1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shfrytëzim - në mes të Europës

Carmen Meyer24 Gusht 2015

Skllavëri, varësi, kërcënime - kështu e përjeton punën në Gjermani Dimitru Cubylyass. Por historia e rumunit nuk është një rast i vetëm.

https://p.dw.com/p/1GKJj
Fotografi: DW/H. Ernst

Një apartament me dy dhoma, bashkë me 17 burra të tjerë, për 1700 euro në muaj qira - ky ishte Berlini për Dimitru Cubylyass. Kushëriri i tij i kishte thënë se aty mund të gjente shumë punë dhe paga të mira, prandaj ai kishte marrë rrugën 1500 km nga vendlindja e tij Rumania.

Në fillim çdo gjë shkoi mirë: 36 vjeçari transportonte thasë me çimento apo parket në kantjerin e ndërtimit "Mall of Berlin". Javët e para ai edhe e mori rregullisht rrogën, pesë deri në gjashtë euro për orë. Por pastaj pagesat u bënë të parregullta, më vonë ai dhe rreth 30 punëtorë të tjerë rumunë nuk morën asgjë. Edhe kontrata e premtuar nuk u bë.

Dimitru Cubylyass
Dimitru CubylyassFotografi: DW/H. Ernst

Shfrytëzimi i pasigurisë

Një rast tipik i shfrytëzimit sistematik, thotë Dominique John. Sindikatalisti drejton projektin "Faire Mobilität" (www.faire-mobilitaet.de) të Federatës të Sindikatave gjermane. Veçanërisht punëtorët nga Europa Lindore janë të prekur. Agjencitë private që ndërmjetësojnë vende pune përfitojnë nga mungesa e aftësive gjuhësore dhe mungesa e njohurive ligjore dhe "shpesh i lidhin kontratat e punës edhe me strehimin. Nëse punëtorët sëmuren apo nuk janë më të gatshëm për të pranuar kushtet e punës, ata janë në rrezik se mund të mbeten të pastrehë." Një varësi të dyfishtë nga e cila vetëm pak mund të shpëtojnë.

Agjencitë private që ndërmjetësojnë vende pune përfitojnë nga mungesa e aftësive gjuhësore
Agjencitë private që ndërmjetësojnë vende pune përfitojnë nga mungesa e aftësive gjuhësoreFotografi: DW/H. Ernst

Sipas Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (http://fra.europa.eu/de) të prekur nuk janë vetëm ata që vijnë të punojnë në Gjermani, por në të gjithë Evuopën. Ndërsa në Gjermani viktimat më të shumta të nënkontraktorëve mashtruesi i ndesh në sektorin e ndërtimeve, në industrinë e përpunimit të mishit dhe në sektorin e përkujdesjes, sipas një sondazhi të Agjencisë për të Drejtat Themelore Europiane në Europë sektorët ku ka më shumë shfrytëzim janë ai i bujqësisë, i pyjeve dhe i peshkimit. Të dhëna të sakta nuk ka, sepse "këto krime ndodhin në fshehtësi, dhe shifra e vërtetë është shumë e madhe", thotë Katja Andrusz nga Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore.

Gjykata vendos pro punëmarrësve

Shumë kolegë të Dimitru Cubylyass, sikurse edhe ai vetë nuk e dinin se në sektorin e ndërtmit në Berlin paga mesatare është 11 euro për orë. Po ashtu kur u ndëprenë pagesat shumë u kthyen duarbosh në shtëpitë e tyre në Rumani. Por Dimitru Cubylyass dhe ca të tjerë nuk donin të pajtoheshin me këtë fat. Ai dhe disa kolegë protestuan ditë të tëra përpara "Mall of Berlin" dhe me ndihmën e sindikatës "Freie ArbeiterInnen Union" (www.fau.org) e hodhi çështjen në gjyq. Tani gjykata vendosi në favor të tre rumunëve, të cilët do të marrin rrogat e prapambetura.

Sindikalisti Dominique John thotë se e rëndësishme nuk është vetëm kjo fitore, por edhe fushata sqaruese në vendet nga vijnë njerëz për të punuar në Gjermani. Sepse vetëm kush i njeh të drejtat e tij, mund të mbrohet. Ai thotë se vitin e kaluar në gjashtë zyrat e "Faire Mobilität" janë regjistruar 6000 raste mashtrimi dhe se po të kishte më shumë zyra, kjo shifër do të dyfishohej.

Dimitru Cubylyass po lufton në gjykatë për rreth 4000 euro rrogë të prapambetur. Ai thotë se "e ndjen veten të huaj, edhe pse është evropian, por se këtë këtu nuk e pranon askush, sepse ndryshe nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi."