1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bota arabe: Shenja alarmi

30 Mars 2012

Tek fondacionet politike në Gjermani bien këmbanat e alarmit. Pas Kajros fondacioni Konrad-Adenauer duhet të mbyllë edhe zyrën në Abu Dhabi - një zhvillim preokupues.

https://p.dw.com/p/14VHf
Fondacioni konrad Adenauer në Kajro
Fotografi: picture alliance / dpa

Fillimisht Egjipti, tani Emiratet e Bashkuara Arabe. Urdhëri për mbylljen e zyrës të fondacionit Konrad Adenauer, të afërt me CDU (Unionin Kristiandemokrat), të bën të vëmendshëm. Një vit pas fillimit të trazirave në botën arabe kontributi i Gjermanisë për të mbështetur demokracinë në botën arabe, siç duket nuk është më i dëshirueshëm. Të paktën jo atje, ku marrëdhëniet e çimentuara të pushtetit mundohen të mbrohen (izolohen) nga ndikimet e jashtme. Në Egjipt ishte qeveria e kontrolluar nga ushtria, e cila akuzoi fondacionet e huaja për ndërhyrje dhe biles ngriti padi kundër disa punonjësve të tyre. Vetëm pas ndërhyrjes diplomatike nga instancat më të larta dhe pasi SHBA kërcënuan me tërheqjen e ndihmës ushtarake, punonjësit u lejuan të largohen. Megjithatë procesi do të zhvillohet muajin e ardhshëm, prandaj Fondacioni Adenauer në të ardhmen e afërt nuk do të dërgojë punonjës të rinj për në Kajro.

I dërguari në Abu Dhabi nuk ka një fat të tillë. Megjithatë urdhëri për mbylljen e zyrës edhe këtu është shkak për shqetësim në një kuptim të dyfishtë. Zyra u hap fillimisht në vitin 2009. Me ftesën e qeverisë atje. Përveç kësaj Republika Federale e Gjermanisë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kishin rënë dakord për një partneritet strategjik, vlera e të cilit vihet tani në diskutim. Ndaj një partneri strategjik duhet të kesh besim. Mbyllja e zyrës, pa dhënë asnjë arsye, është një dëshmi e qartë e mosbesimit.

Revolucion dhe represion

Emiratet e kanë mbështetur revolucionin në Libi dhe kanë treguar simpati për lëvizjen e protestës kundër presidentit sirian Bashar al-Asad. Në kërkimin e një zgjidhjeje të konfliktit në Siri ata janë aktorët kryesorë dhe partnerët e preferuar të perëndimit. Edhe ekonomikisht ata janë bërë kohët e fundit gjithnjë e më të rëndësishëm për Gjermaninë. Por kjo është vetëm njëra anë. Brenda vendit qeveria mban qëndrim represiv. Blogerët kritikë dhe përkrahësit e demokracisë shtypen, në disa raste ato edhe përndiqen, informojnë organizatat e të drejtave të njeriut. Kështu është edhe në rastin e Fondacionit Konrad Adenauer. Me akuzën se puna e fondacioneve ka karakter subversiv. Politikisht, sepse ai është një fondacion, qëllimi i të cilit është të nxisë dialogun qytetar, demokracinë dhe pluralizmin e mendimit. Nga ana fetare, sepse fondacioni Konrad Adenauer-është i afërt me Unionin Kristiandemokrat, prandaj angazhimi i qartë për besimin e krishterë.

Largohen punonjësit e fondacionit Konrad Adenauer në Kajro
Largohen punonjësit e fondacionit Konrad Adenauer në KajroFotografi: picture-alliance/dpa

Frikë nga ndërhyrja

Që fondacionet politike predikojnë ide subversive, apo kanë për qëllim konvertimin fetar, do të ishte një akuzë absurde. Në të gjithë botën të gjitha fondacionet gjermane veprojë mbi parimin e dialogut. Me fjalë të tjera: aktivitete me qëllim mbështetjen e demokracisë, mund të zhvillohen vetëm atje, ku ka gjithashtu interes për ndryshe demokratike. Një ndërhyrje aktive në punët e brendshme të një vendi ka tjetër pamje.

Largimi i regjimeve autokratike nga lëvizjet popullore, siç e kemi vënë re prej më shumë se një viti në pothuajse të gjitha pjesët e botës arabe, i ka bërë nervozë edhe sheikët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndryshe nuk mund të shpjegohet ky reagim i ekzagjeruar. Edhe në rajonet ekonomikisht të begata si Emiratet e Bashkuara Arabe sidomos të rinjtë kërkojnë idealin e lirisë. Mirëqënia materiale dhe të drejtat për të qenë i lirë nuk mund të ndahen përgjithmonë nga njëra-tjetra. Këtë e marrin me mend edhe pushtetarët e Gjirit.

Humbje për dialogun ndërkulturor

Kontakti me Evropën dhe Gjermaninë, siç e mundësojnë fondacionet politike, është një ofertë nga Gjermania për botën arabe. Kush ua heq fondacioneve të drejtën e pranimit dhe ua ndalon të punojnë, i bllokon vetes dialogun ndërkulturor. Ai mban nën tutelë popullin e vet dhe minon çdo element të shoqërisë civile. Ai izolon vendin e tij ndërkombëtarisht. Veprimet e autoriteteve në Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë një shenjë alarmuese e një zhvillimi prapakthehu. Kjo nuk mund të mbetet pa ndikim në marrëdhëniet e Gjermanisë me këto vende. Edhe fondacione të tjera politike dhe institucione do ta vënë tani në provë angazhimin e tyre në botën arabe.

Aty ku demokracia, liria fetare dhe të drejtat e barabarta për gratë hasin në rezerva, mund të priten me sa duket kohë të pakëndshme. Me gjithë bashkëpunimin ekonomik Gjermania duhet të shpjegojë ndoshta më mirë përkushtimin e saj për demokraci dhe të drejtave të njeriut, që të mos keqkuptohet si ndërhyrje nga jashtë. Transparenca dhe gatishmëria për dialog janë të kufizuara, atje ku izolimi, me qëllim për të ruajtur pushtetin, është kthyer në parim,

Autor: Daniel Scheschkewitz/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi