1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkëmbim deklaratash mes Tiranës dhe Moskës

Arben Muka/ Tiranë27 Gusht 2008

Ambasadori rus në Tiranë, A. L. Prishcepov, thotë se nuk ka akuza të Rusisë, që Shqipëria i ka shitur armë Gjeorgjisë. Sipas tij "Shqipëria është përmendur në listën e vendeve, armët e të cilave janë gjetur në Gjeorgji".

https://p.dw.com/p/F5sC
Kryeministria në Tiranë
Kryeministria në TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Moska zyrtare ishte pak më e zbutur të mërkurën, në qëndrimet e saj ndaj deklaratave kritike të 24 orëve më parë të lëshuara në Tiranë, nga kryeministri Sali Berisha. Shkëmbimi i deklaratave e pati zanafillën kur drejtuesi i shtabit të ushtrisë ruse, gjenerali Anatoly Nogovitsin, akuzoi Shqipërinë se "është një nga vendet që ka furnizuar me armë Tbilisin, ashtu si dhe Maqedonia, Bullgaria, Ukraina, Serbia, Hungaria dhe Rumania". Kryeministri Sali Berisha të martën i hodhi poshtë këto qëndrime duke thënë se "të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak, sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë".

Të mërkurën, ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Levoviç Prishcepov, ka bërë disa sqarime, duke thënë se akuzat për përfshirjen e Shqipërisë në tregtinë e armëve në Tbilisi i ka marrë vesh vetëm nga mediat... Ai sqaroi se "nuk ka akuza zyrtare. Nëse do të kishte diçka serioze ne do të reagonim në kanale diplomatike. Shqipëria është përmendur në listën e vendeve, armët e të cilave janë gjetur në Gjeorgji".

Gjatë një takimi me median në Tiranë, pyetjes se a do të ketë reflektim nga Moska për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pas atyre që ndodhën në Osetinë e Jugut dhe Abkazi, ambasadori Prishcepov iu përgjigj me shpoti se "çështja e Kosovës është unike", duke shtuar se "nuk asnjë lidhje mes tyre".

Përsa u takon akuzave të kryeministrit Berisha një ditë më parë për qëndrimet e Rusisë ndaj shqiptarëve, ambasadori tha se "nuk e lejonte mandati diplomatik për t'iu përgjigjur këtyre thënieve". Por ai pohoi se ka bërë kërkesë që të takohet me presidentin Bamir Topi dhe me kryeminstrin Berisha për të diskutuar mbi këto çështje.