1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkëlqimi dhe rënia e Mynteferingut

14 Nëntor 2007

Dorëheqja e zëvendëskancelarit gjerman Franc Myntefering (Franz Müntefering) është tema qendrore e komenteve të shtypitë të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/CDVo
Franz MynteferingFotografi: AP


E përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" pohon se Mynteferingu kohët e fundit nuk shkonte mirë në arkitekturën e re të socialdemokratëve dhe shton: "Karakteristike është, që pikërisht tani ai quhet boshti i koalicionit të madh qeveritar dhe prej figurave qendrore të socialdemokratëve. Mynteferingu ishte i vetmi, i cili i doli në rrugë rrymës së re të kryetarit të partisë Kurt Beck. Shtajnamejeri dhe Stajnbryku, të cilët poashtu kishin rezerva, u larguan nën hije. Beku ia doli që tani për tani, të krijojë një lloj harmonie në parti, por kjo ka irrituar zgjedhësit e socialdemokratëve. Mungesa e Mynteferingut do të ndjehet atëherë kur duhet veprimi në bazë të bindjeve dhe jo vetëm përkulja para vendimeve partiake", konstaton "Frankufurter Allgemeine Zeitung".

Për "Berliner Zeitung" loja e filluar prej kryetarit të partisë Kurt Bek është e rrezikshme. "Beku ka marrë tani në dorë pushtetin në Partinë socialdemokrate, por është shtuar edhe përgjegjësia e tij. Ky ishte edhe shkaku pse Bek nuk u fut në postin e Mynteferingut në koalicionin qeveritar. Ai do që të mbetet jashtë disiplinës së kabinetit qeveritar. Beku do që të jetë lider opozitar i një partie që në koalicionin qeveritar ka tetë ministra. Kjo dëshmon se politika qeveritare e dy viteve të ardhshme do të përshkohet me grindje dhe heshtje", konstaton "Berliner Zeitung".

Nga kryeqygteti shfletojmë edhe gazetën tjetër me autoritet "Berliner Tagesspiegel" e cila shkruan: "Koalicioni i cili edhe ashtu ishte në pozitë të vështirë, tani do të futet në kohëra edhe më turbulente. Ndonëse socialdemokratët e kanë me zgjedhjen e Shtajmajerit si pasardhës të Mynteferingut e kanë zgjidhur çëshjten e zëvendëskancelarit pa ndonjë dallgë tepër të madhe. Mirëpo ndryshimet e fundit do të thonë se duhet të ndryshojë edhe rutina e deritanishme në kabinetin qeveritar. Shumë më domethënës është fakti që po ndodhë ajo që nuk është dashur: kabineti i kancelares Merkel po shpartallohet në gjysmëlojë", pohon gazeta nga Berlini.

Kthehemi sërish në Frankfurt ku e përditshmja "Frankfurter Rundschau" pohon se vendimi i ish - kryetarit të Partisë Socialdemokrate mund të ketë pasoja të rënda për këtë subjekt politik. "Partia po e humbë profilin e vet, ndërkohë që një profil tjetër nuk është gjetur. Kërkesat tani do të jenë edhe më të shumta. Kryetari i tanishëm Bek ia doli që të përmirësojë në sondazhe imazhin përsonal, por partia e tij edhe më tej qëndron keq. Pas largimit të Mynteferingut, ai do të ketë tërë pushtetin në dorë, por as kjo nuk do t'i ndihmojë shumë. Socialdemokratët aktualisht janë duke u profiluar vetëm në kritikat ndaj kristiansocialëve, por Bekut as kjo nuk do t'i ndihmojë shumë. Merkel dhe socialdemokratët varen mes vete", pohon komentatori i "Frankfurter Rundschau".

Ndërsa "Nordbayerischer Kurier" thekson se e tërë strategjia e koalicionit të madh gjendej mbi supet e kancelares Angela Merkel dhe zëvendësit të saj në Qeveri, Franc Myntefering. "Tani i erdhi fundi. Zëvendëskancelari do të largohet. Justifikimi zyrtar i Mnyteferingut, me sëmundjen e gruas, meriton çdo respekt. Mirëpo në vendimin e ministrit për t'ia kthyer shpinën koalicionit kanë ndikuar edhe humbjet e fundit politike", mendon komentatori i gazetës "Nordbayerischer Kurier".

Komentatori i gazetës "Offenbach-Post" mendon se duhet përkulur para njeriut i cili ka vendosur që më shumë kohë të kalojë me bashkëshorten e sëmurë në Bon, se sa në kabinetin qeveritar. "Pikërisht ai që ishte një ushtar lojal partiak dhe luftëtar i bindur i ideve politike, na tregon se ka diçka që vlenë më shumë se lufta për pushtet dhe mbajtjen e pushtetit. Respekt! Ata që hapur tregojnë ndjenjat në politikë, janë shumtë të paktë", konstaton gazeta "Offenbach-Post".