mënyrë të ngjashme. Fitch në radhë të parë kritikon faktin, që deri tani nuk ka një paketë shpëtimi bindëse për Greqinë as nga BE-ja dhe as nga FMN-ja.

Autorin: S. Eickenfonder / V.Filaj-Ballvora (mit rtr, dadp, dpa afp)

Redaktoi: Esat Ahmeti